Policia ka goditur një grup që dyshohet se kontrabanduan 7 tonë kafe. Raportohet se një 33-vjeçar është vendosur në pranga, ndërsa u shpallën në kërkim 5 të tjerë, bashkëpunëtorë në transportimin dhe magazinimin e pakove të kafes.
Policia arrestoi të riun me iniciale F. K., banues në Tiranë, ndërsa po punohet për kapjen e shtetasve me iniciale E. T., 30 vjeç, M. T., 33 vjeç, A. Ç., 33 vjeç, I. Ç., 35 vjeç, dhe A. S., 33 vjeç.
“Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë paraqitur në doganën e Qafë Thanës, dokumentacion të falsifikuar të origjinës dhe porosisë së mallit që kanë transportuar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, dhe kamionin që transportonte sasinë e kafes, nuk e kanë shkarkuar në doganën e Vorës, siç kanë deklaruar në pikën e parë kufitare”, raporton policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 33-vjeçarit në Thumanë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 28 paleta me kafe, me peshë rreth 7 tonë, të dyshuara të kontrabanduara.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas një pune të mirëfilltë hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Coffe seeds”.
Gjatë operacionit u sekuestruan 28 paleta me kafe, me peshë rreth 7 tonë, të dyshuara të kontrabanduara.
U arrestua një shtetas dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë, bashkëpunëtorë në transportimin dhe magazinimin e pakove të kafes.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave të ndryshme, arrestuan shtetasin F. K., 33 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, punohet për kapjen e shtetasve E. T., 30 vjeç, M. T., 33 vjeç, A. Ç., 33 vjeç, I. Ç., 35 vjeç, dhe A. S., 33 vjeç.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë paraqitur në doganën e Qafë Thanës, dokumentacion të falsifikuar të origjinës dhe porosisë së mallit që kanë transportuar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, dhe kamionin që transportonte sasinë e kafes, nuk e kanë shkarkuar në doganën e Vorës, siç kanë deklaruar në pikën e parë kufitare.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. S., në Thumanë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 28 paleta me kafe, me peshë rreth 7 tonë, të dyshuara të kontrabanduara.
Materialet i kaluan Prokurorisë.