Në Turqi duket se nuk kanë më dyshime. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rei Manaj, nuk do të largohet nga Sivaspori. Ai ka vendosur të mbetet pjesë e klubit turk deri në fund të edicionit aktual. Kështu ka raportuar gazeta turke “Sok” së fundmi.
“Manaj ka njoftuar drejtuesit e klubit se është i lumtur në Turqi dhe Sivaspor dhe ka vendosur të mos transferohet në një klub tjetër të paktën këtë sezon”, shkruan gazeta turke.
Interesimi për Manajn ishte i madh pas paraqitjeve të mira me fanellën e Sivasporit, ku shënoi 22 gola në 39 ndeshje.
Sulmuesi lushnjar, iu bashkua Sivasporit në gusht të vitit të kaluar. Ai ka kontratë me klubin turk deri në vitin 2026.