Katër ditë përgatitje në Tiranë kanë mjaftuar për Silvinjon që të bëjë gati ekipin më të mirë që do të hidhet në fushë mbrëmjen e sotme, për të sfiduar çekët vendës, edhe pse në stërvitjen e fundit, lojtarët që pritet të jenë titullarë janë shkartisur në grupe të ndryshme. Ndërkohë një lëndim i Asllanit sikur prishi disi planet dhe humorin e Silvinjos, por nuk ishte asgjë shqetësuese dhe mesfushori e kaloi lëndimin (një goditje në këmbën e djathtë) dhe për sot do të jetë gati duke “shtrënguar edhe dhëmbët” po të jetë nevoja. Me aktivizimin e tij titullar, mesfusha merr formë me Ramadanin dhe Laçin, ndërkohë Nedim Bajrami luan si anësor, pozicion që ka luajtur në ndeshjet e fundit me Kombëtaren.
Në krahun tjetër pritet të jetë Jasir Asani i cili gjithashtu është në një formë të mirë, si në aspektin e të luajturit, po edhe në atë triumfues duke shënuar në ligën përkatëse rregullisht. Në mungesë të Rei Manajt dhe Armando Brojës, sulmi i Shqipërisë do të udhëhiqet nga Mirlind Daku, një sulmues i fortë në luftën në ajër dhe posedues shumë i mirë i topit. Ai pritet të luajë ndeshjen e dytë si titullar me Kombëtaren pas takimit me Ishujt Faroe vitin e kaluar. Zëvendësuesi i tij do të jetë Indrit Tuci, i ardhur pas dëmtimit të Myrto Uzunit.
![gfdh](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/uploads/2024/10/gfdh.jpg)
Sakaq, në mbrojtje nuk ka dilema pasi do të luajë Mario Mitaj dhe Elseid Hysaj nga krahët, ndërsa qendra do të formohet me dyshen Ismajli-Kumbulla, njësoj si në ndeshjet e shtatorit, ku të dy mbrojtësit zhvilluan paraqitje shumë të mira dhe për më tepër aktualisht po kalojnë moment shumë pozitiv. Për ta përfunduar, në portë nga minuta e parë do të jetë Tomas Strakosha, i cili shihet edhe si portieri “Nr. 1” i Kombëtares shqiptare.