Egnatia do historinë në Europë, zbulohet bonusi i majmë nga presidenti për kualifikimin në raundin tjetër

0
150

Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, ka marrë të gjitha masat që skuadrës të mos i mungojë asgjë për ndeshjen e së enjtes në “Loro Boriçi”, ku kundër Vikingurit do të synojë kalimin në turin e tretë të Ligës së Konferencës.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se numri 1 i klubit rrogozhinas do të akordojë një shpërblim në formë bonusi për ekipin në rast kualifikimi, ndërsa për tifozët rrogozhinas udhëtimi drejt Shkodrës do të jetë falas. Përveç anës teknike, ku është munduar t’i plotësojë çdo kërkesë trajnerit Edlir Tetova, ai nuk ka lënë mangët as detajet e tjera që në sfida të tilla kanë rëndësinë e tyre.

BONUSI – Lojtarët dhe stafi teknik i Egnatias do të marrin një bonus financiar, nëse ia dalin të eliminojë islandezët e Vikingurit mbrëmjen e së enjtes në Shkodër. Shanset i kanë të mëdha, pasi e kanë fituar ndeshjen e parë në transfertë me rezultatin 0-1, me gol të Xhoel. Shuma e akorduar për kualifikimin do të jetë 20 mijë euro. Një shpërblim ky që vjen përtej atyre që lojtarët kanë në kontratën e firmosur me klubin rrogozhinas. Për çdo arritje sportive, çdo fitore, qoftë në kampionat, ka bonuse financiare që presidenti Agim Demrozi garanton për të gjithë anëtarët e klubit të tij.

15 AUTOBUSË – Gazeta mëson gjithashtu se presidenti Agim Demrozi ka vendosur që në dispozicion të tifozëve rrogozhinas, të cilët kanë dëshirë ta përkrahin skuadrën e tyre të zemrës në “Loro Boroçi”, të jenë 15 autobusë. Tifozët kanë kështu të siguruar transportin falas dhe mendohet që në stadiumin e Shkodrës të jenë të shumtë në numër. Më 1 gusht Egnatia ka shansin e artë të shkruajë historinë me kalimin e një turi në kompeticionet europiane. Skuadra rrogozhinase po kalon periudhën më të mirë të historisë së saj dhe tifozët nuk mund t’i humbasin këto ndeshje