Kryeministri Edi Rama ka publikuar një fotoalbum nga vizita e Presidentit të Turqisë, Erdogan në Tiranë.
Kreu i qeverisë e quan Erdogan mik të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“MIRËMËNGJES dhe me FotoALBUMIN e vizitës së një Miku të Madh të Shqipërisë e shqiptarëve dje në Tiranë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk Reccep Tayyip Erdigan nënshkruan dje marrëveshje me karakter ekonomik mes dy shteteve.
Pas takimit ‘kokë më kokë’ në Kryeministri, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan nënshkruan një marrëveshje mes dy shteteve në prag të nisjes së konferencës për mediat. Një prej marrëveshjeve ishte “deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë”.
Marrëveshja e radhës ishte “Protokoll ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri”.
Marrëveshja e tretë ishte ajo për “Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin”.
Gjatë konferencës për shtyp me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama njoftoi se Shqipëria do të marrë dronë kamikazë për ushtrinë tonë, si një dhuratë që i vjen nga Turqia.
Dronët kamikazë janë në gjendje të flurojnë prej një distance rreth 2 mijë kilometrash, ata janë në gjende të presin për një kohë të gjatë dhe sulmojnë vetëm pasi identifikojnë objektin. Në ndryshim nga dronët tradicionalë, dronët kamikazë pas sulmit vetëshkatërrohen. Gjatë fjalës së tij, teksa nuk nguroi për të thënë fjalët më të mira për industrinë ushtarake turke, kryeministri Rama bëri të ditur lajmin se Turqia i dhuron ushtrisë së Republikës sonë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë. Kryeministri u shpreh se çmon dhuratën e presidentit turk, ndërsa theksoi se kjo dhuratë ‘nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria’.
“Nga ana tjetër, ne jemi shumë të interesuar dhe patjetër edhe shumë të përmbushur sot pas konfirmimit të një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënieje në aspektin ushtarak ku dihet botërisht që Turqia ka arritur një nivel shumë të lartë kapacitetesh për prodhimin e industrisë ushtarake dhe ku ne kemi identifikuar konkretisht investime në këtë fushë. E thashë në hapje të mbledhjes së Këshillit dhe e përsëris që unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar kur bota ka marrë një drejtim, të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë. Është një dhuratë që nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por besoj që është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Republikës së Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme”,- u shpreh kryeministri.