Euro 2024 është lënë pas krahëve dhe tani Kombëtarja shqiptare do të fokusohet te ndeshjet e Ligës së Kombeve, eveniment i cili nis në shtator dhe në të cilin kuqezinjtë marrin përsëri pjesë në Ligën B, ku janë vendosur në një grup me Ukrainën, Çekinë dhe Gjeorgjinë.
Sipas kalendari të paracaktuar nga UEFA, ndeshja e parë është ndaj Ukrainës në transfertë, por kjo e fundit nuk zhvillon ndeshjet në fushën e saj për shkak të luftës. Më përpara Ukraina ka luajtur ndeshjet kryesisht në Poloni, por këtë radhë është gjetur akordi dhe ajo do të luajë si pritëse në “Epet Arena” të Pragës.
Kësisoj, më 7 shtator, Shqipëria do të luajë në Pragë ndeshjen e saj të parë të turneut kundër Ukrainës, në një stadium ku do të kthehet të luajë edhe më 11 tetor, këtë radhë përballë Çekisë vendase. Ndërkohë ndeshja e tretë në transfertë për Shqipërinë do të jetë më 14 tetor në stadiumin “Mikheil Meskhi I Stadium” në Tbilisi të Gjeorgjisë.