Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vlorë, ku një grua është dhunuar barbarisht nga i shoqi i saj, aq sa ka ndërruar jetë në spital.
Viktima është 64-vjeçarja Hati Deliaj, e cila u vra nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar, Ëngjëllush Deliaj.
Viktima, e cila ishte shtruar në spital mbrëmë, kishte nofulla të thyera dhe shenja të tjera të dhunës nga i shoqi.
Pavarësisht se iu dha ndihma e parë nga mjekët në spitalin e Vlorës, e moshuara nuk u mbijetoi dot plagëve të marra dhe mbylli sytë përgjithmonë.
“Shiko si e ka katandisur. E ka mbajtur të izoluar dhe dhunuar. Nofulla është e thyer, në sy dhe në grykë ka të nxira nga dhuna,”-i shkruan JOQ një qytetare që me shumë gjasa ka kaluar mbrëmjen me të ndjerën në spital.
Por kjo nuk ka qenë hera e parë që Hati dhunohej nga i shoqi. Gjatë pandemisë Hati ishte shtruar për një muaj në një qendër për rehabilitimin e grave të dhunuara në periferi të Torinos.
Por pas një periudhe të gjatë larg tij dhe premtimeve se nuk do ta dhunonte më, e ndjera i kishte dhënë një mundësi të dytë, pa e ditur që kështu do të firmoste “kontratën” e vdekjes. Dhuna ndaj saj kishte vazhduar…
Gjatë këtij viti, 64-vjeçarja kishte vuajtur nga probleme me mushkëritë dhe kishte kërkuar ndihmën e familjarëve të saj, të cilët e kishin dërguar në spitalin turk të Fierit për t’i shpëtuar jetën, kjo pasi i shoqi kishte refuzuar që ta ndihmonte të mjekohej.
Pas trajtimit në Fier, ajo kishte filluar të përmirësohej, ndërsa tre muajt e fundit, ai i kishte ndërprerë çdo marrëdhënie me familjarët e saj dhe kishte refuzuar t’i lejonte ata në shtëpi.
Kontaktin e parë pas 3 muajsh me familjarët e gruas, Ëngjëllushi e pati vetëm për t’i njoftuar se e shoqja po i vdiste në duar.
Ai kishte telefonuar një kushërirë të gruas për gjendjen, ndërsa kur u telefonua nga njëra prej motrave të gruas, e cila e kërcënoi se do të njoftonte Policinë, ai më në fund u bind duke njoftuar ambulancën.
Por ishte tepër vonë për Hatin!
Çifti nuk kishin fëmijë, por 70-vjeçari ka tre djem nga martesa e tij e parë me një tjetër grua, e cila edhe kjo e fundit ka vdekur.
Pas disa viteve që jetonin në Itali kishin vendosur që të ktheheshin në Shqipëri, ku e moshuara do të gjente vdekjen.