“Vienna Sigurim Jete” do të bëhet kompania e pestë e sigurimit të jetës në Shqipëri

0
72

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) pritet të japë këtë javë miratimin paraprak për kërkesën e shoqërisë “Vienna Life Insurance” – “Vienna Sigurim Jete” sh.a., për të ushtruar veprimtari sigurimi në klasat e jetës në territorin e Republikës së Shqipërisë.

“Vienna Life Insurance” – “Vienna Sigurim Jete” do të jetë kompania e pestë e sigurimit të jetës në tregun shqiptar dhe subjekti i parë i ri në tregun e sigurimeve që prej vitit 2019.
Tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri ka përmasa modeste dhe mbështetet kryesisht në sigurimin e jetës së debitorit.
Mbështetur në të dhënat e AMF-së, për vitin e kaluar tregu i sigurimit të jetës arriti një volum të matur sipas primeve të shkruara bruto në vlerën e 1.86 miliard lekëve, në rritje me 10.3% krahasuar me një vit më parë. Primet e sigurimit të jetës përbënin rreth 8.1% të volumit të përgjithshëm të tregut të sigurimeve.

Më shumë se 71% e primeve të shkruara bruto erdhën nga produkti i sigurimi i jetës së debitorit. Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse tërësisht me ecurinë e kredisë bankare. Shumica e bankave kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë bankare afatgjata dhe në shuma të mëdha.

Zakonisht, këto kontrata sigurimi kërkohen në kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme. Megjithatë, ka banka të veçanta që mund të kërkojnë sigurim jete edhe për kreditë konsumatore, për shuma apo maturitete të caktuara. Në këtë mënyrë, tregu i sigurimit të jetës është i varur në një masë të madhe nga financimet e bankave për kredi hipotekare dhe nga kërkesa në tregun e pasurive të paluajtshme.

Kompanitë e sigurimit të jetës paguan gjithsej 282 milionë lekë dëme, në rënie me 3.3% krahasuar me një vit më parë.

Totali i aktiveve të tregut në fund të vitit 2023 arriti në 5.66 miliardë lekë, në rritje me 7.6% krahasuar me një vit më parë.

Për vitin e kaluar, tregu i sigurimit të jetës u dominua nga Sigal Life Uniqa Group Austria, me 44.4% të primeve të shkruara bruto, e ndjekur nga Insig Jeta me 21.7%, Albsig Jeta me 16% dhe Sicred me 16%.

Kompanitë e sigurimit të Jetës vitin e kaluar e rritën ndjeshëm fitimin neto, në shumën e 323 milionë lekëve, gati 74% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndikimin kryesor e dha rritja e rezultatit teknik me pothuajse 79% krahasuar me një vit më parë, ndërsa rezultati nga zërat e tjerë dha edhe në këtë segment dha një ndikim negativ, duke e reduktuar disi shkallën e rritjes së rezultatit financiar neto.

Në terma të rentabilitetit, kthimi nga kapitali për vitin e kaluar u rrit në 11.91%, nga 7.83% që kishte qenë një vit më parë. Rentabiliteti në tregun e jetës sidoqoftë ishte më i ulët në raport me mesataren e tregut të sigurimeve, ku kthimi nga kapitali për vitin 2023 rezultoi 15.99%.