Trepça në krizë të thellë financiare, minatorët ende nuk i kanë marrë pagat e qershorit

0
107

Ndërmarrja “Trepça” është duke kaluar nëpër një krizë të thellë financiare. Tash e dy muaj minatorët nuk i kanë marrë pagat. Sindikata ka thënë se Qeveria nuk ka aspak interesim për fatin e minierës dhe minatorëve.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës përmes një reagimi publik ka bërë të ditur se minatorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor.

Në reagim thuhet se qeveria nuk ka aspak interesim për fatin e minierës dhe minatorëve.

“Tani që ndodhemi në fundin e muajit Korrik, minatorët ende nuk i kanë marrë as pagën e muajit qershor. Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepça SH.A., janë vetëm fjalë boshe dhe asgjë tjetër”.

Më tej, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës thotë se “një qasje e tillë refuzuese ndaj ndërmarrjes Trepca Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme”.

“Ta dini se një qasje e tillë ndaj minierës Trepça Sh.A dhe minatorëve të saj nga qeveria dhe ministria e saj paraqet rrezik serioz që të gjithë minatorët të gjejnë zgjidhje tjera apo edhe të migrojnë jashtë vendit. Fatkeqësisht ndoshta ky edhe është qëllimi dhe dëshira e disave”, vijon reagimi i tyre.

Sindikata ka bërë thirrje për reflektim.

“Jeni duke i përbuzur minierën dhe minatorët, një ditë do i kërkoni! Reflektoni dhe ekzekutoni pagat”.

Ditë më parë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se nga 14 qershori 2024 është ndërprerë procesi i punës në minierën e Stantërgut.

Shala në një postim në Facebook shkruan se është e habitshme dhe e pashpjegueshme se si Menaxhmenti i kësaj ndërmarrje dhe Qeveria mundohen ta mbajnë të fshehur çështjen e ndërprerjes së punës.

E habitshme dhe e pashpjegueshme se si Menaxhmenti i kësaj ndërmarrje dhe Qeveria, mundohen ta mbajnë të fshehur çështjen e ndërprerjes së punës. Ky veprim paraqet shkallë të lartë të humbjeve ekonomike për ndërmarrjen Trepça, e njëkohësisht edhe shkallë të lartë të rrezikut për gjendjen e përgjithshme për sigurinë në minierë”.

Për shkakun e mosekzekutimit apo të vonesës së pagave, minatorët patën hyrë në grevë për disa ditë edhe gjatë qershorit dhe prillit të sivjetmë. E në tetorin e vitit të shkuar ata edhe u patën mbyllur për dhjetë ditë radhazi në horizontet e Trepçës.

Greva e vitit të shkuar është ndaluar pas një marrëveshjeje të arritur me disa deputetë të partisë në pushtet, në të cilën parashihej që pagat e minatorëve të mos vonoheshin më shumë se më datën 10 të çdo muaji.