Qeveria gjermane e kancelarit Olaf Scholz ka çuar përpara planin për të shtrënguar politikat e pranimit të azilkërkuesve, të prezantuara pas sulmeve vdekjeprurëse me thikë që tronditën Gjermaninë, raporton AFP.
Një nga masat kryesore të planit të paraqitur në fund të gushtit parashikon anulimin e ndihmës për azilkërkuesit që kanë hyrë në një vend tjetër të BE-së para se të mbërrijnë në Gjermani.
Partitë në koalicionin e socialdemokratëve (SPD) të Scholzit, të formuar me të Gjelbërit dhe liberalët, kanë shtuar përjashtime. Por anulimi i ndihmës nuk do të vlejë në rast se ka të përfshirë fëmijë.
“Ne nuk duam të shkaktojmë varfërim mes azilkërkuesve, përgjegjësia e të cilëve është një shtet tjetër anëtar i BE-së”, shpjegon deputeti i SPD-së, Dirk Wiese në një letër drejtuar kolegëve në grupin parlamentar.