BallinaSocialeSi mund ta dijë një drejtues se kur duhet të largohet? Sa...

Si mund ta dijë një drejtues se kur duhet të largohet? Sa gjatë duhet të qëndrojnë shefat në post

spot_img
spot_img

Shefat shpesh e gjykojnë gabim se sa gjatë duhet të qëndrojnë në post, shkruan The Economis

Të vendosësh të japësh dorëheqjen, është një vendim relativisht i thjeshtë në fillim të një karriere.

Nëse e shihni mundësinë për të shkuar në punë të hënën në mëngjes, më dëshpëruese se një film të Lars von Trier, atëherë është koha për t’u larguar.

Nëse nuk keni asgjë të re për të mësuar në punën e tanishme, ndoshta duhet të shfrytëzoni më shumë mundësi gjetiu.

Por të dish se kur të heqësh dorë, është më pak e lehtë atëherë kur je në një rol që tashmë të jep shumë status, risi dhe qëllim. Dhe të braktisësh një punë, është veçanërisht e vështirë kur mund të jetë puna e fundit e madhe që ke.

Ajo që është e vërtetë për presidentët amerikanë, është e vërtetë edhe për drejtuesit e kompanive. Bob Iger e ka kthyer në një formë arti mospranimin për t’u larguar nga kompania e njohur Disney.

Mënyra më e sigurt për të ditur se nuk do ta pasosh Jamie Dimon në Bankën JPMorgan Chase, është duke u caktuar si pasardhësi i tij. Të dy drejtuesit, si ai i Disney-t dhe i Bankës JP Morgan Chase, janë shumë të zotët dhe kompanitë e tyre kanë arsye për t’i mbajtur.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për shefin e kompanisë Boeing, Dave Calhoun, i cili do ta drejtojë atë deri në fund të vitit, pavarësisht dëmit të madh që ka pësuar reputacioni i saj gjatë drejtimit të tij.

(Zoti Calhoun duhej të ishte larguar me vite më parë, por firma rriti moshën e detyrueshme të daljes në pension, për ta lejuar atë të qëndronte).

Nxitjet për të qëndruar për drejtuesit e kompanive dhe drejtues të tjerë, janë së pari materiale: ata kanë në dispozicion asistentë, shoferë, avionë privatë dhe shumë lehtësi të tjera.

Nxitjet janë gjithashtu edhe psikologjike. Njerëzit që arrijnë majat e karrierave, zakonisht kanë ego të madhe. Ideja se dikush tjetër mund ta bëjë më mirë punën, mund të jetë e vështirë për t’u pranuar.

Michael Watkins, profesor në universitetin IMD Business School në Zvicër, e quan këtë “iluzioni i domosdoshmërisë”. Gjithashtu, ideja e daljes në pension mund të jetë e tmerrshme.

Një javë je duke bërë një udhëtim në Davos për të takuar udhëheqësit më të rëndësishme të botës, ndërsa javën tjetër ndodhesh papritur përpara raftit të kuzhinës, duke sistemuar erëzat.

Ka disa studime që mund t’i ndihmojnë shefat të vendosin se për sa kohë duhet të qëndrojnë në një rol.

Një studim nga Francois Brochet dhe bashkautorët e tij në Universitetin e Bostonit, shqyrtoi marrëdhënien midis mandatit të drejtorit dhe vlerës së një firme, për të zbuluar një kohëzgjatje optimale të qëndrimit në detyrë.

Ata zbuluan se vlera e kompanisë fillonte të binte pasi një shef kishte qëndruar në krye për 14 vjet. Sigurisht, ka shumë dallime midis drejtuesve, firmave dhe industrive dhe prandaj një udhëzues i tillë nuk është shumë i dobishëm. Shumë drejtues shkarkohen më shpejt se kaq.

Sidoqoftë, studiuesit zbuluan një të dhënë të rëndësishme. Ata vërejtën se lakorja e performancës së një kompanie merrte formën e një gunge.

Kjo nënkupton se gjërat përmirësohen me kalimin e kohës, ndërsa shefat ia marrin dorën rolit të tyre, por përfitimet veniten pasi këta drejtues bëhen të fiksuar me mënyrat e tyre dhe grumbullojnë më shumë pushtet. Lakore me gunga të ngjashme janë vërejtur edhe në matjen e performancës së ekipeve të basketbollit të kolegjeve.

Ndryshimet e rrethanave mund të shkurtojnë kohëzgjatjen e pikut të performancës.

Një hulumtim i veçantë nga Bradley Hendricks në Universitetin e Karolinës së Veriut dhe Travis Howell në Universitetin e Kalifornisë tregon se firmat e udhëhequra nga themelues që janë edhe shefa, kanë një çmim të lartë vlerësimi kur listohen fillimisht në tregjet publike, por kjo epërsi zhduket brenda tre viteve, me evoluimin e kërkesave të punës së shefit.

Nëse drejtuesit e gjykojnë gabim se kur duhet të largohen, atëherë çfarë mund të bëhet? Ka mjete të ndryshme, nga moshat e detyrueshme të pensionit, deri te kufijtë e qartë të afatit të punës.

Por rregullat e rrepta kanë gjithashtu të meta. Në kohën kur u kërkohet që të lënë detyrën, shefat mund të jenë duke iu afruar kulmit, jo ta kenë kaluar atë.

Drejtuesit që po i afrohen fundit të mandatit të tyre, rrezikojnë të shihen si njerëz pa pushtet, thotë zoti Watkins. Dhe vetëdija se fundi është afër, mund të ndryshojë sjelljen e një shefi në mënyra të padobishme.

Studimi nga Sam Yul Cho në Universitetin Shtetëror Oregon dhe Kim Sang Kyun në Universitetin Sungkyunkwan në Korenë e Jugut, tregon se kompanitë e drejtuara nga shefat me “horizont të shkurtër karriere”, arrijnë më pak risi.

Një tjetër studim nga Dirk Jenter në Universitetin London School of Economics dhe Katharina Lewellen në Universitetin Tuck School, zbuloi se gjasat që një firmë të blihej nga një tjetër, rriteshin kur një shef ishte në moshën e pensionit.

Drejtuesit e firmave që janë vënë në shënjestër për t’u blerë, shpesh humbasin punën. Kjo është më pak shqetësuese kur një karrierë po mbyllet.

Pra, rregullat e ngurta, nuk janë mbrojtja më e mirë kundër njerëzve që e tejkalojnë afatin në detyrë. Më të rëndësishme janë kufizimet institucionale të pushtetit të një shefi.

Po ashtu është e rëndësishme edhe që një bord të jetë i pavarur dhe që drejtuesit të jenë të vetëdijshëm se të gjithëve u vjen koha për të lënë vendin e punës.

Një nga pyetjet e para për t’i bërë një punonjësi të mundshëm në një post të lartë, është se sa kohë ata mendojnë se duhet të qëndrojnë në punë./Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular