Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Don Bosko, ku u plagosën dy persona, Kastriot Elezi dhe Ronaldo Metushi. Salianji thotë se sërish krimi godet në mes të Tiranës, ndërsa policia nuk parandalon, por thjesht informon.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, deputeti demokrat shprehet se “krimi e bandat nuk njohin frikë e as shqetësim”.
Sipas tij, ngjarjet e pafundme janë ‘tabela e degradimit të vazhdueshëm dhe rënies pikiatë të situatës së sigurisë dhe rendit publik’.
Çlirimi i policisë nga prangat e krimit dhe lufta pakompromis ndaj çdo forme të kriminalitetit -thotë Salianji- është emergjencë për të kthyer rendin dhe sigurinë!
Reagimi i Ervin Salianjit
“Krimi godet objektivin në mes të kryeqytetit, në mes të qytetareve, në çdo zonë, kudo të duan sipas kërkesave të porositësve.
Krimi e bandat nuk njohin frikë e as shqetësim se do përballen me autoritetin e shtetit!
Ngjarjet e pafundme janë tabela e degradimit të vazhdueshëm dhe rënies pikiatë të situatës së sigurisë dhe rendit publik.
Fati, mbetet të jetë rojtari i qytetarëve!
Policia as parandalon, as kap; policia vetëm informon, sikur të ishte agjensi lajmesh. Madje në rastet e përfshirjes së zyrtarëve rilindas në krime ka rolin e mbuluesit të ngjarjes dhe manipulimit!
Vetëm këputja e lidhjeve të drejtuesve të policisë me krimin, promovimi i profesionistëve, dhe depolitizimi i policisë do ta bëjë efiçente policinë e shtetit që ka brënda radhëve të saj profesionistë që meritojnë të jënë në krye të luftën ndaj krimit dhe jo të dhunohen nga krerët e kapur prej krimit.
Çlirimi i policisë nga prangat e krimit dhe lufta pakompromis ndaj çdo forme të kriminalitetit është emergjencë për të kthyer rendin dhe sigurinë!”