Sektori vijoi rritjen edhe në tremujorin e dytë të këtij viti.
Sipas të dhënave të paaudituara të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, totali i aktiveve dhe portofoli i kredisë së sektorit u zgjerua më tej, ndërsa të gjitha bankat e mbyllën gjysmën e parë të këtij viti me rezultat financiar me fitim.
Totali i aktiveve në fund të muajit qershor arriti në 2 trilion lekë, në rritje me rreth 33 miliard lekë që nga fillimi i vitit. Me bazë vjetore, rritje e totalit të aktiveve të sektorit arriti në 7.3%, nga 6.1% që kishte qenë rritja në fund të tremujorit të parë.
Banka më e madhe për nga vlera e aseteve vazhdon të jetë Banka Kombëtare Tregtare (BKT), me 24.6% të tregut, e ndjekur nga Credins Bank, me 16.2%, Raiffeisen Bank, me 14.8%, Intesa Sanpaolo, me 10.5%, OTP Albania, me 9.1%, Tirana Bank, me 7%, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), me 6.8%, Union Bank, me 5.1%, Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me 2.9%, ProCredit Bank me 2.2% dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 1%.
Bankat që e kanë rritur peshën e tyre të tregut krahasuar me një vit më parë janë Tirana Bank, Credins Bank, UBA, Fibank dhe Union Bank. Rënia të peshës së tregut në 12 muajt e fundit regjistrojnë Raiffeisen, BKT, Abi Bank, OTP Albania dhe Intesa Sanpaolo, ndërsa ProCredit Bank ruan të njëjtën peshë tregu sa një vit më parë.
Portofoli i kredisë në fund të qershorit arriti vlerën e 739 miliardë lekëve, në rritje me 7.5% që nga fillimi i vitit 2024 dhe në rritje me 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu i kredisë vazhdon të kryesohet nga Credins Bank, me 19.1% të porotofolit total të sektorit, e ndjekur nga Raiffeisen Bank, me 15.4%, BKT, me 12.8%, OTP Albania, me 12.6%, Tirana Bank, me 9%, ABI Bank, me 8%, Intesa Sanpaolo, me 7%, Union Bank, me 6.4%, Fibank dhe ProCredit Bank, me 4% dhe UBA, me 1.8%.
Krahasuar me një vit më parë, Tirana Bank, ABI Bank dhe UBA kanë arritur një zgjerim të shpejtë në tregun e kredisë, ndërsaa një rritje më të vogël kanë regjistruar edhe Union Bank, BKT, Fibank dhe ProCredit Bank. Ndërkohë, Credins, Raiffeisen, OTP dhe Intesa Sanapaolo kanë humbur terren krahasuar me një vit më parë.
Shifrat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se të gjitha bankat e kanë mbyllur gjashtëmujorin e parë të vitit me fitim. Në total, sektori raportoi një fitim neto prej 19.3 miliard lekësh, në rritje me 31% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Në vlerë absolute, BKT raportoi fitimin më të lartë, me mbi 4.7 miliard lekë, e ndjekur nga Raiffeisen, me afërsisht 4.4 miliardë lek dhe OTP Albania, me 2.6 miliard lekë.
Në terma të kthimit nga kapitali aksioner (mesatarizuar me bazë vjetore), banka me përfitueshmërinë më të lartë ishte Raiffeisen, me 29.47%, e ndjekur nga ABI Bank, me 27.11%,
Fibank, me 25.05%, OTP Albania, me 23.82%, Union Bank, me 22.87%, Tirana Bank, me 20.87%, BKT, me 19.71%, Intesa Sanpaolo, me 15.42%, Credins Bank, me 10.35%, UBA, me 5.48% dhe ProCredit Bank, me 4.83%. /Monitor