Granit Xhaka së fundmi është bërë pjesë e Top 30 listës favorite për të fituar Topin e Artë edhe pse gjasat që të ndodhë janë 0%, por kënaqësia e madhe e përfshirjes është një krenari për të gjithë duke ditur se mesfushori i Leverkusen ka qenë vendimtar në sezonin perfekt të klubit gjerman (si në statistika, ashtu edhe në lidership)
Xhaka fitoi Bundesligën me Leverkusen dhe gjithashtu Kupën e Gjermanisë. Iu afrua shumë edhe fitimit të Europa League, i mundur nga Atalanta e Gasperinit. Transferimi nga Arsenali te Leverkusen për shumë u duk si hap mbrapa, por në fakt për Granitin ka qenë shumë hapa përpara dhe këtë ai e ka dëshmuar duke qenë triumfues në sezonin e shkuar.
Shpesh i akuzuar si tradhtar për shkak të zgjedhjes së Zvicrës, megjithatë, Graniti është një patriot shumë më i madh se disa që hiqen si të tillë, që duan përçarje mes Kosovës dhe Shqipërisë, që shfryjnë dhe përcjellin helme të ndryshme në studio televizive.
Dhe pikërisht në këtë kohë të tensionuar, gjatë podcastit Verus në Telesport, gazetari Anton Cicani rikthen në mendje një prapaskenë të ndodhur disa vite më përpara, kur Xhaka luante te Borussia Monchengladbah, përpara se të transferohej në Premier te Arsenali për shumën 35 mln sterlina (bashkë me bonuse).
Xhaka ishte grumbulluar në atë kohë në fazën dimërore të përgatitjeve për pjesën e dytë të sezonit. Gladbah ndodhej në Belek të Turqisë në janar të vitit 2014. Gazetari Anton Cicani ndodhej gjithashtu në hotelin jo shumë larg, në grumbullim te Flamurtari i Vlorës. Me t’u njoftuar për këtë grumbullim të Gladbah, ai shkoi të vizitonte hotelin ku ndodhej Granit Xhaka dhe klubi gjerman.