Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se ka firmosur marrëveshjen me Radio Televizionin Shqiptar, që do të transmetojë për tre sezonet e ardhshme kampionatin Kategoria Superiore, duke përfshirë edhe Final 4, Kategorinë e Parë, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën e Shqipërisë.
Pas hapjes së procedurave për shitjen e të drejtës TV të kompeticioneve kombëtare të futbollit, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit shqyrtoi propozimet e operatorëve kombëtarë dhe pas diskutimeve shpalli fituese ofertën e ardhur nga RTSH.
Sipas marrëveshjes, RTSH merr të drejtën televizive për sezonet 2024/25; 2025/26; 2026/27 të kompeticioneve kombëtare për territorin e Shqipërisë dhe Kosovës.
Kampionati i Kategorisë Superiore do të ngrejë siparin e edicionit të 86-të më 18 gusht, ndërsa Kategoria e Parë do të nisë më 24 gusht.
PANORAMASPORT.AL