Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, muajin e kaluar u disbursuan gjithsej 31.2 miliardë lekë kredi e re për ekonominë, me një rritje prej 6.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për të gjithë gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kredia e disbursuar nga sektori bankar arriti vlerën e 181.8 miliardë lekëve dhe është rritur pothuajse me 30% me bazë vjetore. Megjithëse mjaft e lartë, rritja vjetore e kredisë është ngadalësuar ndjeshëm nga niveli prej 37% i pesëmujorit.
Kontributin kryesor në rritje vazhdon ta japë kredia në Lek, që për gjashtëmujorin e parë të vitit pothuajse është rritur me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pesha e kredisë së re në Lek ndaj totalit ka arritur në 59%, nga 50% që kishte qenë një vit më parë.
Sipas segmenteve të klientëve, ndikimin kryesor në rritjen e shpejtë të kreditimit në pjesën e parë të këtij viti po e jep biznesi. Shifrat tregojnë se për muajin qershor kredia e re për bizneset u rrit me 11% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Për të gjithë gjashtëmujorin 2024, kredia e re për bizneset arriti në 128.9 miliardë lekë, në rritje me 47% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Megjithatë, edhe për bizneset rritja e kredisë u ngadalësua ndjeshëm nga niveli prej 58% i pesëmujorit.
Sektori bankar po shfaq interes të lartë për të kredituar bizneset, veçanërisht projektet e korporatave të rëndësishme, duke përfshirë këtu edhe shumicën e projekteve madhore të partneritetit publik-privat të investimit në infrastrukturë.
Ndërkohë, kreditimi i individëve, si rrallëherë në vitet e fundit, pësoi rënie gjatë muajit qershor, me 4.5% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për gjashtë muajt e parë të vitit, sektori bankar disbursoi 52.7 miliard lekë kredi për individët, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë që rritja e kredisë së re është ngadalësuar disi në qershor, portofoli total ka vijuar të zmadhohet me ritme të përshpejtuara. Kjo mund të shpjegohet me faktin se një pjesë e kredisë së re të dhënë në muajt e mëparshëm mund të ketë konsistuar në rifinancime apo rinovime të kredive ekzistuese.
Në fund të muajit qershor, portofoli apo teprica e kredisë për ekonominë arriti vlerën e 795.6 miliardë lekëve, me një rritje prej afërsisht 13 miliardë lekësh krahasuar me muajin maj.
Me bazë vjetore, rritja e kredisë ka arritur në nivelin 11.5% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në fund të prillit rritja vjetore ishte 9.9%.
Në segmentin e individëve, portofoli i kredisë është në rritje me 12.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, për bizneset rritja ngelet në nivele pak më të ulëta, me 10.7% me bazë vjetore.
Kjo i detyrohet edhe peshës më të lartë të kredisë në valutë në portofolin e biznesit, që është ndikuar negativisht nga forcimi i mëtejshëm i lekut në kursin e këmbimit valutor.
Portofoli i kredisë për ekonominë në pjesën e parë të këtij viti po rritet me ritme të përshpejtuara, çka e shtyu Bankën e Shqipërisë të aplikonte për herë të parë një shtesë kundërciklike, mbi raportin e kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar./E.Shehu