Sali Berisha ia kishte kushtuar fjalimin e tij të radhës nga dritarja e banesës, ku qëndron në arrest shtëpie prej dhjetorit, dënimit me burg të deputetit demokrat Ervin Salianji, për veprën penale të kallëzimit të rremë.
Teksa e cilësoi vendimin e Apelit, si një akt shpallje lufte ndaj opozitës, Berisha vlerësoi Salianjin, i cili sipas tij denoncoi një nga klanet më të fuqishme të drogës në vend.
“Një përshëndetje dhe solidaritetin më të madh për deputetin Ervin Salianji, të cilin sot Edi Rama, Geron Xhafa, Fatzi Xhafa e dënuan me 1 vit burg sepse guxoi të përballej dhëmb për dhëmb, pa u tutur, me guxim qytetar me krimin, me klanin më të fuqishëm të drogës të Vlorës, Geron dhe Fatmir Xhafën.
Sot, Geron Xhafa, ky trafikant ndërkombëtar droge, i dënuar në Itali, me gjykim në Venezuelë, feston fitoren e tij mbi denoncuesin publik, deputetin e opozitës, Ervin Salianji.
Ervin Salianji sot u dënua në një akt shpallje lufte opozitës shqiptare nga Edi Rama me akuzën e kallëzimit të rremë”, tha Berisha.
Më tej, kreu i demokratëve ftoi qytetarët që të bashkohen me opozitën në betejën për ekzistencën e saj.
“Ndaj dhe sonte, u bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë, opozitarëve kudo që janë, të ngrihemi dhëmb për dhëmb me këta kriminelë. Dhëmb për dhëmb me këta trafikantë. Dhëmb për dhëmb me këta horra.
Dhëmb për dhëmb me këta banditë.
Të lëmë mënjanë gjithçka, të nisim betejën për ekzistencën e opozitës, betejën për ekzistencën e ligjit, betejën për fitoren mbi krimin, betejën për përmbysjen e narkokrimit, betejën për Kushtetutën e vendit, betejën për sovranitetin e Shqipërisë. Betejën për një drejtësi të pavarur. Betejën kundër mafies të çdo ngjyre, me guxim, me trimëri. Ja të vdesim, ja të rrojmë për liri”, tha mes të tjerash Berisha.