Është zbuluar mesazhi që kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka pretenduar se i është dërguar në telefonin e tij, përmes aplikacionit ‘Signal’.
Sipas Bardhit, ajo që atij i është dërguar me mesazh, janë emrat e dy eksponentëve të krimit të Organizuar, Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur dhe Erigers Mihasit, i cili ka ndërruar jetë ku shkruhet ‘të jesh mirë’.
Bardhi për këtë rast ka informuar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për një përpjekje kriminale për ta intimiduar atë përmes dokumentave të fallsifikuar, pas përballjes së tij me kryeministrin Edi Rama në Kuvend, lidhur me zbërthimin e bisedave të anëtarëve të organizatave kriminale në aplikacionin Sky Ecc.
Ai i kërkon SPAK-ut të hetojë mesazhet që që sipas tij i kanë mbërritur më datë 28 Shtator në aplikacionin Signal, ku sajohen ngjarje dhe përmenden personazhe të krimit të organizuar.
Bardhi beson se të interesuar për të fabrikuar, sajuar, shpikur dhe shpërndarë të tillë mesazhe, janë persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht dhe në SPAK.
“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor.”- thotë Bardhi në letrën për Drejtuesin e SPAK-ut dhe për të cilën ka vënë në dijeni ambasadat e SHBA, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.
Gazment Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar.
“Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre”, thuhet në letrën drejtuar SPAK.