Fitimi i kompanive nga sigurimi i detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (TPL) arriti një vlerë rekord vitin e kaluar.
Të dhënat e raportit të mbikëqyrjes nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se bilanci i llogarisë teknike për produktin e brendshëm TPL ishte pozitiv në vlerën e 1.6 miliard lekëve, me një rritje prej 130% krahasuar me vitin 2022.
Ky ishte fitimi më i lartë i të gjitha kohërave i raportuar për produktin në fjalë.
Efektin kryesor në rritjen e fitimeve nga sigurimi TPL e ka dhënë rritja e primeve të fituara neto, ulja e shpenzimeve të marrjes në sigurim, paralelisht me një rritje shumë të vogël të shpenzimeve për dëme të paguara. Primi i fituar neto vitin e kaluar arriti në 9.82 miliard lekë, në rritje me 7.7% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, një ndikim të rëndësishëm ka sjellë edhe ulja e shpenzimeve operative të lidhura me produktin. Ato zbritën në 4.7 miliard lekë, në rënie me 9% krahasuar me një vit më parë.
Megjithëse shpenzimet operative pësuan rënie, ato vazhdojnë të kenë një vlerë ndjeshëm më të lartë krahasuar me shpenzimet për dëme.
Shpenzimet për dëme shënuan një rritje të vogël vitin e kaluar. Dëmet e paguara bruto arritën në 3.38 miliard lekë, 3.4% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërsa dëmet e paguara neto (duke hequr pjesën e paguar nga risiguruesit) arritën në 2.91 miliard lekë. Në rritje me vetëm 0.9% krahasuar me një vit më parë. Raporti dëme-prime neto u rrit shumë lehtë në 36.14%, nga 36.06% që kishte qenë në vitin 2022.
Gjithnjë sipas të dhënave të AMF-së, edhe produkti tjetër i sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësi ndaj palëve të treta, kartoni jeshil, solli një rritje të fitimeve vitin e kaluar. Rezultati teknik nga ky produkt arriti në 455 milion lekë, me një rritje prej 43% krahasuar me një vit më parë.
Kartoni Jeshil apo Çertifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorrik mbulon të gjitha përgjegjësitë civile (dëmet materiale dhe shëndetësore), që mund të shkaktohen nga përdorimi i mjetit motorik jashtë vendit. Çdo drejtues i një mjeti me targa shqiptare duhet të pajiset detyrimisht me një policë sigurimi Karton Jeshil kur udhëton jashtë Shqipërisë.
Ndërkohë produkti tjetër i sigurimit të detyrueshëm motorik, sigurimi kufitar, vitin e kaluar solli fitime në vlerën e 197 milion lekëve, me një rënie të lehtë prej 3.4% krahasuar me një vit më parë.
Sigurimet e detyrueshme motorike kanë një peshë shumë të lartë në strukturën e primeve të shkruara bruto në sigurimet e Jo-Jetës. Për vitin 2023, sigurimi i brendshëm TPL, Kartoni Jeshil dhe Polica Kufitare përbënin pothuajse 67% të primeve të shkruara bruto të këtij tregu. Edhe fitimi i këtyre produkteve ka një rëndësi përcaktuese në ecurinë e rezultatit total të tregut.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në total fitimi i tregut të sigurimeve vitin e kaluar arriti vlerën e 2.76 miliard lekëve ose 266 milion eurove. Krahasuar me një vit më parë, fitimi i siguruesve shqiptarë është rritur me pothuajse 70%./Monitor