BallinaAktualitetNesër Italia merr në dorëzim kampin e emigrantëve në Gjadër! Policëve u...

Nesër Italia merr në dorëzim kampin e emigrantëve në Gjadër! Policëve u është dorëzuar një listë me këshilla se si duhet të sillen në Shqipëri, në përputhje me traditat e vendasve

spot_img
spot_img

Kampi i pritjes së emigrantëve është gati që të hapë dyert për të pritur të martën më datë 20 gusht kontingjentin e parë të forcave të policisë italiane, që do të garantojnë sigurinë në qendrat e ngritura në Gjadër e Shëngjin.

Këtyre efektivëve të policisë u është dorëzuar mes të tjerave edhe një listë me këshilla se si duhet të sillen në Shqipëri në përputhje me traditat e vendësve. Në këtë zonë pritjeje të vendosur brenda portit të Shëngjinit në një hapësirë prej 4 mijë metrash, në Gjadër, rreth 30 kilometra larg Shëngjinit do të përpunohen të gjitha kërkesat për azil.

Emigrantëve të cilëve do t’u refuzohet kjo kërkesë, do të riatdhesohen. Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja Parlamentet, ndërsa në vendin tonë u kërkua edhe një aprovim i Gjykatës Kushtetuese. Në bazë të saj, në kampin e Gjadrit do të qëndrojnë jo më shumë se 3 mijë emigrantë të paligjshëm që do të kapen në ujërat ndërkombëtare.

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR), do të monitorojë tre muajt e parë të zbatimit të marrëveshjes. Agjencia tha do të këshillojë emigrantët për të drejtën e tyre për të kërkuar azil dhe do të sigurohet që procedurat që do të përdoren të jenë “në vijë me standardet ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut”.

Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatet nga territori shqiptar. Sipas marrëveshjes mes dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë, “Autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të migrantëve të strehuar në strukturat e përmendura në pikën 1, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian e evropian dhe për kohën rreptësisht të nevojshme për të.

Në rast se, për çdo arsye, e drejta e qëndrimit në struktura nuk gjen zbatim, pala italiane i transferon menjëherë migrantët nga territori shqiptar. Transferimet për dhe nga këto struktura janë përgjegjësi e autoriteteve kompetente italiane.

Hyrja e migrantëve në ujërat territoriale dhe në territorin e Republikës së Shqipërisë do të kryhet ekskluzivisht me mjetet e autoriteteve kompetente italiane. Në momentin e mbërritjes në territorin shqiptar, autoritetet kompetente të secilës prej palëve do të vijojnë veçmas me përmbushjen e kritereve të parashikuara nga dispozitat ligjore kombëtare përkatëse, si edhe duke iu përmbajtur kushteve të këtij protokolli. Shpenzimet për përshtatjen e një apo më shumë strukturave të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të migrantëve do të mbulohen tërësisht nga pala italiane”.

Pala italiane angazhohet të ndërtojë, gjithashtu, strukturat e dedikuara për personelin shqiptar, që do të ruajë perimetrin e jashtëm të zonave, në funksion të zbatimit të detyrimeve sipas pikës 2, të nenit 6, të këtij protokolli.

“Pala shqiptare lehtëson ofrimin e shërbimeve të nevojshme për funksionimin e strukturave të përmendura në aneksin 1, për të cilat do të zbatohen kushte jo më pak të favorshme se ato që zbatohen për struktura të ngjashme. Kostot e nevojshme për sigurimin e këtyre shërbimeve mbulohen tërësisht nga pala italiane. Shpenzimet e bëra nga pala italiane për ndërtimin e strukturave të përmendura në aneksin 1 përjashtohen nga taksat dhe detyrimet doganore indirekte.

Pala italiane nuk kërkon përjashtime nga taksat ose pagesat e tjera, pavarësisht se si janë të emërtuara, të cilat përfaqësojnë tarifa për përdorimin e shërbimeve publike. Në marrëveshjet citohets e për nevojat e ndërtimit e të menaxhimit të strukturave të përmendura në nenin 4, autoritetet kompetente të palës italiane përjashtohen nga kufizimet ose kontrollet e monedhës dhe mund të transferojnë lirisht monedha, pavarësisht parashikimeve të dispozitave në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Pala shqiptare angazhohet të lehtësojë kryerjen e praktikave doganore për materialet dhe pajisjet e kërkuara nga pala italiane, me qëllim realizimin e veprimtarive, sipas këtij protokolli”.

Autoritetet kompetente të palëve do të bashkëpunojnë për ruajtjen e sigurisë së zonave. Autoritetet kompetente të palës shqiptare sigurojnë ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në perimetrin e jashtëm të zonave dhe gjatë transportit tokësor drejt dhe nga të njëjtat zona, që kryhet në territorin shqiptar. “Autoritetet kompetente të palës italiane sigurojnë ruajtjen e rendit dhe të sigurisë brenda zonave. Autoritetet kompetente të palës shqiptare mund të hyjnë në zonë, me pëlqimin e shprehur të drejtuesit të strukturës. Përjashtimisht, autoritetet e palës shqiptare mund të hyjnë, duke njoftuar drejtuesin e strukturës së palës italiane, në rast zjarri, rreziku tjetër serioz dhe të afërt që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Për zbatimin e detyrave të ndërsjella që lidhen me sigurinë, secila palë ngre një njësi përgjegjëse për mbarëvajtjen, koordinimin dhe mbikëqyrjen e çështjeve të sigurisë. Autoritetet kompetente italiane do të marrin masat e nevojshme për të siguruar qëndrimin e migrantëve brenda zonave, duke mos lejuar daljen e paautorizuar të tyre në pjesën tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë, si gjatë kohëzgjatjes së procedurave administrative ashtu edhe në përfundim të tyre, cilido qoftë rezultati përfundimtar”, – thuhet në marrëveshjen dypalëshe.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular