Nga Gazmend Koduzi
Filozofi i madh anglez John Locke në “Traktati i dytë për qeverisjen” shtjellon që njeriu hoqi dorë nga gjendja natyrale e lirisë, për hir të mbrojtjes së ndërsjellë të jetës, lirisë dhe pronës.
Kjo për arsye se duheshin INSTITUCIONE që të siguronin drejtësi dhe të ishin garant të zbatimit të drejtësisë. Që prej shekullit të 17 që u shkrua kjo vepër, shoqëria është zhvilluar duke kaluar nga rendi feudal në atë kapitalist, si rrjedhojë e revolucionit industrial.
Me evolimin e shoqërisë, ka evoluar edhe koncepti për sigurinë e jetës. Nëse në atë kohë, siguria për jetën kuptonte mbrojtja nga sulmet agresive për marrjen e pronës, tashmë ky koncept është plotësuar edhe me dimensione të tjera të tij.
Kështu, përvec sigurisë fizike nga agresorët, është shtuar edhe siguria e shëndetit. Edhe koncepti i sigurisë së shëndetit ka evoluar me zhvillimin e shëndetit publik por edhe të shkencave mjeksore.
Nga studimet e shumta të kryera është arritur në përfundimin se ka disa faktorë rrisku të lidhura me sëmundjeve të ndryshme.
Sipas John Last, factor rrisku është një tipar ose ekspozim që rrit mundësinë e shfaqjes së një sëmundje ose rezultati specifik. John Snow në vitin 1854 arriti në përfundimin që uji i ndotur ishte shkaktar i epidemisë së kolerës në një lagje të Londrës, si pasojë e të cilit u vendos me ligj filtrimi i ujit përpara se të shkonte për përdorim nga popullata.
Pra, John Snow hodhi bazat e pirjes së ujit të sigurtë. Studime epidemiologjike të ndryshme kanë arritur në përfundimin se faktorë të ndryshëm rrisku janë shkaktarë për sëmundje të ndryshme, psh: pirja e duhanit për sëmundjet kardio-vaskulare, pirja e alkoolit për sëmundjet e mëlcisë, ajri i ndotur për sëmundjet respiratore, seksi i pasigurtë për infeksionet seksuale të transmetueshme, etj.
Bazuar në këto rezultate, tashmë flitet jo vetëm për ujë të sigurtë, por edhe për ajër të sigurtë, ushqim të sigurtë, ambjent pune të sigurtë.
Shumica e faktorë të rriskut që lidhen më sigurinë e shëndetit, janë të parandalueshëm përmes ndërhyrjeve të ndryshme që janë pjesë e promocionit shëndetësor, por edhe pjesë e punës së institucioneve përkatëse.
Instituti i Shëndetit Publik merret me reduktimin e faktorëve të rriskut përmes ndërhyrjeve si vaksinimi, promocioni shëndetësor si dhe analizimi i faktorëve të rriskut në vend, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për sigurinë ushqimore kujdeset që produktet ushqimore most ë kenë përmbajtje të dëmshme për shëndetin.
Së fundmi, në raportimin në Kuvend të kreut të KLSH Z. Shehu, është deklauar që gjatë vitit 2021 janë konsumuar akullore të kontaminuara me Oksid Etileni, i cili është vëretuar si faktor rrisku për të shkaktuar kancer si leucemi apo limfoma.
Më e rënda është se AKU si institucioni i ngarkuar me ligj për ruajtjen e sigurisë së shëndetit përmes sigurisë ushqimore, nuk mori asnjë masë në atë kohë. Në muajin Qershor 2024 u bë publik i ashtuquajturi “skandali onkologjikut”, dhe shumë pak analizuan arsyet e shkuarjes në atë derexhe të shërbimit që duhet të jetë më sensitivi ndaj pacientëve që vuajnë nga kanceri. KLSH përmes raportit të v. 2023 auditimi i performancës “ Trajtimi i sëmundjeve tumorale” është i vetmi institucion që ka analizuar me themel funksionimin e gjithë sistemit, që nga politikbërja, promocioni dhe depistimi, investimet në infrastrukturën e kujdesit onkologjik dhe buxhetimin për barna.
KLSh konstaton se Ministria NUK monitoron situatën, mungojnë të dhënat, pra politikat nuk bëhen bazuar në evidencë, Onkologjiku ka mungesë në staf mjeksor, mbingarkesë të punës së mjekëve, mungesë të shtretërve për seancat kimioterapisë, mungesë e pajisjeve trajtuese si Brakiterapia.
Pra, në Shqipëri kanë rënë INSTITUCIONET që e kanë për detyrë dhe paguhen nga taksat e qytetarëve shqiptarë për të ruajtur shëndetin e tyre dhe sigurinë e jetës!