BallinaKronikeNdarja papritur nga jeta e Gerti Bogdanit, momenti fatal dhe fjalët e...

Ndarja papritur nga jeta e Gerti Bogdanit, momenti fatal dhe fjalët e fundit të ish-deputetit të PD-së

spot_img
spot_img

 Ish-deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani u nda dje nga jeta tragjikisht në moshën 44 vjeçare pas një ataku kardiak. Ndarja e parakohshme nga jeta tronditi mbarë opinion publik.

Mësohet se Bogdani u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, sipas të cilëve ish-deputeti mbërriti i pajetë. Bogdani ishte duke konsumuar kafe në një ambient të njohur në qendër të Tiranës kur pësoi atak kardiak.

“Kam probleme me frymëmarrjen”, iu është drejtuar ai miqve të tij, me të cilët po pinte kafen dhe është larguar për në tualet. Por pasi është vonuar, miqtë e tij të shqetësuar shkuan dhe hapën derën me forcë.

Mësohet se ata e gjetën ish-deputetin e PD-së të shtrirë përtokë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë. Më pas lajmëruan ambulancën, por sipas dëshmitarëve është vonuar. Gerti Bogdani mori ndihmën e parë mjekësore në ambulancë dhe më pas në QSUT, por nuk arriti që të mbijetojë. Policia njoftoi zyrtarisht se ishte ora 11:30 kur ndodhi ngjarja.

Gert Bogdani lindi më 7 korrik të vitit 1980 në Tiranë. Ai ishte baba i dy fëmijëve të ardhur nga martesa me aktivisten Edlira Çepani. I arsimuar jashtë vendit, u rikthye në Shqipëri dhe në vitin 2005 u përfshi në politikën aktive në radhët e Partisë Demokratike. Në vitin 2007 u zgjodh kryetar i Njësisë Bashkiake Numër 10 në Tiranë dhe në garën elektorale të vitit 2009 fitoi mandatin si deputet në Parlamentin e Shqipërisë, mandat që e rinovoi në zgjedhjet e 2013 duke u rizgjedhur për herë të dytë deputet i PD-së. Gert Bogdani rezultoi kandidati më i votuar për anëtar Kryesie, me 281 vota të anëtarëve të Këshillit Kombëtar në vitin 2021.

Gjatë dy mandateve parlamentare, Bogdani ka shërbyer edhe në Komisionin e Integrimit Europian dhe në Komisionin e Medias. Gert Bogdani ka mbajtur edhe detyrën e kryetarit të Forumit Demokrat dhe për afro pesë vite ka qenë sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike. Në vitin 2005, pranon ftesën për t’u angazhuar në politikë, shtyrë nga thirrja e brendshme qytetare për të kontribuar për vendin. Në vitin 2007 fillon detyrën si sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i PD, të cilën e kryen me sukses deri në vitin 2019, duke zgjeruar ndjeshëm rrjetin ndërkombëtar në mbështetje, jo vetëm të Partisë Demokratike, por sidomos të Shqipërisë – që nga Kongresi e Senati Amerikan, Parlamenti Europian e Bundestagu Gjerman, veçanërisht në raste të votimeve të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën.

Në këtë detyrë ai ka arritur me sukses të mbështesë anëtarësimin e PD në Bashkimin Ndërkombëtar Demokrat – IDU, aplikimin e LDK-së për anëtarësimin në Partitë Popullore Europiane – EPP, si dhe ka kontribuar në anëtarësimin me të drejtë vote të Partisë Demokratike në EPP. Në vitin 2007 kandidon në Zgjedhjet Vendore, duke qenë i pari kandidat nga e djathta që bëhet kryetar i minibashkisë nr. 10 në Tiranë dhe kryebashkiaku më i ri i zgjedhur ndonjëherë, duke bërë për vete komunitetin dhe duke marrë mbështetjen e elektoratit të njësisë përtej ndryshimeve politike majtas apo djathtas. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë dy legjislaturave parlamentare 2009 – 2013 dhe 2013 – 2017 kontribuoi në nisma ligjore me impakt për arsimin, mbështetjen sociale dhe të rinjtë.

Gjatë dy mandateve parlamentare shërbeu në Komisionin e Integrimit Europian & në Komisionin e Medias, si dhe i përkushtohet problematikave të komunitetit autokton tiranas. Në 2009 Bogdani mori edhe detyrën e kryetarit të FRPD. Pas 2 viteve në pozicionin e zv.presidentit, në vitin 2014 zgjidhet president i IYDU – Bashkimi Rinor Ndërkombëtar Demokrat, në Asamblenë në Lisbonë & ushtron këtë detyrë 2014 – 2016, duke u bërë politikani i parë shqiptar që zgjidhet në një pozicion kaq të lartë drejtues në një organizatë ndërkombëtare. Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave.

Postimi prekës i bashkëshortes për Gert Bogdanin

Ish-deputeti demokrat Gert Bogdani u dje nda nga jeta në moshën 44-vjeçare, pas një ataku kardiak. Ai ishte babai i dy vajzave dhe bashkëshorti i aktivistes Edlira Çepani. Ndërkohë, reagoi edhe bashkëshortja e tij, e cila njofton detajet e përcjelljes për në banesën e fundit të Gert Bogdanit. Në një njoftim Edlira Çepani bën me dije se homazhet dhe ceremonia e lamtumirës, do bëhen ditën e sotme në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në orën 12:00 kur do të përcillet për në banesën e fundit.

“Me hidhërim të thellë, njoftojmë humbjen e parakohshme të babait dhe bashkëshortit, Gert Bogdani, ju njoftojmë se homazhet dhe ceremonia e lamtumirës, do bëhen ditën e nesërme dt. 19 shtator 2024, në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës”, thuhet në njoftim.

Edlira Çepani reagoi sërish për ndarjen nga jeta të bashkëshortit të saj, Gerti Bogdani ku shprehet se Bogdani ishte gjysma e saj më e mirë dhe se familja e tij ka nevojë për të. Ajo rikujton sërish se homazhet do të mbahen në Sallën e Seancave Plenare në Parlament nga ora 10-12 dhe më pas do të bëhet varrimi në varrezat e Sharrës.

“Ti e dije që jeta ime s’ka kuptim pa ty! Ti e dije që nuk ishe thjesht gjysma ime më e mirë, ishe jeta ime!! Ti ishe shoku im, dashuria ime, familja ime, skuadra ime! Ti e di që unë nuk jetoj dot pa ty! S’di a ta thashë ndonjëherë mjaftueshëm sa të adhuroj! Zoti merr pranë vetes më të mirët, por ty s’duhet të të kishte marrë, se unë, Ajra dhe Reinarti kemi nevojë për ty, për dashurinë tende për jetën, për këshillën e drejtë që jep gjithmonë, për modelin e duhur që je gjithmonë! Bota është një vend i pavlerë pa ty! Do të të duam përjetë, bashkëshorti, babai, shoku dhe njeriu me i mirë që do jetojë ndonjëherë në këtë botë! Do të të dua çdo ditë të jetës derisa të takohemi serish, drita e çdo rrugëtimi tim! Homazhet dhe ceremonia e lamtumirës, do bëhen ditën e nesërme dt. 19 shtator 2024, në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës”, shprehet bashkëshortja e Gerti Bogdanit. VALENTINA MADANI/PANORAMA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular