Deputeti demokrat Dashnor Sula ka thënë sot se ka një ditë më parë ka qenë në ambientet e burgut të Fierit, ku ka takuar Ervin Salianjin, së bashku me deputetin Saimir Korreshi.
Ai u shpreh në “Breaking” në Top News, se e ka parë Salianjin në të njëjtën sjellje apo qasje që e ka parë edhe jashtë atyre dyerve.
“Ishte zero i demoralizuar, e kam parë me dy libra, jo letrarë. Një ishin fjalimet e Kuvendit që ka patur, aktivitetin politik ku po nxirrte materiale. Po studionte edhe deklaratat që kanë bërë kundërshtarët tanë politikë, është duke punuar fort”, tha Sula.
E ndërsa e ka përgëzuar për kurajon e fortë, deputeti deklaroi se bashkë me opozitarët e tjerë, do të paraqitën për ta mbështetur dhe për ta lehtësuar dhimbjen e tij.
“Çdo javë do të paraqitemi për të shkuar për ta takuar, për ta informuar dhe për t’i treguar se do ta mbështesim dhe nuk do ta lëmë vetëm, sepse po bën burgun e grupit parlamentar të PD. Do të jemi pranë në çdo moment. Familjarët duhet të jenë krenar për djalin e tyre, pasi nuk ka bërë gjëra të pista”, u shpreh deputeti Sula.
Ervin Salianji u vetëdorëzua ditën e premte më 27 Shtator në drejtorinë e policisë së Tiranës, ku më pas u nis drejt burgut të Fierit, për të vuajtur dënimin me 1 vit burg, caktuar nga Gjykata e Apelit për “kallëzim të rremë”.
Ish-deputeti i PD që e cilëson dënimin të padrejtë dhe pa prova, ndaj kërkon pezullimin e vendimit, duke pretenduar se nuk i janë vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe vendimit të Apelit, para se të burgosej.