Reperi i njohur Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi ka reaguar nga arratia në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pejë, ku u dhunua personazhi i TikTok, Medi Iseni.
Në një intervistë për mediat në Kosovë reperi shprehet se ndodhet rreth 300 km larg Tiranës, në gjendje të mirë shëndetësore.
Stresi thotë se është i pafajshëm në këtë ngjarje bashkë me Noizy-n dhe DJ Crax, ndërsa thekson se po pret përfundimin e procesit.
“Aktualisht ndodhem 300 km larg Tiranës. Jam shumë mirë, por pres shqyrtimin si do shkojë kjo çështje. Kam pasur ndërmend të dorëzohem, por duke parë rrjedhën e çështjes, sic i ndodhi vëllait tonë Noizyt, e kam menduar se është diçka padrejtësisht. Nuk besoj se drejtësia matet me fjalët e dikujt. Po pres si do shkojë procesi dhe do vijë dita që do dal i pafajshëm dhe do dorëzohem. Nuk kam pasur kontakt me Noizyn, sepse është në paraburgim. Por kam takuar familjarët e tij, shok dhe miq dhe më kanë thënë që është mirë”, ka deklaruar Stresi.
Vendimin për të ekstraduar Noizy-n reperi e quan absurd dhe një gjë që nuk do të ndodhë pasi çështja do të përfundojë në Shqipëri.
“Normal që refuzon të ekstradohet në Kosovë, sepse është bërë diçka komplet gabimisht. Nuk mendoj se do ekstradohet sepse cështja do zgjidhet në Shqipëri”, tha ai.
Noizy së bashku me mikun e tij Bahtjar Bajraktari i njohur si DJ Crax u arrestuan në Shëngjin pasi akuzohen se bashkë me disa persona të tjerë kanë dhunuar në një lokal në Pejë Muhamet Isenin, një personazh i njohur në Tik-Tok.