Rrëzimi i regjimit komunist në Shqipëri i gjeti shqiptarët të varfër, por edhe të papërgatitur për të iu përgjigjur sfidave të jetës. Kjo ndodhi për mungesë të informacionit dhe situatës ekonomike në të cilën gjendej vendi, e për pasojë qindra mijëra morën rrugët e Europës. Një pjesë tjetër sfidoi të mos largohet, për rrethana të ndryshme ndenjën në tokën amë ku u përballën me një tranzicion të vështirë, për të mos thënë të egër. Kanë punuar dhe jetuar brenda vendit e iu është dashur të japin shumë nga vetja për të marrë më të mirën, për të plotësuar nevojat e familjes, e për të qenë dhe të suksesshëm në nismat e tyre. Kjo ka qenë edhe më e vështirë për ata që kanë punuar ndershëm, duke i paguar çdo taksë shtetit, e shpesh janë përballur edhe me të pandershmen, por kanë guxuar dhe sot janë shembull. Këto histori frymëzuese nuk mungojnë dhe është mirë të evidentohen për publikun edhe për të tjerë se si mund të ia dalësh duke ndjekur ëndrrën.
Njëri prej tyre i sjell sot për lexuesit në startnews.al, është një nga ata që gjithçka e ka arritur me mund dhe djersë. Ka sakrifikuar shumë për të ardhur deri në këtë ditë, ku në asnjë sekondë, minutë, orë, ditë, muaj e vit, nuk është shfaqur si një pronar biznesi që sot me gojën plotë mund të thuhet është tejet i suksesshëm, por së bashku me të punësuarit, njëlloj ka punuar për të ardhur në këtë pikë kulminante të jetës së tij, të ngritjes së biznesit si në përmasë ashtu edhe në teknologji të standardeve më të mira botërore.
Quhet Fiqiri Hysa, me origjinë nga fshati Qa i komunës Zallë-Dardhë të rrethit Dibër dhe vendosur në Tiranë në fund të vitit 1990. Rrjedh nga një familje e ndershme, punëtore dhe atdhetare e cila ka dhënë kontribut të çmuar për Shqipërinë dhe ka patur marrëdhëniet më të mira në komunitetin ku ka jetuar në të dy regjimet atë komunist dhe sot në sistemin demokratik. Kjo është trashëguar ndër breza në nipër e mbesa. Fiqiri Hysa është një familjar model, i martuar më bashkëshorten Thëllëzën, baba i tre fëmijëve dy vajzave; Anisa, Klodi si dhe djalin Florin.
Brenda Fiqos siç e thërrasin ata që e njohin, djaloshit energjik që në fëmijëri jetonte me ëndërra, vendosmëria e tij ishte që të ishte dikush në jetë, e për këtë do t’i përkushtohej arsimimit, shtyrë shumë dhe nga prindërit duke e arritur që pas rezultateve të mira në mësime të ndiqte Arsimin e Lartë për Pedagogji në qytetin e Elbasanit. Edhe në universitet, Fiqiriu do të spikaste dukshëm jo vetëm si student i mirë, por edhe si një djalë i edukuar dhe i dashur me shoqërinë. Dy nga bashkëkohësit e tij studentë, njëri gazetar Adi Darsi dhe tjetri politikan ish-deputeti Bedri Hoxha të flasin me superlativa për shokun e tyre brenda së cilit kishin parë njeriun që vetëm kërkonte nga vetja. Këta janë vetëm dy nga ata të cilët kontaktuam rastësisht, por që të njëjtat fjalë t’i thonë të gjithë. Fiqiriu, është nip i Hakik Hysës i shquar për zgjuarsinë, besën, burrërinë dhe bujarinë. Të atit të Fiqiriut, Gani Hysës i është njohur Statusi i Veteranit të Luftës për merita të veçanta për Çlirimin e Tiranës pas lufte është dekoruar me “Medaljen e Çlirimit”, dhe “Medaljen e Trimërisë” nga Komisioni Qendror i Statusit të Veteranit në vitin 1996, e firmosur nga Kryetari i Komisionit Alfred Mosiu.
Ish-mësuesi i dypunësuar /Fiqiri (Gani) Hysa, sot është një biznesmen shumë i suksesshëm. Për të mbërritur deri këtu ai ka bërë një rrugëtim të mirë dhe me hapa të sigurt, duke i shkuar për shtat shprehja; “gur gur bëhet kala” dhe i tillë është sot investimi që ka marrë jetë dhe formë të plotë vetëm para një muaji. Fiqiriu ka mbaruar studimet e larta për mësuesi (Pedagogji) në Elbasan. Pas kthimit në fshat shumë pak do ta ushtronte profesionin e mësuesit në Lashkizë, për të ardhur më pas për t’u vendosur në Tiranë me familjen ku dhe do të vazhdonte mësimdhënien deri në vitet 2000. Nevoja për të patur një jetë më të mirë duke rritur të ardhurat në familje, bëri që Fiqiriu në vitin 1996 të niste një punë të dytë. Ai do të vazhdonte punë tek Usluga një firmë që merrej kryesisht me tregtinë e xhamave dhe pasqyrave duke punuar për disa vite aty. Sakrifica ishte e jashtëzakonshme, veç dy punësimit edhe kushtet ishin të atilla sa e tërë dita ishte një stërlodhje. Gjatë këtyre viteve veç profesionit, në punën e dytë Fiqiriu mundi të marrë dhe zanatin. Linte punën në orën 12:00 dhe nisej me biçikletë për të shkuar në Çerkezë. Në ditë me shi i duhej të kalonte lumin me biçikletën në krah. Ishte i apasionuar ndaj punës, i përkushtohej shumë gjithë ditën, dilte në orët e para të mëngjesit për të shkuar në orët e vona të mbrëmjes në shtëpi sa shpesh harronte dhe fëmijët për të cilët kujdesej bashkëshortja Thëllëza edhe ajo me profesion mësuese. E ëma Sulbia nuk flinte e priste të birin që kthehej në orët e vona nga puna e lodhshme më të cilën kishte të bënte, e çdo mëngjes e bekonte teksa nisej për në punë.
Nga i punësuar në biznesmen!
Pas disa viteve si i punësuar, Fiqiri Hysa pasi ishte bërë një profesionist tashmë, e thënë ndryshe një arkitekt i punës në xham dhe pasqyrë, do të ndërmerrte nismën që të dilte më vete. Ai do të hapte biznesin e tij të quajtur “Rinisa 2000” ku deri në vitin 2004 do të ushtronte veprimtarinë në hyrje të rrugës së Dibrës dhe do të krijonte mjaft klientë të cilët kanë qëndruar besnikë në rrugëtimin e tij. Rritja do të kërkonte jo vetëm shtim të fuqisë punëtore, por edhe ambienteve të reja, më të bollshme dhe në vitin 2005 Fiqiriu do të zhvendosej në rrugën “Siri Kodra” pranë Dispancerisë aktivitet të cilin e ka zhvilluar të plotë deri në vitin 2024 (para një muaji) sepse tani ekziston vetëm show roomi pasi ka ngritur investimin e ri të një përmase të jashtëzakonshme në Vorë.
Këto gati dy dekada, puna tek rruga “Siri Kodra” i shërbeu Fiqiriut të rritej si biznes, të kishte punë fal besnikërisë së klientelës e cila vetëm shtohej. Porositë ishin nga më të voglat deri tek të mëdhatë e shpesh i duhej të punonte edhe me orë të gjata, të rriste fuqinë punëtore në biznes. “Rinisa 2000” do të ecte me ritme të kënaqshme, e sërish lindi nevoja për një tjetër planbiznes kësaj here të një profesionisti që di shumë mirë se si të arrijë majën fal punës së tij gati 3 dekadash si dhe njohurive më të mira në profesion marrë brenda vendit, por dhe eksperiencës së marrë jashtë Shqipërisë. Fiqiri Hysa nuk do të mjaftohej vetëm më atë që kishte mësuar gjatë punës, por për vite të tëra do të merre pjesë në disa panaire atje ku do të shihte dhe merrte më të mirën për ta sjell në Shqipëri për klientët e tij.
Rinisa Glass, sot një lider e përpunimit të xhamit dhe pasqyrës
Prej krijimit të biznesit dhe 4 viteve të para tek Rruga e Dibrës, gati dy dekadave në rrugën ”Siri Kodra”, Fiqiri Hysa mendonte seriozisht për realizimin e një super investimi që t’i përgjigjej me një tjetër standard kërkesave të klientëve gjithnjë e në rritje.
Koha kërkonte tek ai hedhjen e një tjetër hapi. Marrja e eksperiencës dhe pjesëmarrja në panaire si; Gjermani Itali, në Turqi, Kinë etj, kërkonte nga Fiqiri Hysa të thoshte fjalën e tij të fundit, të realizonte modernen përmes një investimi të kopsitur mirë në çdo detaj. E në fakt kështu ka ndodhur. Kësaj here do të ishte e treta e vërteta; të gjithë investimin e jetës do ta hidhte në ngritjen e biznesit tashmë me një tjetër emër të quajtur “Rinisa Glass” anës rrugës dytësore në Vorë.
Aty do të hidhte çdo qindarkë për të ngritur një kapanon që i ka standardet më të mira, makineritë më moderne të blera enkas për të realizuar punimet më cilësore dhe më të mira në format që klienti kërkon.
Nga biznesi në rrugën ”Siri Kodra” ku makina hynte në një rrugicë të ngushtë dhe dilte indietro deri para një muaji, tashmë fal një pune shumë të kujdesshme realizuar nga arkitektët dhe profesionistet më të mirë dhe kujdesin e vazhdueshëm të Fiqiriut, duke parë nga afër çdo tullë të vënë, apo proces tjetër, Rinisa Glass sot është një kompani lider, aty do të kërkoni dhe gjeni mrekullinë e punës në xham dhe pasqyrë.
Nëse kërkoni të realizoni arkitekturën në xham dhe pasqyrë zgjidhni “Rinisa Glass”, aty do të gjeni mjeshtrin Fiqiri Hysa me flotën e mjeteve më të mira si dhe shkathtësinë dhe shpejtësinë e punonjësve që do të iu përgjigjen në kohë rekord. Fiqiriu ka guxuar gjithnjë, të arriturit të suksesit përmes të sfiduarit ka qenë tipar i tij.
Në asnjë vend tjetër nuk do ta gjeni. Për t’u theksuar është dhe fakti që përgjatë këtyre viteve pranë kompanisë Rinisa kanë punuar dhe punojnë mesatarisht 15 veta STAF për të cilët ka dhënë një ndihmë në zbutjen e efekteve sociale falë punësimit që iu ka mundësuar Fiqiriu. Komunikimi që Fiqiriu ka më të punësuarit është mjaft mirëkuptues duke qenë se edhe ata kanë disa vite që punojnë me të. Tek superinvestimi Rinisa Glass me standardet më të mira ndërkombëtare përmes pajisjeve të teknologjisë së fundit të vitit 2024 dhe ideve zhvilluese të pronarit Fiqiri Hysa mund të trokisni pa droje duke gjetur çmim dhe cilësi.
Pranë Rinisa Glass realizohen pasqyra makine, kabina dushi, porta xhami, temperim, logo mbi xham, pasqyra parukerie , tualeti etj.
Mund te kontaktoni ne Facebook dhe Instagram për çdo porosi si dhe në numrat:
068 20 50 677
068 21 50 677
068 663 8527
Ballina Aktualitet PROFIL/Fiqiri Hysa, ish-mësuesi sot histori suksesi në biznes. RINISA Glass, vendi ku...