BallinaEkonomiShpenzimet e sektorit bankar për interesa u rritën me 45% në gjysmën...

Shpenzimet e sektorit bankar për interesa u rritën me 45% në gjysmën e parë të vitit

spot_img
spot_img

Shpenzimet e sektorit bankar për interesa u rritën me ritme të shpejtë në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet për interesa arritën shumën e 9.1 miliard lekëve, në rritje me 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithëse Banka e Shqipërisë vitin e kaluar e ngadalësoi rritjen e normave të interesit, sërish bankat po paguajnë më shumë për interesat.

Një arsye duket të jetë rritja me ritme shumë të shpejta të kredisë në monedhën vendase, që ka rritur oreksin e bankave për më shumë fonde në lekë. Për gjashtëmujorin e parë të vitit, kredia në lekë është rritur me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në lekë që prej muajt shkurt e në vazhdim ka qëndruar sipër nivelit të 2%. Në maj, depozitat e reja në lekë u pranuan me një normë mesatare interesi prej 2.09%.

Interesi mesatar i depozitave është rritur me rreth gjysmë pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Në maj 2023, norma mesatare e interesit për depozitat e reja kishte qenë 1.56%.

Totali i depozitave të sektorit në fund të muajit qershor arriti në 1.61 trilion lekë, me një rritje vjetore prej 7%.

Një faktor dytësor që po ndikon në rritjen e shpenzimeve për interesa është edhe përdorimi gjithnjë e më i madh nga bankat tregtare i instrumenteve të borxhit të njohura si pjesë e kapitalit rregullator.

Përdorimi i këtyre instrumenteve bëhet me qëllim përmbushjen e shtesave makroprudenciale të kapitalit, si dhe kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL). Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e këtyre instrumenteve financiare në mesin e vitit 2024 arriti në 14.2 miliard lekë, 83% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Këto obligacioneve emetohen me norma interesi (yield-e) ndjeshëm më të larta krahasuar me normat e interesit të depozitave, veçanërisht në rastin e instrumenteve të borxhit të varur, që teknikisht paraqesin rrezik më të lartë për investitorin.

Në muajin korrik, Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normë bazë të interesit për herë të parë që nga viti 2020, nga 3.25% në 3%.

Por, edhe nëse ulja e normave të interesit do të vazhdojë, pritet që ajo të reflektohet më shpejt në krahun e aktiveve të bilancit të sektorit bankar, se sa në atë të detyrimeve. Në këto kushte, mund të pritet që përfitueshmëria e sektorit bankar të pësojë një lloj korrektimi nga nivelet e larta të viteve të fundit.

Sidoqoftë, deri tani, rritja e shpenzimeve për interesa nuk ka arritur ende të frenojë rritjen e fitimeve të sektorit bankar. Të ardhurat nga interesat kanë vazhduar rritjen, të mbështetura nga zgjerimi i bazës së aktiveve dhe nga rritja e normave të interesit për euron në tregjet europiane.

Të ardhurat bruto nga interesat arritën vlerën e 46.5 miliard lekëve, në rritje me 19% me bazë vjetore.

Ndërsa të ardhurat neto nga interesat (të ardhura minus shpenzime për interesa) për gjashtëmujorin e parë të vitit arritën vlerën e 37.4 miliard lekëve, në rritje me më pak se 13% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Veç rritjes së të ardhurave neto nga interesat, performanca e sektorit po ndikohet pozitivisht edhe nga rritja në zërin e të ardhurave të tjera, jo nga interesat, por edhe nga rënia e shpenzimeve për provigjione.

I matur sipas standardeve lokale të raportimit, fitimi neto i sektorit bankar për gjysmën e parë të vitit 2024 arriti vlerën e 18.6 miliard lekëve, në rritje me 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./E.Shehu/Monitor

Burimi: BSH
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular