Humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes pësuan rënie me 8.6% gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave kontributin më të madh në këtë rënie e ka dhënë ulja e humbjeve joteknike, ku futen vjedhjet e energjisë, që u ulën me 11.2% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023. Ndërkohë që, humbjet teknike në shpërndarje shënuan rënie me 7,5 %, në raport me periudhën prill – qershor të një viti më parë.
Reduktimi i humbjeve të energjisë që vijnë nga lidhjet e paligjshme përkon me rritjen e kontrolleve nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes për abuzime me energjinë elektrike tek subjekte të ndryshme në vend. Sipas OSSH, kontrollet janë kryer në kuadër të zbatimit të ligjit dhe luftës kundër informalitetit, teksa bazuar në analizat e riskut, gjatë periudhës deri në korrik janë ushtruar mbi 12 mijë kontrolle, tek subjektet që paraqesin mundësi abuzimi me energjinë elektrike. Nga këto kontrolle janë konstatuar vjedhje të energjisë elektrike në 32 subjekte, të cilat janë proceduar në polici për shkelje të ligjit të energjisë.
Në total në rrjetin elektrik, duke përfshirë linjat e transmetimit dhe shpërndarjs në periudhën prill – qershor 2024 humbjet në rrjet arritën vlerën 323 gWh. SCAN