BallinaTe tjera“U tmerrua kur e lexoi”- Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik:...

“U tmerrua kur e lexoi”- Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik: Një natë, miku im u zgjua i shqetësuar nga një zhurmë dhe i kapi letrën që po shkruante një bashkëvuajtës dhe…

spot_img
spot_img

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

    Autori

                                                                                                                         SHKËLQIM ABAZI

                                                                       R E P S I

                                                    (Kampi i punës së detyruar)

    Memuaristikë

                                                                Takimi i parë

                                                     (Varka e mbytur në stere)

Një të dielë që kullonte ujë e të shtinte igrasinë deri në palcë, tellalli thirri disa herë rresht, emrin tim. Herën e parë e mora për lapsus; gabime që ndodhnin shpesh, me një tellall injorant si Malua, ndaj s’më bëri përshtypje. Por kur e përsëriti prapë së dyti dhe pastaj së treti e në vazhdim, u merakosa. Fillimisht mendova se më kërkonte policia, të më ndëshkonin për një cigare të ndezur në kapanon, ngaqë roja i brendshëm më zuri gafil, me të dorë dhe më bërtiti:

– “Or tëj, a po e fik atë duhan, apo don m’e ta shue nën shi e mandej, ‘birucë”?! Nuk bëzana, po fika cigaren. Kur dëgjova tellallin të më kërkonte, u drodha: “O Zot, tani pas dy orësh, iu kujtua këtij?! Hajde ta shtysh në qeli gjysmën e ditës dhe të gdhish natën, në këtë llohë”! Që të isha gati, u kujtova t’iu lypja fqinjëve, ndonjë rrobë të trashë…! Por sihariqi, na qëlloi për së mbari! Në thirrjen e tretë, dëgjova të shprehte ato fjalë që vetëm atë çast, s’i prisja: – “Gatit trastat, për takim”!

Shtanga, s’po iu besoja veshëve, madje e mora për ndonjë reng sepse, s’guxoja të mendoja, se mund të ndodhte që dikush të merrte mundimin, nisej për takim atë kohë, nën atë shi të dendur e të pareshtur. Gjatë javës kish rënë shi me gjyma dhe vazhdonte ende. Nga qielli ngjyrë-plumb, u zbraz një rrebesh i zgjatur, pa pra. Me sa dukej Zotat e gjithëfuqishëm, ishin zemëruar me sundimtaret e vendit që mëtonin t’iu zinin fronë; kishin ndërsyer stuhinë me gjëmime bubullima. Nën dufin e mllefit, shkarkuan e derdhën nga depozitat qiellore ato ditë, sasi të papara uji.

Në faqen veri-lindore e kodrës, rrokulliseshin vrullshëm teposhtë rrëpirës, rrëke të fryra tej mase. Në furinë çmendurake, vorbullat kumbëzuese gërryenin e rrëmbenin, gjithë ç’hasnin para, llumin e shpatit si dhe grumbujt e inerteve në grykën e përroit ku zbarkonin dherat që rrëmihnim ne. Gjithë shakullimën e mbetjeve e vërtiti në ultësirë, në segmentin e rrugës që ngjitej tërma, drejt thellësive. Aq i paparë ish vrundulli i grumbujve, saqë llurba kapërceu trasenë e rrugës dhe u shtresëzua mbi zallit e Fanit, ku dukej të mbinin nga hiçi ca ishuj fantazmagorikë që e shndërruan krejt konfiguracionin fizik të luginës.

Mbi xhade, mes asaj balte mos o zot, gomat e makinave zhyteshin deri te shasia dhe kafshëve të barrës e kalimtarëve, iu humbnin këmbët deri mbi gjunjë, sa me zor çapiteshin për më tej. Në këtë arterie të vetme lidhëse, llapashiteshin mjete, njerëz dhe kafshë, që shpinin në thellësi të Mirditës, që nga ushqimet për banorët dhe bagëtitë, e deri te veshmbathjet e vajgurin, ndërsa në kthim, transportonin lëndë drusore për ngrohjen e popullatës qytetare, përreth e më larg, si dhe trupa ahu e pishe, për stabilimentin e sharrave në Rrëshen dhe për armimin e galerive, në minierat e Spaçit.

Ishte fund dimri. Edhe pak na ndante, nga pranvera e vitit 1969. Mbase diku poshtë më në jug, në qytetin tim, festonin në natyrë ditën e verës; ndërsa këtu…?! Athëtimë, stuhi edhe llohë! Në anët tona, në mars toka rifiton gjallërinë, bari bulërin, pemët rrisin burbuqet dhe çelin lule e para, zogjtë bëjnë pirueta dashurore, fëmijët lodrojnë në lëndina gjithë shend, të rinjtë gjakndezur shkëmbejnë puthjet; kurse këtu…?! Lagështirë që të depërtonte në asht, i ftohtët brisk të mavijoste buzët, të skuqte hundën, veshët dhe gishtat! Shirat e akullt që s’kishin të pushuar; murlan i marrosur që shfrynte dhe uturinte tejendanë luginës.

Ne të burgosurit, veç dënimit politik, që na kish taksur pushteti, na kish ndëshkuar edhe natyra, të zhvendosnim me shojet e gomës së opingave të llastikta, në ecejaket pambarim kamp-fjetjeje-kantier pune dhe anasjelltas, kushedi sa tonelatë baltë. Çdo mëngjes dhe mbrëmje, kur niseshim dhe ktheheshim nga puna, mbi udhën e “Golgotës” formohej një moçal lebeti. Disa qindra këmbë nguleshin dhe shqiteshin shllap-shllup në llucë dhe zhaurima që shpërhapnin ato, shkërbente mijra tapa shishesh shampanje, që nën trusninë e gazrave, krisnin e të jepnin idenë e një shesh beteje, pa pushkë e pa gjak.

Në këto anë dimri, s’po donte të ikte dhe pranvera s’po dukej të vinte. Ky vend të shtinte krupën, të ndillte melankolinë aq sa, edhe më optimistët, i shndërronte në pesimistë grindavec. Në një nga këto ditë të acarta, xha Esherefi do më qahej: “Ah, ç’murdallëk vend asht ky, or mec! Se kanë quejt kotë Reps këtë, rrjep për së gjalli! E more vesh? Asht “MURDALLËK” me të madhe”! Pra, në këtë “MURDALLËK”, po më bëheshin rreth katër muaj!

Qysh sa shkela së pari dhe u sistemova me jatak, mbas pyetje- përgjigjeve të zakonshme, shokët e krahëve më orientuan ç’duhej të bëja për të rivënë kontaktet me njerëzit e mi. Ata më sqaruan për numrin e letrave që lejoheshin, më treguan ç’mund të shprehja në to, pa tërhequr mendjen e hafijeve letër-lexues, etj.

Kështu, të nesërmen i shkruava familjes sime, t’iu bëja me dije adresën ku gjindesha, me shpresë se letra do t’iu binte në dorë shpejt. Por meqë letrat nga burgu s’mbrrinin asnjëherë në kohë, mbetej që këmbeja aty nga pranvera, mund të rivendosja lidhjet me familjarët. Pra, me padurim po prisja pranverën. Në pritje të pranverës, le të shpjegojmë mekanizmin e letër-këmbimit. Sipas rregullores, në çdo fillin dhe mbyllje muaji, gëzoje të drejtën të nisje nga një letër, veçse… me zarf të hapur. Duhej ta kishe mendjen top, letrën ta fusje në kutinë “e duhur”, në atë që quhej: “posta e hapur”, pse veç saj, ishte edhe një tjetër kuti që emërtohej: “posta sekrete”, për cilën do flas pak më poshtë.

Ligjërisht në burgje, lejoheshin vërtetë dy letra në muaj, po kjo ishte aparenca vetëm për demagogji. Sepse në fakt, që të plotësohej kjo e drejtë, varej shumë në ndërgjegjen e atyre që merreshin me to. Nga kutia, zarfet i tërhiqte kartelisti, një i dënuar i afërt me komandën dhe i shumë besuar i operativit. Detyra e tij fillonte dhe mbaronte me adresat, pra, t’i ndante ato sipas destinacionit, në rrethet përkatëse, për ku ishin nisur.

Por, meqë atij tip urithi i pëlqente subvensionizmi, rrekej të bënte edhe punën e një gjysëm operativi. Kështu, shumë shpesh i tejkalonte kompetencat, s’linte cep letre pa gërmuar e, gërmë pa lexuar. I hapte, i lëçiste me syrin gërmonjësit, pikaste dobësitë njerëzore të individëve të veçantë, për t’i shfrytëzuar mandej këto “sekrete”, si mjet presioni, karshi letërshkruesit, thjeshtë të fitonte kredo, kur i kërcënohej reputacioni. Nëpërmjet tyre “sekreteve” familjare, “gërmuesi” mëtonte edhe përfitime të tjera të pritshme apo, vetëm të ngopte shpirt ligësinë që e karakterizonte.

Nëpër letra nuk shkruhej kushedi ç’sekret i veçantë, ngaqë të gjithë e kishin të qartë, se ato i qëmtonin me lupë imtësisht, ndaj gjithkush përpiqej t’i përmbahej së lejueshmes, pavarësisht se nuk ekzistonin kufij të përcaktuar e të ndarë si me thikë, mes së lejueshmes dhe asaj që ndalohej. Përkufizimi; “e lejueshme” dhe “e ndalur”, ish lënë shumë evaziv; atë që dikush e lejonte, tjetri e ndalonte dhe anasjelltas. Kështu, relativiteti i ekuivokeve, linte hapësirë të pamatë abuzuese. Personat që kontrollonin, e mbanin nën vëzhgim letërkëmbimin, i keqinterpretonin letrat.

Kur iu binte në sy një shprehje dykuptimëshe apo, e dyshuar si kontradiktore, veçonin zarfin dhe e hetonin me imtësi. Lexonin dhe rilexonin, eksperimentonin dhe krahasonin; madje me ekipe ku secili specialist i një fushe të caktuar, jepte mendimin e vet Mbasi e ekzaminonin prokurorë e hetues, ekspertë kriminalistë e, kaligrafistë, filologë e linguistë, psikologë e sociologë, etj., në varësi të konkluzionit përkatës, përfundoje, o në birucë për riedukim, o në psikiatri për shërim, o në hetuesi për ri dënim.

Këto arsye dhe pasojat e drojës nga pësimi, ndikonin në formulimin e letrave, shkurt e qartë, me shprehje steriotipe; pyetje sipërfaqësore, mbi shëndetin e pjesëtarëve të familjes, për ecurinë në shkollë të fëmijëve, nipërve e mbesave, urime për fejesa dhe martesa apo, ngushëllime në raste vdekje. Por të gjitha këto, me masë. Brenda ca parametrave të pranueshëm nga censura komuniste që, siç e përmenda më sipër, s’njihte kufij.

Pra, kur flitej për urime dhe evenimente të gëzueshëm familjar, duhej të nuhasje se gjer në ç’pikë, mund të shtriheshin caqet e entuziazmit, pa i kapërcyer ato. Bie fjala për martesat: kur një mblesëri nuk shihej si e ujdisur politikisht, ishte mirë mos t’a zije fare në gojë ose, edhe kur e përmendje, nënteksti s’duhej të shprehte entuziazëm të tepruar, po frymë kritike. Ndërsa kur po kjo martesë, ishte okej me orientimet e Partisë, meritonte urime lumë, me lëvdata maksimaliste.

Edhe ngushëllimet në raste vdekjesh apo fatkeqësish, si sëmundje, sakatllëqe, etj., pikëllimin duhej ta deklamoje me superlative, apo të përmbajtur. Për shembull, një vdekje mund të vlerësohej në disa mënyra: Kur merhumi iu përkiste rangjeve të larta të pushtetit, ishte më e udhës, që shprehjet ngushëlluese të dilnin më të thekura dhe pikëllimi për humbjen e pësuar, më i spikatur. T’i kapërcente caqet e normales, në përputhje me nivelit përfaqësues, që pat zënë i ndjeri me gjallje. Pra, sa më lartë në hierarki, aq më sipëror edhe hidhërimi dhe shkallë shkallë, duhet të ulej edhe masa e pikëllimit.

Po kështu, kur personi që vdiste ish një i deklaruar kundërshtar i regjimit apo i deklasuar, po nga regjimi; sikur ky të kish qenë edhe njeriu yt më i afërt, ta zëmë babai, xhaxhai, vëllai, daja, etj., s’duhej të pikëlloheshe veçanërisht, edhe nëse humbjen e ndjeje thellë, duhej të shpreheshe i përmbajtur, jo të prekje pikëllimin ekstrem. Madje, po të mos shfaqje fare hidhërim dhe ta shpërfillje zinë, apo më mirë ende, të shpreheshe i lumtur që Partisë, iu pakësua edhe një armik më tepër, kështu mund të të konsideronin edhe të rehabilituar, ose në mos të tillë, person me predispozita pozitive drejt përmirësimit.

Kur të paraqitet momenti, do japë dy shembuj realë, për dy individë mr tendenca politike diametralisht të kundërta, të cilët e paguan me jetë, shfaqjen e ndjenjave humane. Po, tani le të kthehemi në temë. Më sipër përmenda kutinë e postës sekrete. Pra, ishin dy kuti të vendosur në skajet e një drejtëze, paksa larg njëra tjetrës. Mbase për mos t’i ngatërruar, edhe ngjyrat i kishin të ndryshme, njëra lyer me bojë të gjelbër, tjetra me të zezë. Në të gjelbërtën, ndonëse jo fort e siguruar, hidhnim letrat për familjet, në tjetrën korrespondencën zyrtare.

Të parën e kishim pagëzuar; “kutia e shpresës”, ndërsa binjaken e saj, “arka e kobit” apo e “zisë”. Vetë ngjyrat e tyre flisnin sa mijra fjalë! E gjelbërta, na mbante gjallë shpresën; e errëta, na ndillte zezonën. Po ta kishin pikasur komanda se vetëm aparenca e të pares, na shtonte optimizmin dhe zezona e tjetrës, na ngjallte krupën, do t’i kishin ndërruar me vakt, njëra me tjetrën. Të gjithë pothuaj çuditeshim, si s’iu kish vajtur mendja, ta bënin këtë rokadë!

Pra, në të zezën futeshin zarfet që kishin destinacion zyrat e komandës, apo të pushtetit; po në dallim nga tjetra, këtu mund të hidhje letra pa kufi, qoftë edhe përditë. S’e konsideronte kush numrin në atë kuti, s’të pengonte kush ta kolisje zarfin me zamkë. Atë e mbikëqyrte përditë vet operativi i Sigurimit, apo, një emisar special i tij, e shkyçnin, merrnin zarfet, i kontrollonin dhe mbasi siguroheshin për autenticitetin e personit, i nisnin në adresat përkatëse.

Arka e “kobit”, qe kthyer në gogolin e të dënuarve politike, ajo konsiderohej: “etiketë vlerash” apo “etalon karakteri”. Zakonisht kush fuste një zarf në të, ndihej në turp. Kjo ishte arsyeja që spiunët e kampit, apo bashkëpunëtorët sekretë të Sigurimit, vepronin në fshehtësi, përgjithësisht natën. Po në sytë e komandës, kreditet individuale të një spiuni, mateshin pikërisht me sasinë dhe “cilësinë” e letrave, që secili ndër ta, shtinte në këtë kuti. Ndaj, shpesh mes tyre, plaste xhelozia.

Kish ndër ta, që për një privilegj më shumë, s’lanë njeri pa spiunuar, dhe kur mbaronin me të ndershmit, nisnin gjuetinë ndaj shoqit, madje shpesh edhe haptas. Operativi që dirigjonte këtë lukuni makabre, fillimisht i ndërsente dhe më pas i shpërblente sipas “kontributeve”, me poste në administratën e zyrës teknike apo, nëpër vende pëllumbash, apo kur gërriceshin me njëri-tjetrin, i ndëshkonte me birucë. Sa më i madh e cilësor numri i letrave denoncuese, aq më shumë autorit i rritej kredibiliteti dhe anasjelltas.

Kjo konkurrencë nxiti mes tyre, egoizmin, ambicien, grindjet, sherret e dhunshme, që zakonisht pasoheshin me qef mbetje, me grushta, me shqelma, po ndonjëherë edhe me viktima. Por jo gjithçka shkonte vaj në këtë minorancë. Mbasi mbaronte “muaji i mjaltit”, niste pendesa, ngaqë jo të gjithë ishin futur konsekuentë në këtë batak. Dikush që s’e kapërdinte dot etiketën “spiun”, kthjellohej. Në një moment të caktuar, kuptonte dëmin që iu kish sjellë bashkëvuajtësve, po edhe personalitetit të tij dhe reflektonte.

Pishmendi për gjendjen ku ish katandisur, e ndërgjegjësonte; droja e humbjes së nderit, e turbullonte, logjika e çoroditur, ri kapte ritmin e arsyetimin normal dhe kundërveprimi niste udhë. Mbasi evokonte nderin që po humbte, mblidhte forcat e mbetura dhe iu kundërvihej të gjithëve. Zbulonte botërisht lojën që bënte operativi me të, damkoste veten dhe gjithë të ngjashmit e tij, kërkonte ndjesë publike, që zakonisht shoqërohej me vepra besimi, që nënkuptonte se; “djali plëngprishës, po rikthehej në grazhdin e ndershmërisë”!

Por për të arritur këtë stad, s’ishte fort e lehtë, o pse opinioni i shëndoshë, s’para i besonte, për shkak të dobësisë së treguar më parë dhe qyqarit i duhej të shpenzonte shumë energji e sakrifica, ta kapërcente barrierën morale, o pse ishte depersonalizuar deri në atë gradë, sa s’gjente më forca të ri ngrihej. Përfundimisht mjerani, zhytej thellë e më thellë në depresion. Njoha fatzinj që s’e bindën dot opinionin, për katarsisin e munguar, që s’gjetën dot forca t’i rezistonin sprovës së ri ngritjes dhe të deziluzionuar, zgjodhën t’iu vetë hidheshin telave, duke përfunduar kufoma. Siç njoha të tjerë që e hëngrën turpin me bukë dhe e ushtruan zanatin e ri, tashmë ashiqare, në dritë të diellit.

Në burgje s’ekzistonte privaci. Jeta atje zvargej në transparencë maksimale, si brenda një akuariumi të stërmadh; veprimet ishin të hapura dhe të kontrolluara, si në një ekran gjigant radiografie. Sado të përpiqeshe të kamufloheshe, ish e pamundur t’i fshiheshe gjatë syrit të hallkut, në mos njëri, tjetri do të të shihte. Hipokrizia nuk zinte vend, po edhe nëse arrije të shmangeshe momentalisht, ky ishte thjeshtë një iluzion i përkohshëm, që s’mund të përsëritej sërishmi e sërishmi. Treqind burra, roitnin njëzetekatër orë non stop, brenda asaj koshereje, dymijë metër katrorë. Kësisoj asgjë s’kalonte pa u vënë re.

Fundja ky ish synimi i komunizmit: humbje e privacisë, tufëzimi human dhe shpëlarja trunore! Rastiste që edhe të ndershmit, për arsye specifike, detyroheshin të shkruanin dhe të postonin në arkën e kobit. Për të futur zarfin në atë kuti, hallexhinjve iu nevojitej kurajë e veçantë. Ndaj për të shmangur keqkuptimet, e postonin letrën në mes të ditës, mundësisht kur bëhej rreshtimi për apel ose, gjatë grumbullimit te kazani i supës, ku tufa i njerëzve ishte më i dendur. Madje në shumë raste, kam qenë dëshmitar, në leximet publike të letrave personale.

Ndokush me probleme psikike, që futjen e një zarfi në arkën e “kobit”, e konsideronte humbje nderi, e gjykonte më të udhës, të shfrytëzonte praninë e bashkëvuajtësve, biles edhe të policëve, për të lexuar lutjen, apo kërkesën e tij, në mes të sheshit. Kësisoj, sikur ndihej më i çlirët në gjykim dhe më i pa paragjykuar në moral.

Kam njohur individë që i druheshin namit të keq dhe zgjidhnin ta hapnin zarfin e ta lexonin letrën me zë, në prezencë të miqve të ngushtë, apo intelektualëve, nën pretekstin e ndreqjeve të gabimeve drejtshkrimore, apo për ndonjë korrektim të mundshëm, para se ta shtinin në arkën e kobit. Natyrisht gjithkush e kapte mesazhin, s’behej fjalë as për drejtshkrim dhe as për korrigjim, po thjeshtë e vetëm për një alibi ndershmërie. Përfundimisht, jo çdo i burgosur që merrte guximin t’u drejtohej instancave të larta, bënte spiunllëk, por secili ndihej në një siklet brengosës, kur detyrohej të shtinte zarfin në atë kuti të nëmur, për shkak të namit të keq që kish marrë, në “perandorinë” e burgjeve politikë.

Pra, re latat me arkën e “kobit”, kishin marr pak a shumë vlerën, e një certifikatë pastërtie. Një mbrëmje të vonë, një miku im po përpiqej të shtinte një letër në zgafellen e arkës së “kobit”, po duket i pamësuar me fshehtësinë, iu drodhën duart nga emocionet. Kur më pa t’iu ngjitesha përpjetë shkallëve, për në banjo, u çorodit. I tronditur, zarfi i ra përdhe. Nën dritën e llambës që i fshikte pjerrtas fytyrën e përskuqur, shquava llahtarën.

U përpoqa t’i shmangesha, por ai u nis drejt meje kokë ulur. Shpejtova çapat t’i vidhesha që mos të përballesha, po miku më preu rrugën, me pamjen e një fëmije të zënë në faj. Pa folur, më zgjati zarfin, më bëri shenjë ta grisja, që ta lexonim së bashku përmbajtjen e letrës. Natyrisht i lypa ndjesë, për shkak të orës së vonë, po ai këmbënguli me kokëfortësi. Vetëm kur siguroi premtimin, se qysh në sabah do ta shikonim bashkë, sikur u qetësua.

E kuptova mikun tim; ai donte si e si të shfajësohej, ndaj me çdo kusht, kërkonte një koracë. Fakti që pa dëshirë u bëra dëshmitar rastësor, më ngarkoi përgjegjësinë, që t’i lehtësoja atij barrën e fajit të pakryer. Sinqerisht u ndjeva ligsht, që momenti më kish zënë në vendin e gabuar. Në mëngjes, pa nisur ende fishkëllimat e gjarpërinjve, miku erdhi me zarfin e pahapur. E luta të mos e griste, se s’ish e nevojshme:

– “Sot, mund ta futësh pa drojë në arkën e ‘kobit’, sepse të gjithë të njohin dhe të vlerësojnë për ndershmërinë tënde dhe askush s’do të gjykoj keq”. Ndonëse i lehtësuar për opinionin që i shpreha, ai më falenderoi për mirëkuptimin, por lutjes s’ia vuri veshin, e shqeu se e shqeu zarfin dhe nisi të lexonte me zërin që i dridhej, atë ç’ka kish shkruar. Ishte thjeshtë një kërkesë drejtuar gjykatës, për rishikimin e dënimit të padrejtë.

Pa ja kërkuar, ma zgjati e ma la në dorë, si të më lëshonte një thëngjill të ndezur, që po e përcëllonte. Ndoshta nëpërmjet këtij gjesti, shpresoi të shkarkonte barrën e turpit që mendonte se po i ngarkonin padrejtësisht mbi shpinë, ndonëse askush s’gjykonte prapshtë për atë njeri. Të paktën kështu e kuptova unë. Gjynah, i vanë dëm pesë lekë zarf e pullë!

Ndërsa të ndershmit i rrinin larg arkës së “kobit”,, por edhe kur detyroheshin nga halli i qaseshin të shoqëruar, e kundërta ndodhte me ata që nga kjo kuti, prisnin përfitime personale, në kurriz të bashkëvuajtësve. Ekzistonte pra, edhe ajo pakicë e papërfillshme, të cilën e përmenda i lartë, që ishin depersonalizuar deri në atë derexhe, sa krenoheshin me numrin në rritje të letrave denoncuese, sidomos kur përfitonin edhe benifice materiale, që rridhnin prej tyre.

Nëse në hapat e parë, edhe nga kjo kategori rrekeshin të ishin diskretë, më pas kur ia ndjenin lezetin “zanatit” dhe thartoheshin e bëheshin bozë, iu shtohej zelli për përfitime, bëheshin më të paturpshëm, dilnin haptas fare, në mes të ditës. Ishin pikërisht këta ekzemplarë mjeranë, që kur s’u mbetej ç’të sajonin kundër bashkëvuajtësve të tyre, ktheheshin dhe shkruanin kundër njëri tjetrit, madje edhe kundër vetes, sado paradoksale të duket kjo. Për një qyqar të tillë nga rrethinat e Librazhdit, miku im, Hysen Haxhia, bëri një muaj birucë.

Ja se ç’ndodhi! Një mesnatë Hyseni u zgjua i shqetësuar nga një zhurmë e pazakontë. Anë veshit ndjeu ca gërvima, iu bë se një mi po i brehte racionin e bukës që e mbante në një sergjen, mbi kokë. Hapi sytë, kur ç’të shoh! Fqinji i tij, gërvishte mbi fletë në këtë orë të vonë! – “O zot i madh, edhe nata s’e mbaka këtë rob”?! Ashtu përgjumësh, zgjati dorën dhe ia rrëmbeu fijen e letrës. I zëni gafil, s’pati kohë të reagonte.

Hyseni, nën dritën e dobët që binte nga tavani, u rrek të lexonte përmbajtjen. E pati të pamundur, shkrimi i keq dhe ndriçimi i mangët e pengonin. U ngrit dhe doli në korridorin mes shtretërve, ku nisi të lexonte zë. – O “Perëndi”! – klithi i befasuar, nga ç’shkruhej aty. S’deshi t’iu besonte syve, ndaj ngjiti shkallaret, për t’iu qasur edhe më të letrës. Memorie.alNga Shkëlqim Abazi

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular