Nga Bujar Leskaj
23 vite më parë, në 11 shtator 2001, bota ndryshoi përgjithmonë. SHBA u vunë në shënjestër të një sulmi terrorist të pabesë nga organizata terroriste Al Kaeda.
Dëme të pallogaritshme në jetë njerëzore, ekonomi, shoqëri…
Terrorizmi atë ditë shkaktoi viktima të shumta, të cilat edhe sot, 23 vite më pas bota i kujton.
Nën rrënojat e Kullave Binjake viktimat ishin njerëz nga mbi gjashtëdhjetë kombe, të cilat bashkuan gjithë botën, në krah të SHBA kundër terroristëve që sulmojnë pa llogaritur viktimat, moshën, kombësinë e tyre.
Sulmi terrorist, jo vetëm që nuk ia arriti të gjunjëzojë SHBA dhe botën perëndimore, por bëri krejt të kundërtën; bashkoi e fuqizoi të gjitha zemrat e lirisë dhe të demokracisë në një të vetme përballë kësaj të keqeje të madhe.
Terrorizmi atë ditë goditi, por terrorizmi asnjëherë nuk mund të fitojë mbi Lirinë, mbi Demokracinë, asnjëherë nuk ngelet e as nuk do të ngelet i pandëshkuar!
Dhe ndëshkimi i SHBA dhe aleatëve të saj kundër terrorizmit ishte dhe vazhdon të jetë shembullor!
Kryeterroristët Bin Laden,Ayman al-Zawahiri, i cili u eleminua këtë vit nga SHBA me dron në Afganistan dhe shumë terroristë të tjerë , diktatorë apo organizata përgjegjëse për krimet kundër njerëzimit, tashmë i përkasin të shkuarës!
SHBA, e vendosur në luftën e saj kundër terrorizmit ka përcjellë mesazhin se të gjithë ata që kërcënojnë SHBA dhe botën perëndimore gjithmonë marrin dënimin e merituar, pavarësisht se sa kohë mund të marrë, pavarësisht se ku e si fshihen.
11 shtatori shërben si ditë reflektimi dhe kujtese për të gjithë njerëzit, por edhe për të kuptuar se sa të rrezikuara janë vlerat perëndimore, vlerat e lirisë e demokracisë, të tolerancës e të bashkëjetesës nga sulmet e terroristëve islamikë.
Ky përvjetor, është ditë përkujtimi jo vetëm për viktimat, por edhe vëmendje dhe vigjilence për kërcënimin e botës së lirë nga terroristët e të gjitha llojeve.
Njëkohësisht kjo ditë është mësim për të gjithë botën progresiste perëndimore, e cila ndan të njëjtat vlera humanitare e demokratike me SHBA dhe BE.
Dhe, padyshim, në luftën kundër kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së vlerave, të jetës, Lirisë e demokracisë nën lidershipin e SHBA do të jetë gjithmonë edhe Shqipëria, në kuadrin e NATO-s.