Në Unazën e Madhe të Tiranës po vijon puna me ritme të shpejta në të gjitha kantieret. Synohet që e gjithë kjo vepër e rëndësishme të finalizohet në fund të këtij viti, për të qenë e aksesueshme nga të gjithë qytetarët.
Punimet po avancojnë me ritme të përshpejtuara edhe për ngritjen e veprave të artit që janë pjesë e këtij projekti.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se në Lotin II të rrugës, atë që lidh ish-sheshin “Shqiponja” me Paskuqanin, kanë përfunduar mbi 97 % e punimeve.
Ndërsa në Lotin IV, që kalon në zonën e Shkozës dhe Lotin VII që nis nga pjesa fundore e “Bulevardit të ri” e deri në bregun e Lumit të Tiranës, kanë përfunduar mbi 76 % e vëllimit të punimeve.
Punimet në Lotin VI, segment ky që bën të mundur lidhjen me Rrugën e Arbrit, janë realizuar në masën 67 %, ndërsa në Lotin V në masën 70 %.
Unaza e Madhe një segment prej 27 km, me gjerësi 28 m do të jetë një nga infrastrukturat më të rëndësishme jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë vendin.
/ rtsh.al /