Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga kandidimi për kryeministër i vendit në zgjedhjet parlamentare të 2025, pavarësisht se sot (11 Shtator) u mor i pandehur nga SPAK për çështjen Partizani.
Kryedemokrati u shpreh se “pas fitores së zgjedhjeve do të ketë një garë për kryeministër, cilido që dëshiron të vijë të sfidojë Sali Berishën”. Berisha shprehu bindjen se Partia Demokratike do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare.
“Unë kam dhënë një përkufizim, pas fitores së zgjedhjeve do të ketë një garë për kryeministër, cilido që dëshiron të vijë të sfidojë Sali Berishën”, tha ai.
Pyetjes “Në zgjedhje jeni ju kandidat?”, Berisha iu përgjigj: “Padiskutim, padiskutim dhe i fitores. S’ka diskutim ajo”.
Gjithashtu Berisha u pyet nëse do të shkojë në GJKKO pas marrjes si i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, ai u shpreh se: “Jam paraqitur në SPAK, është hera e dytë. Jam hetuar 3 vite pa u thirrur, kur më thirrën kam ardhur. Masat ndaj meje i vendosëm pa më thirrur.”