BallinaSocialeZëri i Amerikës: Në Nartë janë shtuar flamingot, por e ardhmja e...

Zëri i Amerikës: Në Nartë janë shtuar flamingot, por e ardhmja e tyre është e kërcënuar

Laguna e Nartës, që vlerësohet nga biologët si ndër zonat natyrore të paprekura të Evropës, ka shënuar këtë vit popullatën më të madhe të flamingove. Por sipas studiuesve habitati i tyre rrezikohet nga planet për zhvillimin e ndërtimeve në funksion të turizmit masiv. Aeroporti i madh ndërkombëtar i Vlorës po ndërtohet fare afër zonës ku jetojnë flamingot.

Laguna e Nartës këtë vit ka dhuruar pamje mbresëlënëse të kolonive të mëdha të flamingove. Peisazhi që vlerësohet nga biologët si ndër zonat natyrore të paprekura të Evropës i ndërron herë pas here ngjyrat ndërsa në zemër të lagunës flamingot kërkojnë ushqimin në ushtritë e mëdha plot ngjyra.

Studiuesi i shpendëve Mirjan Topi thotë se këtë vit është regjistruar një shifër rekord e popullatës së flamingove në Lagunën e Nartës.

“Vera e këtij viti shënoi një rekord të ri për sa i përket numrit të flamingove në Lagunën e Nartës me rreth 5300 individë që përbëjnë rreth 4% të popullatës europiane të këtij lloji. Kjo e bën këtë zonë një nga ligatinat më të rëndësishme në Mesdhe, jo vetëm të flamingos, por edhe llojeve të tjera të shpendëve”, tregon ai.

Cilësia ekologjike e zonës ka ndikuar në rritjen e popullatave të flamingove ndonëse ata nuk folezojnë në Shqipëri, thotë më tej zoti Topi. Por sipas tij zhvillimet e projekteve ndërtimore pritet të sjellin shqetësim për kolonitë e flamingove në zonën e peisazhit të mbrojtur.

“Unë në fakt e shoh të vështirë, bazuar në rrethanat aktuale të shqetësimit që gjenerohet vazhdimisht në peisazhin e mbrojtur Vjosë -Nartë që flamingove t`u krijohen kushtet e folezimit, sepse në atë zonë, sikundër dihet, po ndërtohet një aeroport dhe ka plane për ndërtimin e strukturave të mëdha për turizmin masiv etj… etj, që në thelb prishin atë që quhet integritet ekologjik i ekosistemit dhe rrjedhimisht ndikojnë popullatat jo vetëm të flamingove, por të gjithë shpendëve të egër”

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës sipas qeverisë shqiptare sjell një zhvillim turistik të këtij rajoni dhe përmirëson ekonominë e banorëve ndërsa organizatat shqiptare për mbrojtjen e mjedisit i kanë kundërshtuar këto plane.

Përfaqësuesi i organizatës për mbrojtjen e natyrës Zydjon Vorpsi, thotë se organizatat mjedisore kanë bërë një padi ndaj organizmave shtetërorë që lejuan ndërtimin e aeroportit në një peisazh të mbrojtur ndërkohë që ende gjykimi është në faza fillestare.

“Janë disa çështje mjedisore që janë në gjykatë. Ajo që shihet në rastin e Aeroportit të Vlorës është që gjykata më shumë e ka zvarritur çështjen duke a pasuar sa në njërën shkallë në tjetrën dhe ende nuk ka menaxhuar që të fillojë çështjen duke mos legjitimuar edhe organizatat në shkallë të parë një e drejtë që e ka dhënë Konventa e Aarhusit dhe Gjykata e Lartë. Kjo është shumë e dëmshme pasi punimet atje vazhdojnë. Pavarësisht se është një precedent i ri mund të përsëritet edhe për ç ështje të tjera duke sjellë largimin e banorëve lokalë, demotivimin e atyre që janë në mbrojtje të mjedisit, për të mos i ruajtur më burimet natyrore”, thotë zoti Vorpsi.

Ndërsa studiuesi i shpendëve Mirian Topi thotë se “tashmë për fat të keq me Ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura lejohet ndërtimi i infrastrukturave të mëdha në Zonat e Mbrojtura që nënkupton zhvillimin e turizmit masiv që në thelb është i paqëndrueshëm.”

Punimet për ndërtimin e Aeroportit vijojnë dhe pritet të përfundojnë, sipas autoriteteve, brenda këtij viti për t`ia lënë vendin vitin e ardhshëm përgatitjeve për operimin e mëtejshëm të aeroportit.

Ndërkohë në dy zona në Zvërnec dhe Sazan, edhe sipërmarrësi amerikan Jared Kushner ka propozuar investime në turizëm.

Investimi përfshin një kompleks të rrjetit luksoz “Aman” në Sazan, ndërsa në zonën e Zvërnecit sipas planit pritet të ndërtohen hotele dhe vila me një kapacitet prej 10 mijë dhomash. /VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular