Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka paralajmëruar se bisedat e nxjerra nga platforma ‘Sky ECC’ dhe të diskutuara sot në Kuvend mund të shkaktojnë përplasje të mëdha mes grupeve kriminale. Në një lidhje direkte në emisionin “Top Story”, Karamuço theksoi se këto biseda janë dërguar për t’u hetuar nga SPAK dhe jo për t’u diskutuar në Kuvend.
Sipas Karamuços, drejtori i Policisë në Shkodër, Edmond Sulaj, për të cilin u fol në Kuvend, është kërcënuar nga bandat për shkak të goditjes së kultivimit të drogës. Ai theksoi se sulmet ndaj tij janë të motivuara politikisht dhe se në fakt, Sulaj ka pastruar 400 mijë rrënjë kanabis nga territori i Shkodrës gjatë këtij viti.
Karamuço shpjegoi se diskutimet në Kuvend janë të gabshme dhe se këto biseda janë të cilësuara si sekret hetimor. Ai akuzoi funksionarët e SPAK që kanë nxjerrë këto informacione, duke theksuar se kjo veprimtari ka për qëllim intimidimin e funksionarëve dhe për të ndezur përplasje mes grupeve të ndryshme kriminale.
Sipas tij, Shkodra është kthyer në një “Palermo” për shkak të përplasjeve të bandave për drogë dhe kërcënimeve të shumta ndaj drejtuesit të policisë. Karamuço përmendi gjithashtu operacionin “Plumbi i Artë 2”, ku janë bërë hetime të thella dhe janë arrestuar individë që kanë marrë informacion të klasifikuar nga BKH.