BallinaKryesoreAndi Bushati: Berisha e vrau opozitën me listat e mbyllura

Andi Bushati: Berisha e vrau opozitën me listat e mbyllura

Andi Bushati
Vendimi i Sali Berishës për të pranuar variantin e Ramës kundër listave të hapura nuk është vetëm një goditje morale dhe imazhi për opozitën. Me vitet që ka në krye të PD-së dhe me të gjitha ato që ka kaluar mbi shpinë, lideri “non grata” ngjan i pa oksidueshëm përballë skrupujve të tillë.

Pra, akuzat se ai përsëriti një pakt okult me armikun e tij më të madh, ato se bëri një marveshje të ngjashme më atë të 2008, të anatemuar nga të gjithë, apo se tradhëtoi qytetarët shqiptarë, të cilëve u premtoi të vendosin me votën e tyre se kë duan të çojnë në parlament, do të lënë shumë pak njolla në portretin e tij. 

Në këtë kuptim, duke pranuar de facto mbylljen e listave, problemi i Berishës nuk është, as hipokrizia, as inkoherenca, që tashmë i merren të mirëqena. Dëmi i madh që ai i ka bërë opozitës është politik. Kjo për disa arsye

Së pari, duke mbyllur listat i vihet fre zgjerimit të PD-së, afrimit të figurave të reja duke e paraqitur atë, së bashku me Rilindjen, si pjesë të një kaste të mbyllur, tavanin e xhamtë të së cilës askush nuk mund ta thyej dot për t’u ngjitur sipër. Dhe kur dihet që në kushtet e një regjimi, që sa të josh duke të korruptuar, po aq të frikson duke të shantazhuar, shtimi i radhëve të opozitës përbën një sfidë të vështirë, të humbësh mundësinë për të joshur figura të reja, do të thotë as më pak, as më shumë se një krim.

E pse një i ri, një qytetar i angazhuar, apo dikush që i ka ardhur në majë të hundës nga banaliteti dhe grabitja ordinere e Ramës do përballej me trysninë e sistemit të patronazhistëve, kur e di së në kampin përballë, vendet e sigurta i kanë zënë paraprakisht dhe pa garë, Flamuri, Gazi, Luçiano, Albana, Oerdi apo Tritani? C’motivim do të kishin ata për ti’u bashkuar një grupimi që i fton të gjithë në një front kundër të keqes, por që kur trokasin aty i gjejnë dyert të kyçura?

Të japësh këtë mesazh tkurrjeje vetëm disa muaj para zgjedhjeve është vrastare për opozitën.

Së dyti, duke u lënë mundësinë vetëm 10 ose 11 deputetëve (nëse marrim për bazë rezultatin e 2021), që të zgjidhen nga vullneti i lirë i elektoratit, Berisha vret me dorën e tij shpresën për aktivizëm dhe ringjalle të PD, që stimuloi gjatë turit legjendar të foltoreve. Atëhere, në përpjekje për t’i rimarë partinë Bashës, që e kishte përgjumur dhe burokratizuar, ai luajti kartën e kundërt, atë të rigjallërimit të militantëve. Për këtë qëllim ai bëri propozime të forta si ato të primareve dhe të fraksioneve të mendimit ndryshe. Por sot, ato janë shndërruar në një iluzion.  C’kuptim kanë këtej e tutje primaret, kur kandidatët për deputetë imponohen nga lart? C’kuptim ka një grupim alternativ, kur ata që do duan të shkojnë në parlament, nuk kanë të drejtën të testohen nga vota e lirë?

Pra përpos hapjes së PD-së, listat e mbyllura vranë edhe rivitalizimin e shpresuar të saj. 

Të dyja këto mëkate konvergojnë tek një i tretë, tek mundësia e humbur e opozitës për t’i propozuar shqiptarëve, një model të ndryshëm nga ai i Ramës. Dihet se autokrati rilindas dominon me dorë të hekurt formacionin e tij politik të shndërruar në garnizon. Ai shmang, shkarkon apo burgos kë do vetë, me një të rënë të lapsit. Ai prej kohësh i ka vënë qytetarëve mbi krye ministra anonimë, cilësia e vetme e të cilëve është ti bëjnë gojore shefit. Dhe për këtë e ka qëllimin të qartë. Filozofisë së tij kleptokratike i shkojnë për shtat yesman-ët. Në zgjedhjet e radhës, përpos shumë mesazheve të tjera, opozita ishte e dënuar të përçonte të kundërtën. Vasalit të përunjur, ajo duhet ti kundërvinte figura të dashura për njerëzit; servilëve, modelin e guximtarrit që nuk i trembet gjykimit të zgjedhësve; ministreve velina, shembullin e njeriut që di të bëjë emër brenda komunitetit të tij.

Me listat e mbyllura PD-ja pranoi që aparatçikëve të qeverisë, ti kundërvërë thjeshtë aparatçikët e partisë. Ajo i hoqi mundësinë votuesve për të zgjedhur, duke i dënuar ata me dyzimin mes dy modeleve gati njësoj të këqia.

Rezultati i kësaj farse është se nga ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, nga 140 deputetë që do të ketë gjithsej në parlamentin e ardhshëm, sipas llogarive, nuk do të jenë më shumë se 30 apo maksimumi 40 të zgjedhur direkt nga populli,  duke e bërë opozitën praktikisht bashkëfajtore në mbylljen e listave.

Po pyetja që shtrohet është: a nuk i bën këto llogari një politikan i sporovuar si Sali Berisha? A nuk e ditërka ai se betejat fitohen në publik dhe jo në kulisa? 

Natyrisht që i di. Do të qe një gafë në analizë ti’a mvishje atë që ndodhi pafatësisë apo kalkulimit të gabuar të liderit të PD-së. Pa diskutim që ai ka bërë llogaritë e veta dhe ka zgjedhur të shkojë në zgjedhje me kandidatë për deputetë, më tepër besnikë sesa popullorë, me njerëz që i binden atij, më shumë sesa interesit publik. Dhe nga ky këndvështrim kjo është deri diku e kuptueshme. Me aftësinë blerëse dhe korruptuese që ka çdo segment i këtij regjimi, devotshmëria e deputetëve prevalon mbi cilësinë e tyre. Dhe nëse opozita mendon se do të jetë sërish pakicë, kjo mënyrë të menduari ka një bazë logjike.

Por ama, kjo është edhe e keqja e madhe e kësaj zgjedhjejeje. Duke vendosur për të, Sali Berisha i ka çuar direkt të gjithë demokratëve mesazhin se ai po i nis drejt luftës për të humbur. Se ai i ka bërë kalkulimet si kryeopozitar dhe jo si fitimtar dhe kjo me koston e lartë të moshapjes së partisë, të mos ringjlljes së saj dhe të mos rezonuarit në të njëjtat valë me publikun. Ky është në fakt dëmi politik i listave të mbyllura dhe jo “paktet e fshehta”, puthjet me armiqtë, humbja e moralit apo koherencës me të cilat Berisha na ka stërvitur prej kohësh.   

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular