I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha të enjten në Prishtinë se vendet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti Kosova dhe Serbia, duhet të jenë të gatshme për kompromise dhe koncesione jo të lehta në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Sarrazin tha se e vizitoi Kosovën të enjten dhe do t’i vizitojë vendet e tjera të rajonit për arritjen e rezultateve “konkrete” për njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe se për këtë nevojiten kompromise në prag të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 14 tetor në Gjermani.
“Por për këtë kemi nevojë për kompromise dhe nganjëherë madje edhe gatishmëri për koncesione për t’u pajtuar për çështje politike të cilat nuk janë lehta as për Serbinë e as për Kosovën. Ende nuk kemi arritur ku duhet”, tha Sarrazin për gazetarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Kosova dhe Serbia kanë shumë mospajtime dhe dialogu mes tyre për normalizimin e marrëdhënieve, i nisur qysh më 2011, ka ngecur në kohët e fundit dhe palët në vazhdimësi fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve ekzistuese apo për dështim të dialogut, ndërkaq BE-ja thotë se ka mungesë të vullnetit politik për zbatimin e marrëveshjeve.
Sarrazin theksoi se bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit, gjatë një takimi në Prishtinë, dhe se do të bisedojë edhe liderët e pesë vendeve të tjera të rajonit gjatë javës së ardhshme për bashkëpunimin rajonal.
“U kërkoj të gjithëve të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shprehur gatishmëri për kompromise në mënyrë që të arrihen rezultate për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, parasë dhe tregtisë në rajon për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian”, shtoi ai
Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ai është një nismë e ish-kancelares Angela Merkel të Gjermanisë në vitin 2014, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përafrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
Kjo nismë shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bosnjë e Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me BE-në.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Sarrazin u takua edhe me presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me liderët e partive opozitare, Memli Krasniqi e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës
Presidenca e Kosovës tha se Osmani dhe Sarrazin biseduan për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon, si dhe për Procesin e Berlinit.
“Me këtë rast, Presidentja ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces”, thuhet në njoftim.
Sarrazin u emërua në postin e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor në shkurt të vitit 2022. Prej atëherë, ai ka zhvilluar një sërë vizitash në Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit.
Ai ka qenë për herë të fundit në Kosovë, në majin e këtij viti.
Në qershor ka qenë ne Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka biseduar për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian./REL