Pas pretendimeve të ngritura nga familjarët e viktimës dhe një pjesë e opinionit publik Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me ngjarjen në Pogradec, ku u dhunua për vdekje 42-vjeçari Egli Proga. Avokati i Popullit shpreh shqetësim në lidhje me pretendimet e familjarëve se ngjarja është tentuar të fshihej nga policia.
Në njoftimin për mediat, institucioni në fjalë shprehet se ka nisur një hetim të plotë për të mbi veprimet dhe procedurat e ndjekura nga organet kompetente në këtë çështje, me qëllim zbardhjen e së vërtetës.
“Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, ku një qytetar humbi jetën në rrethana të dyshimta.
Në veçanti, Avokati i Popullit shpreh shqetësim për pretendimet e ngritura nga familjarët e viktimës dhe një pjesë e opinionit publik në Pogradec, lidhur me mundësinë e fshehjes apo manipulimit të ngjarjes nga strukturat e policisë lokale.
Avokati i Popullit, si institucion i pavarur kushtetues, jo vetëm ka për detyrë të mbrojmë të drejtat e njeriut por edhe të garantojë transparencë dhe drejtësi në çdo rast ku mund të jenë shkelur këto të drejta.
Përsa më sipër Avokati i Popullit njofton se ka nisur një verifikim të plotë mbi veprimet dhe procedurat e ndjekura nga organet kompetente në këtë çështje.
Ky verifikim do të synojë të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e ngjarjes, përfshirë edhe pretendimet për moszbardhjen e drejtë të situatës” – thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Ditën e sotme motra e Eglantin Proga është shprehur për mediat se kemi të bëjmë me vrasje në bashkëpunim. Ajo hodhi akuza në drejtim të policisë, duke thënë se efektivët kanë vepruar me vonesë.