Nga Gentian Gaba
Shqipërisë i ka ngelur ora. Çdo gjë ka ndryshuar në këto 34 vite, por në politikë çdo gjë ka mbetur ashtu siç nisi 34 vite më parë. Emrat i dini vetë, rezultatet politike po ashtu. Por çdo gjë ndryshoi në 9 shtator 2021. Një frakturë e imponuar sigurisht, si një ofertë që nuk mund të refuzohet sepse rrugët ishin vetëm dy. E para ishte ajo e mbrojtjes së verbër të interesit personal të Berishës, e cila e kthente PD në një garnizon në mbrojtje të ish-Kryeministrit, duke e lënë forcën e parë opozitare në Shqipëri në një opozitë të përjetshme. Një forcë politike mesazhi i vetëm i të cilës nuk është shërbimi ndaj njerëzve dhe ardhja në pushtet, por shërbimi ndaj të sanksionuarit non grata në betejën donkishoteske kundër mullinjve me erë. Në veçanti kur PD dhe Berisha kishin mbajtur qëndrime të forta dhe të qarta ndaj të sanksionuarve non grata në kampin e Ramës, duke e bërë edhe më hipokrite në sytë e shqiptarëve dhe partnerëve gjithë retorikën që vijoi nga Berisha te të tijët për standardet e dyfishta. Rruga tjetër ishte ajo e ndarjes së fatit të Berishës nga ai i PD. Diçka që Berisha në fakt duhet ta kishte bërë vetë, por që ia hodhi mbi supe demokratëve.
Një ndarje që nis me pezullimin e tij nga grupi parlamentar nga ana e Bashës, e që kishte vetëm një qëllim, kthimin e PD në një forcë fituese, me garanci se davaritja e hijeve të së shkuarës, do bënin që partnerët strategjikë të Shqipërisë të mos i jepnin indulgjenca Ramës për zgjatjen e duarve mbi zgjedhjet e radhës. E thjeshtë, e pastër dhe pa gabime, rruga e dytë ishte rruga më e mbarë për PD dhe Shqipërinë. Por jo më e mbara për Berishën, që nisi revanshin e tij, me ndihmën e Ramës, që si këmbët që i bien kokës, po mbajnë gjallë prej atëhere një përpjekje të ethshme për të penguar çdo ndryshim brenda rendit opozitar, sepse e kanë të qartë se këmbanat po bien për ta. Të lidhur ngushtësisht nga një fati i ngjashëm, ngritën në këmbë gjithë strukturat e tyre politike, mediatike dhe kriminale, për të shkallmuar PD dhe Bashën. Rama pa te Berisha pasqyrimin e asaj që e priste dhe e pret sapo gurët e dominosë të nisin rënien njëri pas tjetrit. Prandaj u investua përmes veglave të vogla e të mëdha që ka në dorë, të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me Berishën, për të sabotuar planet e SHBA, që përmes mekanizmit të sanksionimit të Departamentit të Shtetit dhe atij të Thesarit, e sigurisht përmes çlirimit të SPAK nga kontrolli i politikës, kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të nisin një rrugëtim për një lidership të ri drejtues për vendin.
Nën sulmet e ashpra, me media të devijuara nga lumenj parash të paligjshme, me trysni të stisur ndaj demokratëve dhe deputetëve, Rama dhe Berisha “fituan” dy betejat e para të kësaj përballje për mbijetesën e tyre. Fituan duke larguar Bashën në mars të 2022-shit, e cila u pasurua nga vendimi i Zhukrit, që në kulmin e monitorimit të partnerëve, vendosi të japë një vendim në favor të padronit të vjetër. Por “fitorja” e parë nuk zgjati shumë. Sepse diçka e lindur përmes mashtrimit nuk mund të çonte te e vërteta, por te humbja dhe kthimi i revolucionit në aneks të qeverisë Rama. Në Foltoret e tij Berisha u premtoi demokratëve fitore, por ka humbur 5 herë në 2 vite (6 mars, 14 maj, Kukës, Rrogozhinë, Himarë), duke i falur Ramës Shkodrën dhe gjithë bastionet e PD. Në Foltoret e tij Berisha u premtoi demokratëve demokratizim të PD, por e ktheu në një bastion të interesave të tij të ngushta, që voton siç do ai dhe ku bën hajër vetëm kush i shërben atij. Kështu ndodhi me katapultimet në kryesinë e rithemelimit, ku ata që lëpinë atë që pështynë u kontrabanduan në rangjet e larta të partisë së Berishës. Bye bye forume. Premtoi se do rrëzonte Ramën për 6 muaj, por atë histori e dini vetë tani. Premtoi se nuk do bënte marrëveshje me Ramën, por vetëm në publik ka 2 të tilla, amnistia dhe Kodi Zgjedhor.
Premtoi se do organizonte protesta më të fuqishme se ato të Bashës, për të cilin thoshte se bënte xhiro rreth kryeministrisë, por edhe këtë e dini vetë sepse i keni parë me sytë tuaj. Kjo “fitore” e parë u arkivua shpejtë, sepse ishte e pamundur të mos shihej me sy të lirë që me steroidet e Ramës, Berisha mund të qëndronte në këmbë, si gogol, por nuk mund të jetë fitues. Prandaj erdhi dhe “fitorja” e dytë, ajo e vendimit të Apelit, e cila i ktheu siglën Berishës përmes një vendimi skandaloz, i cili nuk trajtoi çështjen në themel, siç kërkonte Gjykata e Lartë. Një vendim që shkaktoi një debat të gjerë publik, në veçanti pas zbardhjes, që e legjitimon rekursin e PD të përfaqësuar nga Basha. Sidoqoftë, këto janë vetëm fitore taktike. Sigurisht me pasoja të rënda për vendin dhe PD, e cila është e drobitur nga goditjet e Ramës dhe Berishës që duan ta kthejnë në një farsë procesin e ardhshëm zgjedhor, por që nuk e cenojnë strategjinë për reformimin e politikës shqiptare përmes reformimit të opozitës të nisur në 9 shtator 2021. E cila mund të vonohet me taktika ballkanase, por nuk mund të pengohet, pasi perandoritë e kapin lepurin me qere.
Qëndrimi i SHBA pas vendimit të 11 qershorit nuk ka ndryshuar, siç dëshmon dhe përsëritja e mesazhit se ata nuk bashkëpunojnë me non gratat. Po ashtu domethënëse është dhe heshtja e të gjithë partnerëve, të cilët nuk përshëndetën dorëzimin e vulës të Berisha. Një izolim ndërkombëtar total, që dëmton opozitën që kërkon reformim, ndërsa nuk shqetëson aspak dyshen Rama-Berisha, që kërkojnë të mbijetojnë përmes politikës së tokës së djegur. Kundër-reforma Rama-Berisha, me aleancën e tyre të dalë tashmë në sipërfaqe, kërkon mbajtjen e satus quo-së. Nga frika e ndëshkimit, ata duan bllokimin e ndryshimit politik. Me deputetët e vendosur në rresht për një, dyshja e vjetër kreu dy akte publike përmes të cilave kërkojnë të tregojnë se pa ata nuk ka zgjidhje. Kjo ishte simbolika e bashkimit të turpshëm të votave për mbylljen e listave, si dhe lufta me policin e mirë (Rama) dhe policin e keq (Berisha) kundrejt SPAK, që do bëhet edhe më flagrante me sulmet që do t’i drejtohen Prokurorisë së Posaçme përmes bashkimit të deputetëve të Ramës e Berishës në komisionin Xhafa.
Përsëritja e etapave të mësipërme është e domosdoshme për të mos lejuar që propaganda me të cilën është përmbytur opinioni publik të shfokusojë nga origjina e ndarjes së madhe që ka pësuar politika, mbyllja e të cilës përkon me fundin e epopesë të simboleve të PD. Rekursi i paraqitur nga Basha në Gjykatën e Lartë ka hyrë me shpejtësi në procesin e zgjidhjes. Më shpejt sesa dikush parashikonte, sigurisht më herët sesa ç’pretendonin hilacakët që duan asgjësimin identitar të PD si forca e parë properëndimore e Shqipërisë. Në fakt trajtimi me fatalitet i vendimit skandaloz të Gjykatës së Apelit, si dhe nxitja nga media me agjendë pro-qeveritare të shpërbërjes së grupit që deri pak kohë më parë cilësohej si PD zyrtare, kishte vetëm një qëllim, pengimin e rekursit dhe faljen e gjësë së vjedhur dyshes Rama-Berisha.
Tani fjalën e ka Gjykata e Lartë, e cila ka përgjegjësinë të marrë me themel çështjen, duke lënë mënjanë presionet politike e duke i treguar shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që investimi në sistemin e drejtësisë ishte investim për ta çuar Shqipërinë përtej tranzicionit, jo për ta nisur nga e para. E nëse gjyqtarët do të jenë në lartësinë e detyrës duke respektuar ligjin, PD do të kthehet të jetë ajo që ka qenë gjithmonë, partia që lidhi Shqipërinë me perëndimin dhe shpresa e shqiptarëve për ndryshim. Kthimi i legjitimitetit te PD, ripërtërijta e saj, restaurimi i besimit të partnerëve ndërkombëtarë te PD, zhvendosja e vëmendjes së kësaj force politike nga halli i Berishës te hallet e njerëzve, bashkimi përmes vlerave me të gjithë ata që kërkojnë ndryshim e jo riciklim, janë shtegu nëpër të cilin është detyruar të ecë kjo forcë politike. Me kthimin e PD në shtratin e saj identitar, me shkëputjen nga e kaluara, me mbështetje të fuqishme të SPAK si mjeti për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, me program dhe vizion të qartë për të ardhmen, do të kthehet shumë shpejt në alternativën që qytetarët meritojnë në zgjedhjet e ardhshme.