Enver Balla, 62 vjeç që dyshohet se u ekzekutua nga djali i tij, Esmerald Balla, do të përcillet sot nga familjarëe të afërmit në banesën e fundit.
Familja Balla ka hapur dyert e mortit, ndërsa vazhdojnë hetimet intensive për t’i dhënë përgjigje shumë pyetjeve në lidhje me ndonjë person tjetër të përfshirë në krim.
Djali i tij, 30-vjeçari pranoi krimin, duke thënë se kishte vepruar në gjaknxehtësi, pasi zbuloi se babai për shkak të marrëdhënieve që kishte me gra jashtë martese kishte prishur kursimet e shtëpisë.
Sipas informacioneve, kthesë për hetimin bëri kasaforta e thyer që u gjet jashtë banesës ku jetonte viktima me bashkëshorten e tij (njerkën e autorit, pasi nëna i kishte vdekur vite më parë) si dhe autori me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur.
Kasaforta e thyer dhe mungesa e kursimeve të familjes orientoi policinë drejt një krimi të mundshëm në familje.
Skema e krimit
Esmerald Balla, 30 vjeç, banues në fshatin Shënavlash ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej mëngjesit të datës 13.08.2024, babai i tij ishte larguar nga banesa me një shtetase të panjohur për të, dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.
Gjithashtu, djali ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.
Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit konkretisht shtetasi Esmerald Balla, 30 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi, pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari.
30-vjeçari, më datë 13.08.2024, në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, pasi është konfliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka vrarë atë me armë zjarri tip pistoletë.
Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka transportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor ka gjetur trupin e shtetasit E .B., dhe ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë, kasafortën e hapur me sende të forta, ku mbante lekët 30-vjeçari dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.
Trupi i 62-vjeçarit u transportua në Morgun e spitalit të Durrësit për ekzaminim mjeko-ligjor.