Nga Bujar Leskaj
3 Shtator 1920 – 3 Shtator 2024, 104- vjet nga Lufta-epope e Vlorës!
Këtë vit , më 3 shtator 2022,përkujtojmë 104 vjetorin e Luftës së Vlorës, e cila është skalitur si një ngjarje historike me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe vendimtare për ekzistencën e shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e identitetit tonë.
Katër janë kulmet e historisë së shtetit shqiptar, të cilat ngjyrosin krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar: Pavarësia (28 Nëntor 1912), shpallur nga Babai i Kombit Ismail Qemal Vlora, Epopeja e Skënderbeut (1443-1468), Lidhja e Prizrenit (1878) dhe Lufta e Vlorës (1920).
Lufta e Vlorës zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës, por edhe Shqipërinë nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë.
Lufta e Vlorës ishte një ngjarje ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, të bazuar vetëm në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush.
Beteja për Vlorën (29 maj-3 shtator 1920) ishte një përballje krejt e pabarabartë e 4 mijë luftëtarëve shqiptarë të keqarmatosur, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por shumica lebër, të vetëorganizuar, pa mbështetje financiare dhe logjistike, me përjashtim të dashurisë dhe sakrificave të popullit të Vlorës, dhe mbi 22 mijë ushtarëve të rregullt, të armatosur deri në dhëmbë, të inkuadruar në dy divizione të një ushtrie ndër më modernet dhe të pajisurat e kohës, ushtrisë italiane.
Lufta e Vlorës ngërthen një ngjarje historike të rëndësisë madhore kombëtare, e cila u tregua vendimtare për ekzistencën e metejshme dhe pavarësinë e plotë të shtetit të ri shqiptar, të formuar tetë vite më parë, por të gjymtuar nga pasojat e Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 dhe vënë në pikëpyetje nga ushtritë që përshkuan territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, një pjesë e të cilave vijuan të qëndronin edhe pas përfundimit të kësaj Lufte.
Fitorja e Luftës së Vlorës festohet nga vlonjatët gjithmonë me po atë rëndësi që i jepet edhe 28 nëntorit 1912, pasi 3 shtatori 1920 është rishpallja e Pavarësisë Kombëtare të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore.
Në 2 shtator 1920 u liruan nga ishulli i Sazanit 1760 vlonjatë të internuar. Në këmbim të tyre u liruan edhe robërit italianë (rreth 1400 ushtarë dhe oficerë që mbaheshin në fshatin Vajzë e Tepelenë.)
Në 3 shtator 1920 u festua me madhështi fitorja e Luftës së Vlorës. Çeta e parë që hyri në Vlorë ishte Çeta e Velçës, çeta që kishte më shumë dëshmorë në këtë luftë.
Flamuri i fitores u ngrit po atë ditë, në 3 gusht mbi varrin e Ismail Qemalit, në Kaninë, nga një mysliman nga Jugu, major Ahmet Lepenica dhe një katolik nga Veriu At Shtjefën Gjeçovi.
Sot, në 102 vjetorin e Luftës së Vlorës, do të doja të kujtoja të gjithë ata trima të Labërisë, Vlorës e Shqipërisë, të cilët derdhën gjakun e nuk i rreshtën kurrë përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Do të doja të kujtoja të gjithë anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzaraj.
Do dëshiroja të kujtoja me nderim e respekt të veçantë kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare: Osmën Haxhiu, busti i të cilit, ndonëse me shumë vonesë u vendos vjet pranë bashkisë.
Por, siç me të drejtë shkruan edhe miku im, ish- kryetari i bashkisë së Vlorës, Gëzim Zilja sot do të doja të kujtoja me veneracion dhe Mehmet Selim Mallkeqin, i cili i dorëzoi komandës italiane ultimatumin e Luftës së Vlorës 1920. Për aktin e fortë të këtij luftëtari ne ende nuk kemi një përmendore në Vlorë.
Përmendorja e kapedan Sali Vranishtit, punuar mjeshtërisht nga skulptori i shquar Mumtaz Dhrami , financuar nga nipërit e tij,
ende nuk po vendoset në Vlorë!
Drejtuesit politikë dhe kapedanët e Luftës së Vlorës 1920 duhet të vendosen në Panteonin e Lirisë !
Kjo do/ duhet të ndodhë, sepse gjaku i luftëtarëve vlonjatë dhe të gjithë Labërisë ,dhënë për liri e pavarësi nuk harrohet, nuk zhbëhet, e nuk zëvendësohet me pllaka e ngrehina betoni pa kuptim, sepse gjaku dhe mesazhi i patriotëve vlonjatë nuk harrohet, por nderohet e lartësohet.
Data 3 shtator ende nuk është festë kombëtare, megjithëse në ndërgjegjen e popullit është nga datat kulmore të historisë së Shqipërisë, është Lufta e heronjve që ranë për liri e na lanë Shqipëri!
Në 50 vjetorin e Luftës së Vlorës, luftëtarët e saj u vlerësuan nga regjimi i kohës, por me shumë kufizime e mënjanime për arsye politike.
Do të ishte demokracia dhe veçanërisht presidentët e nderuar të Republikës Bamir Topi, Bujar Nishani dhe Ilir Meta në 100 vjetorin e saj, që do të vendosnin në piedestalin më të lartë të vlerësimeve kombëtare heronjtë, drejtuesit, komandantet, dëshmorët dhe figurat politike dhe shoqërore të kohës që mundësuan këte Luftë – Epope.
Lavdi dëshmorëve, heronjve dhe kapedanëve të Luftës së Vlorës 1920!
Gjithmonë jemi dhe mbetemi borxh të Luftës së Vlorës 1920 dhe heronjve të saj!