BallinaTe tjeraJa pse Mid’hat Frashëri e urreu deri në vdekje komunizmin! Zbulohet letra...

Ja pse Mid’hat Frashëri e urreu deri në vdekje komunizmin! Zbulohet letra për shqiptarët më 1946

spot_img
spot_img

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi 75- vjetorin e ndarjes nga jeta të publicistit, shkrimtarit, përkthyesit, albanologut, diplomatit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Mid’hat Frashëri (1880-1949).

Mid’hat Frashëri i biri i rilindësit të shquar Abdyl Frashëri, lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Ai njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë Abdyli vdiq i ri në burg. U rrit në kujdestarinë e xhaxhallarëve, rilindësve të shquar Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll. Patriot, njeri i ditur, Mid’hat Frashëri ka mbajtur në zemër amanetin e të atit, Abdyl Frashëri, i cili gjatë qëndrimit në burg, u vendos të ekzekutohej nga xhonturqit. Kur u pyetën Abdylin nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”.

Deri në vitin 1905, Mid’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare. Mid’hat Frashëri ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut në Manastir, ku takoheshin patriotët shqiptarë. “Pati një rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv.kryetar, ishzv.kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë”, – rrëfen studiuesi Uran Butka.

Gjithashtu, ai nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901 botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në botimet e ndryshme, ai përdori edhe pseudonimin Ismail Malosmani. Në korrik 1908, Mid’hat Frashëri themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928, botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.

Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte ministër i Punëve Botore dhe PostTelegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920 ishte ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920. Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. I përndjekur nga regjimi komunist me akuzën si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”.

KRIJIMTARIA

Mid’hat Frashëri nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte Kalendarin Kombiar, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani. Më 1901 ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, përmbledhjen “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese socio-politike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj. Mid’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et à l’étranger” (1919), “Albanais et Slaves” (1919). Ka përkthyer në shqip veprat Guillaume Tell të Lamartinit (1898). Bëje të mirën pa hidhe në det e Franc Hofmanit (1900), Robinson Crusoe e Defosë (1909), Shkurtabiq’ i verdhë. Miu i vockël. Sorkadhe e bardhë të Marie Catherine d’Aulnoy (1913, ribot. 1934) dhe Psikologjia e edukatës e Gustave le Bon (1923).

Mbas çlirimit të Shqipërisë, u vendos sekuestro mbi pasurinë e Mid’hat bej Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e Mid’hat bej Frashërit. Sot rreth 40,000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosën që çmimi për bibliofilinë të emërtohet “Bibliofili Lumo Skëndo”. Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Për herë të parë ky çmim u dha më 23 prill 2006.

Mid’hati Frashëri nuk u martua. Varrimin e tij në SHBA e kanë organizuar përmes një ceremonie madhështore patriotët shqiptarë. Në gazetën “Flamuri” shkruhej: “Shqiptarët kanë ardhur nga të gjithë vendet nga ku banonin shqiptarët në mërgim, duke shprehur pikëllimin e madh për ikjen e djalit të Abdylit njeriut të madh, Mid’hat Frashërit. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj, Muho Xhakja, Astrit Sako, Braho Husi, Sulo Male, Hysni Aliko, Hajredin Peshkëpia, Skënder Omari, Iliaz Guri, Luan Dosti. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta. Kortezhi për në varrezat “Fernchff”. Arkivoli merret në krahë dhe aty kanë folur Sejfi Protopapa, At Paul e V.Rado.

Thirrja

Mid’hat Frashëri e urreu deri në vdekje komunizmin e cili po sundonte Shqipërinë. Për të frenuar me tej qeverisjen diktatoriale, Mid’hat Frashëri në vitin 1946 u drejtoi një letër bashkatdhetarëve dhe miqve të tij në Amerikë. Letra zbërthen çdo pikëpamje të tij mbi situatën e krijuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, shqetësimet e tij, revoltën, trishtimin dhe parashikimet mbi sistemin e ri që po vendosej në Shqipëri.

LETRA
Për miqtë e mi t’Amerikës

Të dashur miq,

Kemi dy vjet që u detyruam të largohemi nga Shqipëria dhe të bëhemi refugjatë. Sot, në tokën emërimit të anës perëndimore të Adriatikut, jemi afër 750 shqiptarë, në mes të të cilëve edhe gra, kalamanj e pleq. Në Greqi janë 800 refugjatë të tjerë, të larguar nga atdheu, mezi të shpëtuar nga masakrat, despotizma dhe tmerri që ka mbuluar Shqipërinë. Këta 1500 refugjatë janë nga të gjithë anët e Shqipërisë: Konispoli, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut dhe një numër i madh nga Kosova. Që dy vjet, kujdesi ynë i parë ka qenë të hyjmë në korrespondencë me miqtë dhe farefisin që kemi në vendet e largët: Australi, Turqi, Egjipt, Shtetet e Bashkuara t’Amerikës, por veçanërisht me këtë të fundit, ku ndodhet kolonia jonë më e madhe. Shqipërinë e lamë në tym e në flakë. Komunizma përgatitej të festonte triumfin e saj në mënyrë komuniste, do me thënë, duke therur, pushkatuar, mbytur, vrarë e torturuar, gra, burra, djem, çupa, të mëdhenj e të vegjël dhe sidomos të pafajshëm. Deshmë të tërheqim vërejtjen e vëllezërve tanë që ndodhen larg Atdheut dhe që s’kishin pasur mundësi të informohen dhe të kuptojnë të vërtetën. Kjo nuk na dukej një çudi as edhe një gjë e mosbesuar, se, të paktën tri radio të mëdha në gjuhën shqipe ishin në favor të komunistëvet dhe bënin propagandën e tyre. Por, ne na duhej të shpejtonim që të shpëtojmë opinionin e shqiptarëvet që ishin larg Atdheut: Kishim për detyrë të ndritonim mendjen e tyre dhe t’u viheshim në shërbim për çdo informatë që ata mund të kishin nevojë. Ata që kishin mbetur në Shqipëri, mund t’i quanim që të gjithë si të mjerë të burgosur, me zinxhirë në këmbë dhe me litar në grykë. Kishim nevojë, një orë e më parë, të shpëtonim nga robëria, në mos materiale por morale, kolonitë tona. Bëmë thirrje në ndjenjat patriotike dhe njerëzore të miave tanë të largët. Gjithë shpresën e mëkëmbjes së madhe e kishim te kolonia juaj, se ju rroni në një vend të lirë, nën një qeverisje liberale. Ju ishit larg tiranisë, larg despotizmës dhe larg diktaturës kuqalashe. Nuk kishit në Shtetet e Bashkuara, asnjë Mehmet Shehu, asnjë Enver Hoxha, asnjë Tito. Pastaj, kujtonim edhe patriotizmën tuaj të viteve 1919 dhe 1920. Kujtonim se qysh, të gjithë së bashku, si një njeri i vetëm, jini ngritur atëherë në këmbë dhe kini luftuar për indipendencën e asaj Shqipërie, për kufijtë e asaj Shqipërie dhe për nderin e asaj Shqipërie. Më të shumtët prej jush i njoh dhe më njihni personalisht. Kishim, pra, jo vetëm detyrën që të hynim në korrespondencë me ju, por edhe të drejtën. Me qindra letra ju janë dërguar, jo vetëm miqvet tuaj si unë, por edhe prej vëllezërvet, kushërinjvet, nipërvet dhe ungjërvet tuaj. Disave nuk u është kthyer përgjigje. Me çdo kusht ishte nevojë që të ndriçohej opinioni i tyre që të vononin akoma të mësojnë edhe të kuptojnë të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë çdo ditë u bë më tepër tragjike. Krimet e komunistëvet gjatë luftës, i vazhduan krime të tjerë, ekzekutimet pa gjyq ose me gjyqrrugësh, me ligje edhe pa ligje, vajtën duke u shumëzuar. Perëndia vetëm e di numrin e atyre që janë mbytur. Më të shumtët as ekzekutoheshin, as edhe masakroheshin në burgje, por vriteshin e shpoheshin me thikë në udhë e sipër. Sot vallë janë të burgosur, 16.000 apo 26.000? Sa prej tyre gjenden të sëmurë dhe gati për vdekje? Sa familje gjenden të internuar në Krujë, Berat e gjetkë?…

Doni të pyesni për reforma? Jua them unë. Reforma më e bukur, në krijimin e së cilës komunistët e Shqipërisë kanë rrëfyer një zotësi dhe një inteligjencë të vërtetë, është frika: nëna dhe baba të kenë frikë nga çupa dhe nga djali i tyre. Shqiptari të dridhet nga fisi më i afërt i tij se mos veje e ta kallëzoje te policia, sipas sistemit rus, G.P.U dhe N.K.V.D.

Lumturi e popullit? Vërtet një lumturi e mirë! Bujqvet, katundarëvet dhe atyre që s’kishin asgjë, qeveria demokratike dhe popullore e Enver Hoxhës u ka dhënë nga një pëllëmbë dhe. Por gjithë produkti i djersës së tyre vete në hambar të qeverisë dhe i gjori bujk, katundar ose proletar, duhet që të vejë çdo javë në zyrë të marrë te nëpunësi komunist kafshatën e gojës.

Qysh në fillim të regjimit të komunistëvet, gjithë mallrat, ilaçet, veglat e mjekësisë dhe të kirurgjisë, çdo gjë që u gjend në drogeritë dhe depozitat e Shqipërisë, u dërgua te xhaxha Tito, dhe kjo për shpërblim të shërbimit që bëri Titoja duke vrarë afro 50.000 shqiptarë të Kosovës. Vajtën leshtë, lëkurët, benzina dhe nafta edhe ato në Jugosllavi. Shumë nga sendet që jep organizata U.N.R.R.A shkojnë në Jugosllavi ose u dorëzohen vetë besnikëvet të regjimit komunist. Fakir fukaraja, në mundshin dhe në gjeçin, le të hanë hithra. Mish nuk tregtohet më në Tiranë, të shitet e të blihet. Për rroba, mveshje e mbajtje, pëlhurë, stofra e të tjera, mos bëni fjalë, se dyqanet që kishin qenë plot me plaçka, sot janë zbrazur. Edhe në ka eje të shitet ndonjë gjë, i jipet vetëm atyre që kanë marrë bileta nga qeveria…

Kjo është situata e Shqipërisë. Kjo është gjendja e të gjorëvet shqiptarë që kanë lumturinë të rrojnë nën hijen e “demokracisë së Tiranës”.

Për fat të keq, dëmet nuk janë vetëm materiale. Për Shqipërinë e gjorë, me jo më tepër se një milion njerëz, sikur nuk ishte mjaft kjo luftë e përbotshme dhe pushtimi i huaj, sikur nuk ishte mjaft lufta italo-greke që u zhvillua në tokën arbërore dhe shkaktoi një shumicë rrënimesh, njerëzish dhe banesash, por ja se ku vjen edhe kolera e kuqe e komunizmës, që me dorën e shqiptarit të therë shqiptarin, të sjellë një mizerje dhe një vuajtje që nuk e ka pësuar kurrë gjer më sot vendi ynë. Me mijëra njerëz që u çduknë nga dora trathëtare e komunistëvet, ashtu edhe me qindra milionë që franga ari u shkrinë në zjarr për qejfin e të kuqvet. Nuk e di cili do të ketë mbetur i padëmtuar materialisht dhe moralisht nga miqt që kemi lënë në Shqipëri? Cili nga anëtarët e fisit dhe nga të ju uronj shëndet edhe punë të mbarë.

Mid’hat Frashëri
Në mërgim më 1 dhjetor 1946

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular