Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar dje stërvitjen e fundit para ndeshjes ndaj Gjeorgjisë, që luhet sot në orën 18:00.
Një seancë ku Silvinjo ka mundur të punojë me futbollistët edhe në aspektin taktik të lojës që pritet ndaj vendësve. Në këtë seancë, kuqezinjtë janë fokusuar te aspekti atletik për të rikuperuar nga lodhja e ndeshjes me Çekinë, por edhe në aspekte te ndryshme të taktikës që do të përdoret, duke u ndalur më pas edhe te një problem i dukshëm që është shfaqur në ndeshjet e fundit.
Sipas vetë FSHF-së, trajneri është ndalur te gjuajtjet në portë, një mangësi e madhe e ekipit në dy disfatat kundër Gjeorgjisë në Tiranë dhe Çekisë në Pragë. Në ndeshjen e Tiranës, kuqezinjtë nuk kanë gjuajtur asnjëherë në katërkëndorin kundërshtar gjatë 90 minutave, duke fluturuar jashtë të gjitha tentativat e tyre. Ata ia dolën 2 herë në takimin e të premtes në darkë në Pragë, me Asllanin dhe Tucin.
FORMACIONI I MUNDSHËM
Shqipëria nuk është për herë të parë në këtë situatë dhe pas dy disfatave, është normale që opinioni të kërkojë ndryshime në formacionin që do të hidhet në fushë. Por, Silvinjo na ka treguar që ndryshimet i bën me pikatore, për të mos thënë aspak. Në portë, do të jetë Tomas Strakosha, ndërsa në mbrojtje nuk mendohet të ketë ndryshime, me Elseid Hysajn nga e djathta, Marash Kumbullën dhe Ardian Ismajlin në qendër dhe Mario Mitajn nga krahu i majtë. Në mesfushë do te vendoset Ramadani dhe Asllani, ndërsa përpara tyre mund të spostohet Bajrami. Në krahun e majtë hapet vendi për Arbër Hoxhën dhe Jasir Asani me Mirlind Dakun mendohet të jenë sërish nga minuta e parë.