Nga Abdulla Diku
Shqipëria futet ndër vendet Evropiane më të pasura me burime ujore. Por si i menaxhojmë ato?
Pak ditë më parë, revista e mirënjohur “FORBES” publikoi një lajm mbi cilësinë e ujërave në Evropë, ku pjesë e rezultateve ishin edhe ujërat e Shqipërisë.
Forbes bën tre klaisifikime të cilësisë së ujërave;
a. Ujërat bregdetare. Këtu rezulton se Shqipëria me 113 trupa ujore ka bregdetin më të ndotur, ku cilësia ujrave është vetëm 41.6%, teksa Kroacia ka cilësinë më të mirë me 99.1%.
b. Ujërat e brendshëm. Edhe këtu, Shqipëria me 6 trupa ujore të brendshëm (ose 6 pellgje ujëmbledhëse), ka nivelin më të ulët të cilësisë me 33.3%. Vendet me cilësinë më të mirë të ujërave të tillë janë; Bullgaria, Greqia, Irlanda dhe Rumania me 100%.
c. Klasifikimi i përgjithshëm. Sërish jemi të fundit këtu, me 41.2%, ku në krye të listës është Qipro me 97.6%.
Përse kjo gjendje e tillë për ujërat tona?
Problemi shtrihet në katër dimensione tek ne:
1. Mbetjet që kanë pushtuar çdo vend e çdo skutë të Atëdheut. Tashmë të duhet të mendohesh mirë nëse don të vizitosh një vend ku të mos gjesh mbeturina. Edhe në majat më të larta të maleve tona, majën e Korabit dhe atë të Jezercës nuk është e vështirë të pikasësh mbeturina të lëna aty nga vizitorët. Sa më shumë të zbresësh aq më shumë mbetje ka nëpër tokë, përrenj, shpella, lumenj e liqene. Kjo pasi nëpër fshatra mungojnë kazanët e mbeturinave. Mbetjet derdhen nëpër përrenj e shpate, dhe sapo vjen shiu i parë i çon ato nëpër lumenj e liqene. Në fund përfundojnë në det. Duke përshkruar këtë rrugë, mbetjet ndosin gjithkund. Ndosin tokën ku hidhen me shpresën se shiu do i marrë sa më shpejt, ndosin përroin dhe lumin, ndosin liqenin dhe në fund detin. Madje, mbeturinat tona prej vitesh kanë shqetësuar Malin e Zi, Kroacinë dhe Italinë, pasi përveçse kanë përshkuar trojet tona, kan kaptuar dhe Detin Adriatik.
2. Ujërat e zeza që derdhen në lumenj e liqene pa asnjë lloj trajtimj e përpunimi paraprak. Në Shqipëri, roli kryesor i lumenjëve është kthyer të jetë ai i ‘kolektorit’ të ujrave të zeza. Nuk kemi asnjë bashki që të ketë një sistem përpunimi të ujrave të zeza, ndaj ato derdhen ashtu, krejt të pa trajtuar, duke ndotur menjëherë lumin dhe tokën që përshkojnë. Ky është një proçes ndotje i përditshëm, e ku për çdo vit vjen vetëm duke u shtuar. Në Pogradec ka një sistem të trajtimit të ujrave të zeza përpara se ato të derdhen në liqen, por ai sistem mbahet i fikur më së shumti, sepse ‘konsumon shumë energji’, ndaj dhe liqeni i Pogradecit ndotet njëlloj si kudo tjetër.
3. Ndotja difuze e tokës, prej kimikateve që përdoren në bujqësi. Përdorimi i pakontrolluar i pesticideve, plehrave kimike dhe herbicideve, pasi lënë gjurmët e tyre direkte në produktet që ne konsumojmë, depozitohen në tokë dhe më tej shpëlahen prej ujërave dhe levizin gradualisht drejt trupave ujore në afërsi (laguna, liqene, lumenj) dhe më tej, përfundojnë në det. Duke mos patur apo zbatuar standarte të cilësisë së tokës dhe produkteve, si dhe duke patur maninë për të prodhuar sa më shumë, sasia e kimikateve të tilla ka ardhur gjithnjë duke u shtuar. Dhe kjo len një gjurmë të konsiderueshme të ndotjes, veçanërisht në zona me bujqësi paksa më intensive siç është psh. Ultësira Perëndimore e vendit apo Fusha e Korçës.
4. Erozioni dhe degradimi i tokës prej zjarreve dhe prerjes së pyjeve. Për shkak të djegies dhe prerjes së pyjeve, Shqipëria paraqitet si vendi me nivelin më të lartë të erozionit në Evropë. Thënë më saktë, erozioni në Shqipëri është rreth 12 herë më i madh se mesatarja e vendeve të BE-së. Praktikisht, për çdo vit, Shqipërisë i humbet një shtresë aktive të tokës me trashësi 3 mm. Natyrës i duhen rreth 200 vjet për ta krijuar atë shtresë toke, përmes proçeseve tokëformuese. Erozioni dhe degradimi i tokës bën që niveli i grimcave të dheut dhe të argjilës në trupat ujore të jetë e lartë. Kjo, jo vetëm se e rrit artificalisht volumin e ujit (që shfaqet në rastin e përmbytjeve), krijon edhe turbillirë në ujë, gjë që ul ndjeshëm cilësinë e tij.
Përse nuk duhet të suprizohemi nga Forbes?
Sa kohë që masat e duhura për ruajtjen e cilësisë së ujërave nuk zbatohen, rezultati i tillë do jetë.
Sa kohë që mbetjet nuk do menaxhohen sipas direktivës së BE-së, rezultati i cilësisë së ujrave i tillë do jetë.
Sa kohë që monitorimini aktiviteteve në bujqësi nuk do behet, ujërat do vazhdojnë të ndoten.
Sa kohë që nuk shtojmë sipërfaqet e gjelbëruara me pyje, ujëra të ndotura do kemi, gjithnjë e më shumë.
Varet pra, se çfar do bëjmë ne!
Siç thotë dhe Forbes “Uji i pastër për not, nuk është vetëm një çështje estetike – është gjithashtu një aspekt thelbësor i shëndetit publik dhe ruajtjes së mjedisit”.
Punët për përmirësimin e cilësisë së ujërave, bëhen në duke kufizuar burimet e ndotjes e duke ndërmarrë masa zbutëse për to.
Mirëpo, rritja e numrit te vizitorëve ka rritur edhe më shumë ndotjen e ujërave tona. Nëse jemi në atë renditie me 3 milion banorë, imagjinoni se ku do shkojmë me 20 milionë vizitorët që presim të vijnë!