BallinaOP EDMonitorimi amerikan i komisionit “Xhafaj”, garanci për paprekshmërinë e SPAK-ut

Monitorimi amerikan i komisionit “Xhafaj”, garanci për paprekshmërinë e SPAK-ut

spot_img
spot_img

Nga Prec Zogaj
Pasi kishin mbajtur një distancë njohëse nga superkomisioni parlamentar “Xhafaj”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan javën e kaluar qëndrimin e tyre përmes një njoftimi për shtyp të lëshuar nga ambasada në Tiranë, në të cilin thuhej: “Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”.

Ishte pikërisht ky qëndrimi që pritej: Përfshirja, angazhimi me gjithë spektrin kuptimor që nënkupton kjo fjalë. Që nga asistenca me ekspertë dhe ekspertizë, deri të monitorimi nga afër i produktit të komisionit. Njëlloj siç kanë berë me Reformën në Drejtësi të vitit 2016 dhe në gjithë procesin plot pengesa e sterkëmbësha të zbatimit të saj.

Por duke shtuar kësaj radhe mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve tashmë në punë. Siç e dimë se janë në radhë të parë SPAK dhe GJKKO.
Në opinionin e gjerë publik dhe në një pjesë të spektrit politik, sidomos jashtë duopolit PS-PD, ka patur e ka shumë dyshime se superkomisioni “Xhafaj” është ngritur për t’u ndalur hovin SPAK-ut dhe drejtësisë së re. Duke e zbukuruar nismën në fjalën me retorikën e “forcimit” dhe duke e fryrë me shto ujë e shto miell me lloj-lloj pistash të përgjithshme për të maskuar qëllimin kryesor.

Dyshime të arsyeshme po të mbajmë parasysh retorikën antispak të Ramës kur deklaronte më ton në forumet memece të partisë së tij se nuk do të lejojmë një republikë të prokurorëve; apo kur u kanosej hetuesve të BKH-së që po zbarkonin në zyrat e degëve të ekzekutivit; apo faktin që ky superkomision nuk ka një objekt konkret, siç kanë patur komisionet e ngjashme bipartizane për një çështje të caktuar që përligjte ngritjen e tyre, por liston çështje të përgjithshme që janë në tagrin e punës normale të komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Superkomisoni i dublon këto komisone. I sheh edhe nga lart e nga larg me mandatin përtej legjislaturës në vazhdim që i është dhënë, pra përtej vitit 2025, një shpikje tjetër, në tejkalim të vendimit të sovranit në zgjedhje të lira e të ndershme. Vendim të cilin zoti Rama e merr të ngrirë, të paracaktuar, si në zgjedhjet farsë të periudhës së komunizmit.
Duke injoruar enigmën e zgjedhjeve të lira, që u jep emocion, bukuri dhe kuptim atyre në çdo rast.
Duke marrë vendime që burojnë nga vota para se të vendosin zgjedhësit në dhomën e fshehtë.

Sondazhet mund ti kesh në favor, por sondazhet nuk janë zgjedhje. Kjo që Rama shkon përtej popullit edhe në të vetmen fuqi në dorë të popullit është detaji i një teme të gjerë të raporteve të tij gjithnjë e më të përçunduara me vlerat e demokracisë. Por ai është i ndërgjegjshëm për karakterin provokues të shtrirjes se afateve të superkomisonit përtej legjislaturës. E ka menduar vetë të tillë në funksion të mesazhit intimidues të jetëgjatësisë në qeveri, drejtuar qëndrave të reja të pushteteve të pavarura që po krijohen në vend falë mbështetjes ndërkombëtare dhe një koshiencë të re që po krijohet në këto qendra.

Qëndrimi i shpallur amerikan i reflekton dhe u jep përgjigje dyshimeve dhe realiteteve. Përgjigjia është: Do të jemi aty!
Të tjerat janë të kuptueshme.

Në lexim të lojërave të nëndheshme kundër drejtësisë së re, SHBA s’kanë rreshtur së qëndruari në mbështetje të fuqishme të SPAK dhe drejtësisë së re. Lista e fakteve që vërtetojnë këtë pohim është e njohur dhe e gjatë. Kush nuk e di.
Qëndrimi përfshirës dhe angazhues përkundrejt komisionit “Xhafaj” është një fakt i ri që përforcon qasjen dhe rolin e tyre si bashkautorë protagonistë në sfidën tonë të madhe të sundimit të ligjit, të “askush mbi ligjin”.

Ky qëndrim merr një rëndësi të shtuar në kontekstin e iluzioneve dhe lajmeve të rreme në qarkullim, të investuara shumë syresh nga kasta plurale solidare, sikur në Uashington janë të zënë deri në grykë me zgjedhjet e nëntorit dhe askush s’e ka mendjen te Shqipëria e vogël (Sa shumë u pëlqen ta kenë të vogël Shqipërinë, kur duan të mos kenë nëpër këmbë kërkënd nga bota e lirë!). Apo kur thurin ëndrra bipartizane me një rezultat të tillë të presidencialeve amerikane që do t’i lejonte të fitonin kohë, më e pakta pesë-gjashtë muaj, aq sa u duhet për të realizuar ndërhyrjet dhe ndryshimet e menduara ligjore të “forcimit” të drejtësisë së re me një “drejtësi më të re” se e reja, e cila, sipas llogarive që kanë bërë, do t’u vinte de-fakto institucionit të akuzës dhe gjykimit kufinjtë e vjetër në raport me pushtetin e lartë politik.

Ëndrra në diell, edhe pse thuren e shërbehen natë e ditë si në ethe. Miqtë amerikanë nuk e braktisin Shqipërinë dhe nuk kanë ndërmend ta lënë atë nën sundimin e të vëtshpallurve mbi ligjin. Në asnjë rrethanë. As para zgjedhjeve dhe sidomos as pas zgjedhjeve në SHBA. Qëndrimi përfshirës në Komisionin “Xhafaj” është i qartë në rreshta dhe midis rreshtave. Ky qëndrim, mbi të gjitha, është një garanci për paprekshmërinë e SPAK-ut si institucioni numër një i shpresës në Shqipërinë e re të sundimit të ligjiit. Këtë sigurisht e kanë kuptuar mirë prokurorët atje.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular