ARBEN ÇEJKU
Më 30 gusht përfundon afati i diskutimit publik mbi Projektligjin e ri të Shërbimit të Jashtëm, të hartuar nga MEPJ, i cili, pavarësisht komenteve tona, pritet të miratohet në formën që është, në sesionin vjeshtor të Kuvendit, siç ka ndodhur edhe me ligjin në fuqi, që u miratua në vitin 2015. Ftesa e MEPJ për t’u konsultuar me publikun dhe për të marrë në konsideratë vërejtjet dhe sugjerimet e palëve të interesuara, vjen më shumë si kërkesë e Ligjit 164/ 2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, sesa si ftesë për gjithëpërfshirjen e ekspertëve brenda dhe jashtë këtij dikasteri. MEPJ, në fakt ka zbatuar vetëm një pjesë të vogël të këtij ligji, sepse bazuar në kërkesat e Nenit 2 – pika 4, Nenit 8 – pika b, Nenit 9 – pika c dhe Nenit 17 – pika 1, ajo duhet të kishte bërë pjesë të grupit të punës (qoftë edhe si pjesë këshilluese) të gjitha institucionet joqeveritare që merren me mbrojtjen e interesave të diplomatëve. Megjithatë, edhe kaq hapësirë dhe kjo formë komunikimi (publike) që ka mbetur deri në miratimin e këtij projektligji, mjafton për të dhënë disa vlerësime paraprake në dobi të korrigjimeve dhe gjithëpranimit të një ligji bashkëkohor për shërbimin e jashtëm.
Unë besoj se, edhe diplomatë të tjerë që janë brenda MEPJ kanë shprehur ose do të shprehin qëndrimet e tyre, pavarësisht kufizimeve që kanë. Ditëve në vijim, organizata e personalitete do të shprehin qëndrimet e tyre dhe do t’i takojë MEPJ-së dhe grupit të saj të punës (që ka hartuar draftin) të marrë në konsideratë këto opinione dhe mbi bazën e tyre të rishikojë disa pjesë të dokumentit të shpalosur për konsultim. Nëse vërejtjet, vlerësimet dhe sugjerimet publike do të konvergojnë në disa nga pikat kryesore të ligjit (që edhe unë do t’i cek më poshtë) dhe ato nuk do të merren fare në konsideratë nga MEPJ, atëherë do të duket e qartë që ky projekt nuk ka nisur “si një domosdoshmëri për rregullimin e disa problematikave të hasura nga aplikimi i ligjit aktual”, siç shprehet tani MEPJ, por ky akt synon legjitimimin e abuzimeve të deritanishme dhe shkeljen me ligj të disa parimeve juridike, institucionale dhe morale në shërbimin diplomatik. Por, për të mos e paragjykuar nismën, mund të them që në fillim se Ligji për Shërbimin e Jashtëm i vitit 2015 ka nevojë të ndryshojë dhe të korrigjohet në disa pika, të cilat kanë qenë edhe më të debatueshmet në kohën e miratimit të tij. Koha tregoi se ai nuk i përmbushi premtimet e nismëtarëve të këtij ndryshimi që premtuan “profesionalizmin” në vend të “politizimit.
Nuk e di se si ndjehet sot ish-ministri i asaj kohe, kur kolegu aktual thotë se zbatimi ka pasur probleme… Ligji i vitit 2015 jo vetëm nuk e depolitizoi dhe profesionalizoi diplomacinë tonë, por përkundrazi, nepotizmi, klientelizmi, militantizmi dhe nënshtrimi ndaj grupeve të ndryshme të interesit, la në hije dhe në minorancë elitën profesionale të kësaj ministrie. Edhe projektligji aktual, nëse kthehet nesër në ligj kështu siç është, nuk korrigjon asgjë nga problemet që ka sjellë ligji në raport me nevojën që ka kjo ministri për t’ua kthyer diplomacinë diplomatëve! MEPJ ka treguar mungesë vullneti për të korrigjuar ligjin e mëparshëm dhe për ta kthyer diplomacinë në shinat e saj. Megjithatë, le të përmendim si fillim disa përmirësime (risi) pozitive të këtij drafti, në raport me ligjin aktual. Ky draft ka avancuar në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të diplomatëve brenda sistemit, duke ngritur “Komisionin e Apelimit”, për vendimet që merr Komisioni i Karrierës Diplomatike dhe Disiplinës. Ka rritur moshën e trajtimit të fëmijëve të diplomatëve nga 18 në 23 vjeç dhe mbulon sigurimin shëndetësorë të familjarëve të diplomatëve, kur ata janë në udhëtim.
Emërimi i “koordinatorëve” të MEPJ-së në institucionet kryesore të vendit me një mandat 2-vjeçar. Qartësimin e kompetencave të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili tani është përgjegjës për administrimin e burimeve njerëzore dhe financiare në Shërbimin e Jashtëm. (Për ironi kërkohet të ketë njërin prej dy fakulteve –juridik ose ekonomik!) Përcaktimi më i qartë i fushës së veprimit dhe mbështetjes profesionale për Akademinë Diplomatike në MEPJ, e cila duhet të ndihmojë në trajnimin e diplomatëve të rinj dhe atyre që janë në detyra. I jepet më shumë qartësi dhe kompetencë “misionit të posaçëm”, si mekanizëm diplomatik. Po ashtu, ka një avancim në drejtim të pastrimit të radhëve nga njerëzit e ish-Sigurimit të Shtetit, sepse përveç bashkëpunëtorëve, në propozim përfshihen anëtarët dhe të favorizuarit e tjerë të këtij organi. Pra, në tërësi, grupi i punës, ka synuar të akomodojë disa nga problemet e përditshme të stafit të MEPJ-së, duke synuar rregullime edhe në dhënien e gradave dhe vlerësimin e meritokracisë. Rregullorja e Shërbimit të Jashtëm, e cila besoj do të pasojë këtë ligj të ri, do të ketë saktësime më të plota për çështjet e mësipërme dhe uroj që diplomatët shqiptarë dhe familjet e tyre të marrin vlerësimin dhe trajtimin e merituar, ashtu sikundër qytetarët meritojnë një shërbim diplomatik e konsullor akoma më të mirë. Tradicionalisht, problemet më serioze në shërbimin diplomatik nuk kanë ardhur nga brenda ministrisë – ato kanë qenë dhe janë rrjedhojë e diktimeve nga jashtë kësaj ministrie. Mazhoranca socialiste ka bërë Ligjin 9095, datë 3.7.2003 dhe Ligjin e vitit 2015.
Nëse Ligji i vitit 2003 do të kishte disa përmirësime që rregullojnë dinamikën e një shërbimi diplomatik modern, do të ishte mirë. Por, ndryshimet e vitit 2015 jo vetëm e shkëputën diplomacinë tonë nga tradita e organizimit dhe funksionimit të saj profesional, brenda disa kritereve kushtetuese dhe në përputhje me Konventën e Vjenës, por e dorëzuan atë tek paradhoma e ekzekutivit, tashmë edhe me ligj! Ekuilibri i shërbimit të jashtëm i rregulluar me ligjet e mëparshme u shemb dhe të gjitha kompetencat kaluan në dorën e kryeministrit, duke i lënë Presidentit vetëm penën për firmosjen e dekreteve. Madje, për herë të parë atij iu vu një ultimatum kohor prej 30 ditësh për të firmosur dekretin e ambasadorit. Pavarësisht se ambasadorët shkojnë në vendet pritëse me kredencialet e kreut të shtetit, në fakt, kredencialet reale janë nga Kryeministri, sepse Presidenti as nuk e pengon emërimin e as nuk e bën dot shkarkimin e një ambasadori. Ligji i ri që pritet të miratohet në Kuvend, jo vetëm nuk ka bërë asnjë korrigjim në krahasim me problemet që solli ai i vitit 2015, por përkundrazi çimenton më shumë fuqinë e ekzekutivit mbi atë të kreut të shtetit, kur është fjala për emërimin e ambasadorëve dhe hap plotësisht portat për prurje nepotike dhe politike në diplomaci.
Në njërën anë kemi “fuqizim” të Akademisë Diplomatike dhe në anën tjetër, hapet porta e madhe për pranime nga administrata jashtë MEPJsë. Me pak fjalë, kemi konsolidimin e Drejtorisë së Çokave, e cila vjen si trashëgimia më e keqe e ish-sistemit komunist, që diktonte emërimet në diplomaci nga klanet byroiste. Kjo traditë, në një farë mënyre vazhdoi edhe kur pushtetet u ndërruan, sepse klanet nepotike dhe lidhjet e vjetra, dolën se ishin më të forta se kriteret e meritokracisë dhe karrierës profesionale. BE ka kërkuar standarde për administratën publike dhe ne, siç shihet po i bëjmë ato në mënyrën tonë. MEPJ (ish-MPJ) është konsideruar shpesh si “vend pëllumbash” dhe si i tillë ky institucion nuk arriti kurrë të reformohet siç duhet, sepse askush nuk ka dashur të merret seriozisht me të.
“Reformat” janë bërë për të justifikuar largime dhe pranime arbitrare, sipas urdhrave politikë, por jo për të përmirësuar shërbimin diplomatik, i cili ka nevojë për më shumë vëmendje dhe konsensus. Diplomacia, policia, drejtësia, shërbimi sekret, sistemi bankar, janë disa nga sektorët ku politika duhet të kishte konsensus për të mos prekur thelbin e këtyre institucioneve dhe të shërbimeve që vijnë prej tyre. Mirëpo, për fat të keq, abuzimet dhe diktatet politike në këto fusha dhe të tjera, janë bërë të shoqëruara me “ligj dhe reformë”. Arbitrariteti duket më i pranueshëm, kur ai nuk “paketohet” me gjoja ligje reformuese. Pas 30 vitesh tranizcion, të gjithë e kemi të qartë falsitetin e gjithë atyre ligjeve, që u miratuan gjoja në emër të reformimit dhe produkti real i tyre qe deformimi. Edhe ligji që propozohet, më duket se është njëri prej tyre. Hartohet dhe vihet në qarkullim në muajin gusht – në kohën kur të gjithë janë me pushime dhe për të shmangur debatet reale rreth tij. Pastaj vjen shtatori i kartonëve parlamentarë dhe pas nja dy tre ditëve zhurmë nëpër studio televizive, ligji kalon dhe diplomacia “reformohet” akoma më shumë duke i ngjarë edhe më qartë zgjatimit politik të ekzekutivit.
Në ligjin e ri, Presidentit i hiqet jo vetëm mundësia për t’u menduar për kandidatët për ambasadorë, por ai as nuk arrin të lexojë opinionet e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, para se të hedhë firmën mbi dekrete. Aktualisht, kandidati për ambasador duhet që, para dekretimit, të dëgjohet në Kuvend. Në ligjin e ri që propozohet dhe në bazë të Nenit 32, pika 4, propozohet që “Pas emërimit nga Presidenti i Republikës, ambasadori paraqet platformën përkatëse në një seancë dëgjimore pranë Komisionit për Politikën e Jashtme”. Kjo pikë shkelmon edhe Presidencën edhe Kuvendin, sepse asnjëri institucion nuk pyetet – të dyja janë formale përballë kandidatit për ambasador. Edhe kërkesa e agrementit, krijon një situatë të paprecedentë, referuar pikës 5 të po këtij neni: “Në vijim të seancës dëgjimore, ministri i kërkon shtetit pritës dhënien e agrementit për ambasadorin”.
Deputetët nuk pyeten fare, siç nuk pyetet as presidenti, por këtu shtrohet një pyetje; çfarë ndodh nëse shteti pritës nuk e jep agrementin për arsyet e tij, ndërkohë që ti e ke dekretuar ambasadorin dhe e ke dërguar në një seancë fake në Parlament për të paraqitur platformën e tij të drejtimit e përfaqësimit në misionin diplomatik në vendin pritës? Kush e mban përgjegjësinë për diskreditimin publik të ambasadorit të dekretuar? Një absurditet tjetër, që sjell ky draft është vendosja e “ambasadorit” të ministrit në misionet diplomatike, ku ka ambasadorë të dekretuar nga Presidenti! Kjo “risi” e padëgjuar kërkon të legjitimohet nga Neni 37, pika 4, që thotë: “Në raste të veçanta, në përbërje të misionit diplomatik pranë organizatave ndërkombëtare, përveç ambasadorit të emëruar nga Presidenti i Republikës, ministri mund të emërojë diplomatë me gradën ‘Ambasador’, të cilët ushtrojnë funksione të kufizuara përfaqësimi, nën autoritetin e kreut të misionit diplomatik”. Pra, duke vendosur “dy kamberë në një derë”, ato historitë komike me sherre nëpër misionet tona do të tejkalojnë çdo parashikim. Deri tani ka ndodhur që, për shkak të lidhjeve të forta me “qendrën”, shumë shoferë dhe nëpunës të nivelit më të ulët, të jenë sjellë si ambasadorë dhe ambasadorët janë përdorur si “valet parking people”.
Pavarësisht debateve “konstruktive” apo “profesionale”, të cilat mund të shoqërojnë miratimin e këtij projektligji, para syve më dalin emrat e deputetëve, zyrtarëve dhe familjarëve të biznesmenëve dhe atyre që kanë nga një rezervat votash, që do të emërohen nëpër ambasada, qoftë si ambasadorë apo qoftë si “diplomatë” e “konsullorë”. Këtë të “drejtë” ua jep qeveria me ligj, me nenin 33, pika 2, që thotë se “Në raste të veçanta, bazuar në interesat e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë, ministri i propozon Kryeministrit kandidatura për kre të misionit diplomatik jashtë sistemit të karrierës diplomatike, personalitete të shquara në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të së drejtës, ekonomisë, kulturës, shkencës apo të shoqërisë civile, me lidhje ose marrëdhënie dobiprurëse me shtetin pritës” si dhe Neni 36, pika 3, që thotë se: “Kreu i postit konsullor mund të përzgjidhet edhe nga jashtë sistemit të karrierës diplomatike, sipas kërkesave për pranim në Shërbimin e Jashtëm të parashikuara në nenin 40 të këtij ligji”.
Në përmbyllje të këtij opinioni, shpreh keqardhjen që edhe pas 10 vitesh nga hartimi dhe miratimi militantesk i një ligji për shërbimin e jashtëm, nuk bëmë dot as 10 hapa para për ta korrigjuar atë, por përkundrazi po bëjmë edhe 100 hapa të tjerë pas, në raport me atë që kërkojnë qytetarët dhe diplomatët e karrierës. Janë edhe shumë pjesë të tjera të këtij projekt-ligji që duhen korrigjuar e përmirësuar, por së paku, këto që ceka më lart kërkojnë ndërhyrje urgjente për t’u ndryshuar – së paku kthehuni te Ligji 2003 që një tjetër mazhorancë socialiste e pati miratuar! Kthejani diplomacinë diplomatëve dhe hiqeni Drejtorinë e Qokave Diplomatike!
*Autori është anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë