Për herë të tretë, deputetët e Partisë Socialiste, nuk zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dërgimin e mandatit të socialistes Olta Xhaçkës për verifikim. Pas një seance maratonë në Kuvend, 65 ligjvënës socialistë abstenuan, 9 kundër dhe 25 deputetët të opozitës votuan pro.
Opozita dhe mazhoranca kanë dalë me dy raporte të ndara. Në raportin e Partisë Demokratike, Kuvendit i kërkohet të zbatojë vendimin e gjykatës kushtetuese. Ndër të tjera kryetares së Kuvendit i kërkohet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë me detyrimin për të votuar “PRO” dhe të vendosë dërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën kushtetuese pa vonesa.
Nga ana tjetër, mazhoranca në raportin e saj duket sikur ka bërë hapa pas nga qëndrimi i saj i prerë për mos ta çuar në Gjykatën Kushtetuese. Në raport, PS argumenton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, edhe pse në raport nënvizohet se do të jenë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të cilët do të vendosin vetë me votë.