Deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krashi, ka qenë i ftuar në studion e News24 për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit brenda partisë dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.
Krashi nënvizoi se për muaj të tërë, Partia Socialiste ka qenë e angazhuar në një proces të thellë rienergjizimi për të përmirësuar strukturat dhe për të forcuar angazhimin e saj politik.
Ai shtoi se në asamblenë e ardhshme të PS, do të zgjidhet kryesia e re e partisë. Krashi theksoi se ky ndryshim është një pjesë e strategjisë më të gjerë për të forcuar ndikimin dhe për të përgatitur PS për zgjedhjet e vitit 2025.
Krashi tha më tej se PS nuk do të kalojë asnjëherë në vetëkënaqësi politike, ndërsa garantoi se partia do të dalë para qytetarëve “ballëlartë” me një angazhim të fortë dhe me një platformë që adreson sfidat e aktuale dhe të ardhshme.
“Partia Socialiste është e përkushtuar të japë një përgjigje të fortë dhe të qartë për qytetarët në zgjedhjet e 2025. Ne do të jemi të gatshëm për të përballuar çdo sfidë dhe për të paraqitur një program që i shërben interesave të shqiptarëve,” deklaroi Krashi.