Për të gjithë rezidentët si dhe ata persona të cilët kanë abonime mujore fikse për parkimin e mjeteve në hapësirat publike shërbimet e parkimit në kryeqytet do të mund t’i kryejnë përmes digjitalizimit. Por çfarë do të thotë kjo?
Tirana Parking ka shpallur një procedurë tenderuese, me vlerë 10 milionë lekë me objekt “Digjitalizimi i dhënies së shërbimit të parkimit me abonime, shërbimit të rezidentit dhe shërbimit taxi me anë të platformës Tirana Parking.”
Ky projekt synon digjitalizimin e procedurave të parkimit në Tiranë, duke nisur nga shërbimet për rezidentët, shërbimet për subjektet “taxi”, shërbimet e abonimit për personat fizikë/juridiikë për përdorimin e vendparkimi të rezervuar me pagesë si dhe në sheshparkimet e mbyllura dhe përmirësimin e sistemit të formave të pagesës për parkimet publike me pagesë në administrim të Institucionit.
Ky investim përfshin së pari dixhitalizimin e abonimeve të parkimit. Së dyti, shërbimi i rezidentit do të ofrojë një ndërfaqe e cila lejon rezidentët të aplikojnë për kartën e rezidentit, që i jep të drejtën qytetarit të parkojë automjetin e tij pa pagesë në hapësirat publike brenda zonës së parkimit që i përket.
Së treti, për përdoruesit taksi do të krijohet një modul specifik për menaxhimin e tarifave dhe monitorimin e vendqëndrimeve të subjekteve “Taksi”, duke integruar shërbimet e taksive me platformë Tirana Parking.
Dhe së katërti, përmirësimi i përvojës për të gjithë përdoruesit e parkimit publik me pagesë, rezidentët, përdoruesit taxi, pasi do t’u ofrohet mundësia të menaxhojnë shërbimet e parkimit në mënyrë të thjeshtë dhe efikase përmes një platforme të vetme të integruar. Gjithashtu do të lehtësohet mënyra e aplikimit për vendparkim të rezervuar në rrugë, duke i vendosur në dispozicion aplikantëve formë për të kryer aplikimin online dhe për të ngarkuar dokumentacionin përkatës.