BallinaTe tjeraKujtimet e ish-të burgosurit politik: Në Spaç, të ofronin sqeparin që t’u...

Kujtimet e ish-të burgosurit politik: Në Spaç, të ofronin sqeparin që t’u prisje një gisht dore apo këmbe dhe nëse s’pranoje të shihnin si armik, por…

spot_img
spot_img

SPAÇI

Varri i të gjallëve 

Tiranë, 2018

(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

Çdo tetë orë në ballin e galerisë ushtonte marteli, gjëmonin minat, shqitej mineral, bëhej armim, pastaj turni ndërronte turnin dhe puna azhdonte pafund. Mjerë kush s’e kapte normën, sepse e detyronin të qëndronte dy tume, kush kundërshtonte, përfundonte lidhur pas atyllave dhe më pas, një muaj qeli. Turni i parë e niste në shtatë, i dyti në tre dhe i treti më njëmbëdhjetë. I pari dhe i dyti, shtyheshin disi, po i treti, ishte varrim së gjalli; niseshe në terr, zhyteshe në terr dhe s’e dije në do e shihje prapë diellin.

Rutina e çdoditshme: punë, apel, gjumë, sërish apel dhe punë; dhe përjavshme: turni i parë, i dytë, i tretë; plus kontrollet te porta hyrëse-dalëse, të beftët në fjetore, shto dhunën dhe stresin, na katandisën mekanizma-somnambul. Për çfarëdo shkaku, kur s’plotësoje normën, apo tregoheshe i ngathët nga lodhja për vdekje dhe cënoje rregulloren pa dashje, pasojat ishin të paimagjinueshme. Për të suportuar këto strese, lypeshin nerva çeliku, vullnet idealisti dhe karakter titani.

Njoha gjithfarë tipash, pishtarë që sakrifikuan me vetëdije për të ndritur udhën e secilit, dhe ata që u ambientuan me të keqen, sa s’gjenin motiv të reagonin. Njoha pesimistë që vetë-dëmtoheshin, për t’i shpëtuar galerisë; zhytnin këmbën apo dorën me vetëdashje nën rrotat e vagonit disa tonësh; apo kujt i mungonte guximi, ia kërkonte këtë “nder”, shokut.

Njoha individë që të ofronin sqeparin t’u prisje një gisht dore apo këmbe dhe nëse s’pranoje, të shihnin vëngër, si armik. Njoha pehlivanë që luanin të çmendurin me mjeshtëri aktori, sa ua hodhën edhe komisioneve mjeko-legalë; rasti i Dhimitër Pangos, mbetet ekzemplar. Kish që i hynin rolit me vetëdashje dhe pa dashje, përfundonin të çmendur. Por njoha idealistë me vullnet të hekurt, që i përballën sprovat si stoikë dhe drejtuan edhe të tjerët.

Në këtë kapitull, nuk synoj këtë argument, po i përmenda përciptas, për të theksuar se edhe trajtimi paksa i diferencuar, nuk rezultoi shpëtimtar për masën e të dënuarve politikë, që punuan në miniera. Të flasim për skllevërit e galerave, si trajtoheshin dhe ç’përfitonin konkretisht? Meraku numër një i shqiptarit, ka qenë buka. Ne, s’e lidhim vaktin me të ngrënët, kur ulemi në sofër s’themi do hamë mëngjes, drekë, zemër apo darkë, po thjesht; “Do hamë bukë”. Pra, në çdo kohë; “Do hamë bukë”!

Edhe motit, kur takoheshin dy fshatarë në pazar, pasi interesoheshin për shëndetin dhe numrin e robve, pyetja pasuese do ishte: “E ke siguruar bukën e vitit?” dhe përgjigja: “Lavdi Zotit, qe vit i mbarë, kam për nëntë, për gjashtë, ose për tre”! apo në rastin më të keq: “S’na ndihu moti, do shes bagëtinë, të ble bereqetin”!

Fatkeqësisht, ky mentalitet, pak ka ndryshuar edhe sot. Ndaj po e nis me bukën. Minatorëve iu jepnin nëntëqind gramë në ditë. Shumë, sipas standardit të sotëm. Kur rinia e sotme, dëgjon se një individ, konsumonte këtë sasi dhe s’ndjente të ngopur, o s’do na besojnë, o do na qesëndisin: “Ç’të keni pasur, stomak apo plëndës”?!

E lehtë përgjigja: “Njeriu s’ka plëndës, po stomak”! Po edhe derri s’ka plëndës, ama përlan sa t’i hedhësh dhe s’ngihet! E pra, komunizmi na ktheu në derra, jo vetëm të dënuarit, po gjithë popullin, përjashto një pakicë të privilegjuar. Në vend të stomakut, na instaluan një thes, që s’u mbush ndonjëherë, sado t’i hidhje. Ndaj edhe nëntëqind gramë bukë s’na ngiu.

Në kazanin e punonjësve të nëntokës, gatuanin po ato gjellë, me pothuaj ato asortimente, pothuaj ato perime, të ndara sipas stinëve, porse mbas ankesave të përsëritura, kontrollet u bënë më të shpeshtë, ndonëse shpërdorimet s’u eliminuan ndonjëherë. Supa ishte një lëng paksa më i trashë, gjoja me yndyrë më të shtuar se në Reps, madje të zinte syri edhe ndonjë grimcë mish, gjithsesi mbetej e pangjërueshme, po dashje pa dashje, do ta kapërdinim, sepse ishte i vetmi burim mbijetese.

Në mëngjes na jepnin vetëm supë. Për drekë, veç supës, shtohej edhe një garuzhdë pilaf, zakonisht makarona sharavidhe, ndonjëherë edhe oriz, natyrisht me mish, (në letra shkruhej dyzet gramë), po në tas, e hasje rrallë, gjithsesi ja ndjeje aromën, ngaqë ish plot bubuzhela dhe insekte.

Në darkë na jepnin çaj, pak më të ëmbël, domethënë të gjerbshëm dhe njëzet gramë djathë të bardhë; kur mungonte ky, dhjetë gramë kaçkavall dhe në kohë krize, që vazhdonte gjithë vitin, e zëvendësonin me marmelatë molle, në raste të veçanta, edhe prej fiku. Nëse të shkruarat do na i jepnin, edhe mund të ishim ngopur ose, pothuaj do ishim ngopur, ngaqë ishte një grusht “tagji” më tepër, për stomakun e shndërruar në shpellë, por s’na e dhanë të plotë. Meqë puna në miniera ishte me turne, gatuhej pa pra.

Turni i parë, gëzonte regjim normal, mëngjesi supë, dreka supë dhe pilaf, darka, çaj e një rriskë djathë. Orari komplikohej disi, e dy turnet e tjerë, sepse fillimi dhe mbarimi i punës, s’përkonte me vaktet, por e zgjidhën në mënyrë origjinale: për turnin e dytë, çajin e darkës, e ndanin në mëngjes, supën e mëngjesit, në drekë dhe supën e pilafin e drekës, në darkë. Edhe për turnin e tretë, praktikohej pak a shumë kjo formulë, veçse shtyhej orari.

Përveç këtyre “privilegjeve”, punonjësit e nëntokës, përfitonin ca bishta shtojcë; ndonjë kallëp sapun Rrogozhinë, me aromë të qelbur glicerine dhe farash pambuku, që të shkaktonte pështjellime dhe shtërzim zorrësh; vetëm mbasi të kishe vjellë ç’mbaje në bark, mund qetësoheshe. Kur mungonin këta, i zëvendësonin me sodë kaustike, që të jepte kruajtje dhe të rrëzonte lëkurën.

Punonjësit e nëntokës, ndesheshin çdo sekondë me faktorë të dëmshëm për shëndetin. Ndaj u jepnin antidota, për të neutralizuar disi efektet, siç veprohej për disa profesione me të njëjtën dëmtueshmëri, si: metalurgët, punonjësit e uzinave të shkrirjes, furrtarët e silicit, në fabrikat e qelqit, argatët e manipulimit dhe shpërndarjes së lëndëve toksike, punonjësit e prodhimit të barutit dhe tritolit, etj.

Por, ata gëzonin edhe përfitime plus, si rroga pak më të larta, dilnin në pension pesëdhjetë vjeç, po t’i shpëtonin glasës dhe të arrinin moshën; kish që përfitonin ndonjë fletë-kampi falas për në “hangarët” e punëtorëve, ndonjë dekoratë me shëmbëlltyrat mjekroshe të marksistë-leninistëve apo, me portretin e të madhit Enver, ndonjë fletë-nderi, apo lavdërimi, që pas vdekjes së marrësit, iu mbetej trashëgimtarëve, për ta përdorur si karta-bjankë, për përfitime të pritshme, etj.

Këto stimuj, vepronin në invers për minatorët e burgosur. Rrogë, njëqind e tetëdhjetë lekë të vjetër; pension më i hershëm, me të shumtët në gropën përballë; flama e pulave, sa binte në Kinë, na zinte edhe ne aty, na dërgonin në “kampin e pushimit”, në… Burrel apo në “rezidencat special”, ku mërzenim e rehatonim eshtrat… gjersa të na dilte xhani. “Dekoratat”, na i jepnin pa ceremoni: një kokërr plumbi pas kresë dhe prehje të përjetshme, në altarin e “martirëve” pa emër.

Fletët e nderit dhe të lavdërimit me pamje fisnike; një copëz karton me diçiturën “Dega Punëve të Brendshmet X, ose Nr. Y” dhe vijonte me emërtimin e bujshëm, por meqë ishin shumë, iu vinin shtojca: FLETË-NDERI “survejimi”, FLETË-NDERI “Përpunimi”, FLETË-NDERI “Bashkëpunimi”. Natyrisht, këto i “dhuronin” sipas kontributeve dhe meritave, operativi e gjykonte të udhës ta ngrinte përfituesin në piedestal, i bashkëngjitnin edhe dekoratën-plumb. Pastaj seria zgjatej me “FLETË-LAVDËRIME” me emërtim fantastik: “DOSJE”.

Dosjet i specifikonin: “Hetimore”, “Gjyqësore”, “Burgu” dhe “Pas-burgu”, me efekt gjer në varr për përfituesin dhe me vlera të parefuzueshme testamentare, për trashëgimtarët, duke iu siguruar veç lumturisë së përjetshme, mbrojtje me “bodigardë”… në kampet e punës apo, në fushat eliziane Myzeqare.

Ligji-karrem dhe djallëzia komuniste

Mekanizmat stimulues nuk dhanë rezultatin që pritej, ndaj në vitin 1971, shpikën çelësin që shqeu dyert e ambicies. Me iniciativën e Kuvendit Popullor, sajuan ligjin lumpen, më djallëzorin e aprovuar ndonjëherë gjatë regjimit komunist, në lidhje me të dënuarit politikë. Nëpërmjet klauzolave të këtij lumpen-ligji, gjoja të dënuarve që arrinin rezultate të larta në punë, iu njihej e drejta të përfitonin shpërblimi financiar, prej njëqind e shtatëdhjetë, gjer në shtatë qind lekë të vjetër në muaj dhe nga një, deri në dhjetë pikë, shtatë ditë zbritje, që në rastin më ideal, arrinte tetëmbëdhjetë ditë në vit.

Ky ligj-karrem, ngjante pak a shumë me dekretet e Presidiumit të Kuvendit Popullor: “Hero i Punës”, pas vdekjes, apo “Punëtor pararojë, që punon për llogari të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit njëzet e një”, kur mëtuesi mund të ndërronte jetë të nesërmen dhe profecia të ngelej në mes. Po të llogarisje angarinë, për të siguruar përfitimet e pritshme s’ia vlente barra qiranë, t’i hyje valles. Po bash këtu fshihej hileja e flamës, që bëri të linin eshtrat nëpër galeri edhe më dembelët!

Ligji-finok magjepsi në krye edhe spiunët, që mësynë minierën me mik. Por kur shumë mjeranë mbetën nën masivet e malit, të tjerë mbushën spitalin me sëmundjen e T.B.C.-së dhe të tjerë ende çapiteshin të gjymtuar, i doli kallaji. Gjithsesi, disa iu futën kësaj spiraleje, të nxitur nga motive të ndryshëm, iu gëzuan hapësirës ligjore, që demek iu lejonte të zinin ndonjë lek, me punë rraskapitëse dhe t’iu gjendeshin të afërmve në internime, ku kalonin më zi se ne. Natyrisht një mendje e sotme, s’e pranon logjikën: “nga gropa e varrit, t’iu gjendesh të lirëve, në parajsën komuniste”!

Sepse kjo nënkuptonte një ringjallje moderne të Konstandinit, që ngrihet nga varri, çon në derën e së ëmës Doruntinën dhe kthehet në varr. Varri ku rrasën të burgosurit, s’u ça ndonjëherë që të kapnin pragun e shtëpisë, por paratë ama dolën nga ai varr dhe shtuan jetët që ai priste. Gjithë heronjve anonimë që sakrifikuan në emër të jetës dhe iu dorëzuan varrit të varrit, do desha t’iu kushtoja një respekt të veçantë’, por kish që shpresonin të dilnin pakëz më shpejt, ndonëse i kishin dënuar gjatë, dikush për të ngrysur pleqërinë pranë nipërve dhe mbesave, tjetri të kontribuonte në mirërritjen e fëmijëve, dhe më optimistët, të krijonin familje, po zgjodhën llapashitjen në labirintet e koklavitur të kësaj dispozite.

Për ta shndërruar ëndrrën në zhgjëndërr, dhanë gjer edhe shpirtin, që të përfitonin nga hapësira-lubi. Mirëpo pjesa më e madhe s’ia doli, o për shkaqe shëndetësore, o për shkaqe madhore (mbetën nën gurët e malit, u prekën nga sëmundje të shkaktuara nga ajri i ngarkuar me igrasi, me bacile dhe gazra toksikë, që u sillte vdekjen ngadalë), ndërprenë makutërinë, po edhe nëse ia mbërritën, u liruan gjytyrym, që s’i hynin kujt në punë dhe në vend t’i gëzoheshin lirimit, iu lutën Zotit, t’iu shkurtonte ditët më herët.

Çdo kuturisës, llogariste maksimumi tetëmbëdhjetë ditë-zbritje në vit, herë kaq vjet, fitojmë kaq vite, muaj apo ditë dhe vijonte përkundjen në djepin e shpresës. Kish që i blinin ditët me lekë; paratë që fitonin me punë rraskapitëse, ua hidhnin të tjerëve, në këmbim të ditë-zbritjeve dhe i gëzoheshin çdo ore, paçka se në fund zhgënjeheshin; ditët e fituara me punë, i shuante ri-dënimi dhe ëndrra shthurej si pëlhura e Penelopës. Por edhe kur i shpëtoje ri-dënimit, s’ia vlente mundi për aq ditë-fitimi; rasti im, arrita të fitoj vetëm katërmbëdhjetë ditë, në pesë vjet! Pra, rrjedhoja e ligjit-karrem, me ditët e fitimit, pesë lekët e gjakut, grima plus e ushqimit, antidotat dhe detergjentët, në fund të fundit, prodhuan dyfish sakatë, dyfish të çmendur, dyfish varre pa emër.

Ilegalitet mes ilegalitetit

Nëse në jetën e lire, antidotat mund t’i konvertoje me antioksidant, qumësht i freskët, vezë apo produkte të njëjtësuara, ndonjëherë edhe në vlerë paraje, neve na mbeti në rreze, pluhuri kinez i konservuar në kuti llamarine të ndryshkura, apo në thasë plastik, pa pikë vlere ushqyese dhe me cilësi të dyshimtë, shpesh tej afateve të skadencës, pa konsideruar parametrat higjienikë dhe duhmën që emetonte.

I kthyer në njësi, na takonte nëntëqind gramë në muaj, ngaqë pretendohej se tretej, në raport; një kilogramë pluhur; me shtatë litra ujë, shkurt hesapi, i binte të merrnim tridhjetë gramë pluhur në ditë, ose dyqind e dhjetë gramë lëng. Me gjithë mangësitë sasiore dhe cilësinë beterr, ky ishte një burim plus për të mbushur barkun, njomnim gojën dhe ndërronim gjellë; dikush e zinte kos, paçka se mbetej pa u ngjizur, një tjetër bënte ndonjë tenxhere sultiash, edhe pse me shije të dyshimtë, ndonjë lumjan shkrinte talentin dhe përgatiste ëmbëlsira “gegësh”; por, mbi të gjitha, me këtë mall, lulëzoi tregtia.

Nëpërmjet këtij produkti, të burgosurit pa ndihma, siguronin ndonjë kilogram sheqer, oriz, makarona, paketa “Partizani”, ndonjë grusht duhan apo defter letra, etj. Me ndërmjetësinë e “menaxherëve”, që merreshin me shkëmbime mallrash në natyrë, plotësonin nevojat, ndonëse metoda; “jep mall, merr mall”, përfaqësonte tregtinë me klering, apo ajkën e inovacioneve të sistemit socialist; praktikohej gjerësisht në burgje.

Mbase ky fakt duket i stisur, për pjesën që s’i njeh burgjet, por atje ekzistonte tregu real, ndonëse i reduktuar në një gamë të limituar mallrash. Tipa me shpirt tregtari, që sot i quajmë biznesmenë të suksesshëm, “mbushën thasët”, nëpërmjet profesionit të kamufluar. Ekzemplar tipik i këtij lloj tregtari, ishte një vlonjat që shiste e blinte gjithçka. Kur të lipsej gjëkafshë, që s’para gjendej, të drejtonin te Mehmet Hamza, që të jepte mallin në dorë, pas pak sorollatje tregtarësh. Në dy raste, më zgjidhi edhe mua.

Kur gjatë një kontrolli të befasishëm, më “grabitën” stilografin, për disa kohë më huante të tijin Esat Kala, që zotëronte një stilo të bukur amerikan. Por ai studionte anglisht dhe i nevojitej për vete, ndaj një ditë m’u kthye me gjuhën e Ezopit: “Si shumë po ngatërrohesh me imperialistët, vllaçko! Me ç’duket ke për t’u parë sherrin! Se ja, shiko këtu, më tepër se gjysma e kanë ngrënë për amerikanët! “Lëri llogjet, më jep stilon”! – desha t’i prisja vrullin “antiamerikan”, amerikanit par ekselence.

“Vllaçko, drejtohu te Mehmeti, që të siguron pranga, jo më një stilograf”! – ma ktheu me qesëndi. – “Pse s’merresh vesh ti, si fshatar dhe unë do ta paguaj”! “Me se mund t’u shërbej hirësi”? – Mehmeti iu drejtua Esatit, kur nuhati prenë që po i dilte në shteg. “Më duhet lumi Jance dhe Tibeti kinez”! – u tall Esati. “Në vend, po pa Maon dhe Dalai Lamën, se s’ia dal dot pa ta”! – ia ktheu hazër-xhevap Mehmeti dhe nxori nga nën dysheku dy harta, që ia vërviti mbi shtrat: – “Fryu, se s’u ngope me malin e Çikës”! “Këto jepua të tjerëve”! “Zaten dhe kjo më duhej, që të më akuzojnë edhe si separatist tibetian”! Mbasi qeshëm të tre, Esati imitoi penën. – “Na gjen dot një nga ata kinezët që shkruan”?

“Me bojë apo me rezerve”? – i shndritën sytë Mehmetit. “Me bojë o mavri, se rezerva mbaron shpejt”! “Shtatë e gjysmë”! – nxori shtatë gishta, bëri një shenjë gjysme dhe shtoi: – “Për ty si fshatar”! “Bjere, pa për fshatar, më shet me gjithë poture, po shyqyr që s’gjen blerës”! – qesëndisi Esati. Pas ca minutash, u bëra pronar stilografi dhe dy shishesh bojë.

“Të faleminderit…”! – falënderova Esatin, mbasi shleva vleftën e mallit. – “S’ke pse më falënderon, ai shet edhe babanë, pesë lekë, nga lezeti i tregtisë”! – më ndërpreu Esati. Natyrisht, në burgje nuk ekzistonte paraja fizike, por vlera ishte e kudogjendur. Për shembull, bixhozxhinjtë e kishin thjeshtëzuar vlerën e çdo malli, në copa letrash, që i quanin fish. Si të thuash, e kishin kapitalizuar ne letra me vlerë, duke instaluar pak a shumë një pazar shkëmbimesh ,të ngjashëm me bursat e botës ekonomike.

Njësia bazë, apo zembereku i “bursës” së burgut, mbetej “Partizani”; domethënë paketa. Kur nuk plotësonte “Partizani”? “Të jap një “Partizan”, racion bukë! Na katër “Partizan”, më jep një kilogram sheqer! Dhjetë “Partizan”, një xhaketë mushamaje! Pesë “Partizan”, vlenin një palë pantallona burgu, dy, një këmishë puplini, dy, një palë brekushe të gjata, nga një çorapet dhe dorashkat.

Për gjashtë “partizan”, Ndonka të qepte një çantë sportive, për shtatë, si dhe një palë pantallona civile. Me vetëm pesë “Partizan”, mund të përftoje një pikturë moderniste, nga Robert Morava; me dhjetë, një portret impresionist, nga Myslim Fuatllari; për tre “Partizan”, Hilë Pashuku të bënte një palë nalla, me motive popullore, ose me pesë, një valixhe. Me tre “Partizan”, Xhelal beu të lante çarçafët, por Bozho ulqinaku, si konkurrent i pandershëm, t’i lante për dy; po ne preferonim Xhelalin që r kishim “tonin”, edhe pse më i shtrenjtë.

Me tre “Partizan”, Bajram Hoxha të arnonte një varricë rroba dhe me katër, të thurte një triko leshi me shtiza. Me dhjetë “Partizan”, siguroje dhjetë ditë raport, te doktor Kosovrasti, një për ditë-raport dhe me njëzet, ta bënte gojën fringo, Met Karakashi. Me njëzet “Partizan”, kryetar Mediu mund të të transferonte në zonën e parë, me dyzet, të nxirrte në sipërfaqe, por mësohej dhe i donte herë pas here, po mos t’ia jepje, përfundoje sërish në vrimat e piritit. Kështu, “Partizani” vriste lart në kohë krize dhe i ulej vlera, kur kishte mall.

Hokatari Ylber Merdani, bënte humor me oshilacionet e “Partizanit” në bursën e burgut: “Hajt bre, na u bë ‘Partizani’ si letra higjienike, sa fshin b…, e hedh në shokollë. Sot ulet, nesër ngrihet, bash si inflacioni dhe deflacioni në luftë, ranë dymijë e tetëqind, i bënë njëzet e tetëmijë”! Në këtë lëmë, lëvrinin tregtarë të mirëfilltë tradite, si: Sul Begovija, nga Shkodra, Andon Treska, nga Korça, Xhafë Dema e Met Kazazi, nga Tirana, Fran Shiroka, nga Durrësi, Xhelal Canko (Beu), nga Kolonja, etj., deri te rishtarët, si Mehmet Hamza, etj., që tentonin të penetronin, herë si çirakë, herë si menaxherë, në këtë farë burse.

Tregu in-formal u bë shesh operimi edhe për mëtuesit dështakë, që u krimbën në borxhe nga paaftësia të menaxhonin konkurrencën dhe përfunduan keq. Por atje luanin edhe sarafë batakçinj, si të thuash pararendësit e firmave piramidale, të pas nëntëdhjetës, që u diskredituan shpejt, sepse mungonte hapësira, për manovra dredharake. Memorie.alNga Shkëlqim ABAZI

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular