Përfundon me sukses sfidën/ Eva Buzo përshkon me not brigjet nga Italia në Shqipëri për 35 orë

0
153

Sfidën që e la në mes vitin e kaluar, Eva Buzo e përfundoi sot. Notarja me profesion avokate kaloi brigjet detare nga Italia në Shqipëri për 35 orë e 17 minuta.

Eva Buzo përshkroi 92 km nga brigjet e Leces, ( San Focca) deri në Gadishullin e Karaburunit.

Një udhëtim i vështirë për avokaten me origjinë shqiptare pasi vitin e kaluar ndërpreu sfidën në mes për shkak të komplikacioneve, sot e përfundoi rrugëtimin e saj me sukses.

Ajo ka ndaluar shumë pak duke pirë ujë dhe udhëtimi ka qenë konstant. Nuk ka pasur asnjë problem gjatë udhëtimit prej 35 orësh. Në momentin e mbërritjes Eva nuk është në gjendje të flasë për shkak të kalcifikimit të gojës nga kripa. Ndërkohë raportohet se gjendja e saj është shumë e mirë.