Një trup i mbështjellë me një çarçaf të bardhë që nxirret ngadalë me anë të një vinçi nga një krater i madh. Kjo është ajo që tregon një video e cila, sipas disa mediave libaneze, tregon momentin në të cilin u gjet trupi i liderit të ndjerë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Sipas autoriteteve libaneze të sigurisë, të cituara nga media të ndryshme, përfshirë CNN, trupi u gjet i paprekur në vendin ku goditi sulmi ajror izraelit të premten në periferitë jugore të Bejrutit. Sipas burimeve të cituara nga mediat Al Arabiya dhe Al-Hadath, funerali do të mbahet të hënën, por pa specifikuar vendndodhjen.
“Dy burime raportuan se trupi nuk kishte lëndime të drejtpërdrejta dhe duket se shkaku i vdekjes ishte trauma e pasuar nga forca e shpërthimit” – raportoi njëra nga emdiat vendase. Ndërsa sipas kanalit izraelit Channel 12, “besohet se shkaku i vdekjes së liderit të organizatës terroriste ka qenë mbytja, dhe se ai ka vuajtur agoni para se të vdiste”. Hipotezat që hedhin disa media libaneze lidhen me faktin se lideri i Hezbollahut po qëndronte në një vend pa ventilim dhe se bombardimet e forcave ajrore mund t’i kenë shkaktuar hyrjen e gazit në dhomë, duke shkaktuar vdekjen e tij nga asfiksia.
Si arriti Izraeli të eliminonte kreun e Hezbollahut
Sulmi shkatërrues ajror që vrau Hassan Nasrallah, ishte rezultat i një operacioni shumëvjeçar të inteligjencës izraelite që depërtoi në të gjithë rrjetin e tij duke arritur ta gjurmonte atë në qendrën e tij të komandës nëntokësore në Bejrut. Ushtria izraelite përdori një bombë 80 tonëshe të projektuar posaçërisht për shkatërrimin e bunkerëve. Vetëm në këtë mënyrë u arrit të vritej Nasrallah që u kishte mbijetuar përpjekjeve të shumta të mëparshme për ta eliminuar.
Vdekja e Nasrallah ishte pikërisht ajo që Izraeli shpresonte kur filloi fushatën e bombardimit atë ditë, raporton Financial Times. Inteligjenca izraelite ishte vënë në dijeni për lëvizjet e udhëheqjes së Hezbollahut. Kjo pas vitesh pune me hakerime dhe mbikëqyrjes së grupit terrorist libanez, i cili është një nga milicitë më të mëdha dhe më të armatosura në botë.
Pasi dështoi të vriste Nasrallah disa herë gjatë luftës së vitit 2006, Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake e Izraelit (Aman) u përkushtua në depërtimin brenda Hezbollahut. Shteti hebre pësoi goditjen më të madhe të tij në vitin 2012 kur grupi militant dislokoi luftëtarët e tij në Siri për të ndihmuar presidentin aleat Bashar al-Assad të shtypte një kryengritje. Ish-zyrtarë të inteligjencës izraelite dhe politikanë libanezë i thanë FT se beteja në Siri zbuloi një gropë informacionesh tek Hezbollahu. Të dhënat e reja i lejuan Izraelit të përpilonte profile të gjera për operativët e Hezbollahut, duke përfshirë shefat kryesorë që merrnin pjesë në funeralet e luftëtarëve të vrarë.
Duke ngushtuar objektivat e tij, inteligjenca hebreje më pas filloi të hakeronte pajisjet e komunikimit të grupit terrorist, me spiunë që ishin në gjendje të gjurmonin lëvizjet e sakta të operativëve të Hezbollahut, ndonjëherë edhe përmes telefonave celularë të grave të tyre. Spiunët e Izraelit gjurmuan gjithashtu lëvizjet e liderëve të Hezbollahut duke hakeruar kamerat e vëzhgimit në Liban dhe madje duke lexuar edhe kilometrat e makinave të tyre.
Si rezultat i këtyre, Izraeli mësoi se sa herë që rutina e grupit terrorist devijonte, një sulm ishte i pashmangshëm. Kjo gjë ndodhi edhe të premten kur Izraeli bombardoi Bejrutin, kur zyrtarët që mësuan se Nasrallah ishte rrugës për në bunkerin e tij të “komandimit dhe kontrollit”. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte në Nju Jork për fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara kur dha urdhrin për të hedhur armën ideale të Izraelit për të hequr qafe Nasrallah.
Shteti hebre kishte planifikuar sulmin për muaj të tërë, teksa zhvillonte bomba të pajisura me shpërthime që do të gërmonin në tokë, duke lejuar që bomba tjetër të shkonte edhe më poshtë, raporton Wall Street Journal. Ndryshe nga SHBA-ja, e cila ka bombardues të rëndë dhe bomba masive deri në 30 mijë paund për shkatërrimin e bunkerëve thellë nën tokë, ushtria izraelite ka vetëm avionë luftarakë duke qenë të kufizuar në madhësinë e mjeteve luftarake që mund të mbajnë.
Megjithatë bombat izraelite arritën me sukses deri në strehën e Nasrallahut 60 metra nën tokë. Sulmi ishte një nga më të mëdhenjtë që kishte parë ndonjëherë Bejruti, duke rrafshuar 6 ndërtesa duke tronditur zonën pranë selisë së tyre. Një nga ndërtesat e tronditura nga shpërthimi ishte një shkollë e Kombeve të Bashkuara që ndodhej rreth 173 metra larg nga ndërtesa ku ndodhej Nasrallah.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit e krahasuan situatën me taktikën e Hamasit për t’u fshehur në vende të banuara për të përdorur civilët si mburoja njerëzore. Netanyahu e konsideroi vdekjen e Nasrallahut si një “pikë kthese historike” në mes të përshkallëzimit të vazhdueshëm të konfliktit midis Izraelit dhe Hezbollahut që kërcënon një luftë të gjithanshme në rajon. “Nasrallah nuk ishte thjesht një tjetër terrorist. Ai ishte terroristi. Për sa kohë që Nasrallah ishte gjallë, ai do të kishte rindërtuar shpejt aftësitë që ne i shkatërruam Hezbollahut” – tha Netanyahu